Kosova duhet të çlirohet nga udbashët, në politikë, gjyqësi, prokurori...

Politika

Kosova duhet të çlirohet nga udbashët, në politikë, gjyqësi, prokurori...

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 24 tetor 2022 Në ora: 07:55
Ilustrim

Juristi Muhamet Kelmendi thotë se në Kosovë duhet të bëhet ligji mbi lustracionin. Sipas tij, nga Kuvendi i Kosovës, kërkohet që të nxirret një ligj i tillë, për të verifikuar njerëzit, të cilët nuk njihen e as nuk ju dihet e kaluara e tyre.

“Ka kohë që kërkohet që nga Kuvendi i Kosovës të përgatitet dhe të nxirret Ligji mbi Lustracionin. Faktet nuk dihen, por ky ligj nuk po del nga organet e Kosovës dhe kështu është mbushur qeveria dhe tërë pushteti me njerëz, që nuk njihen dhe nuk u dihet e kaluara e tyre. Njerëz të tillë kemi kudo. Kosova ka kaluar një kohë të gjatë nën pushtimin serbomadh. Gjatë kësaj kohe ka patur dhunë në përmasa gjenocidale dhe të vazhdueshme.

Nuk duhet të shkojmë thellë në kohë, para dhe pas LDB-së, për të parë nivelin e krimit gjenocidal. Mjafton vetëm periudha nga demonstratat masive të shqiptarëve të vitit 1981 për liri dhe shtet, për të konstatuar nivelin e dhunës dhe të gjenocidit të organeve serbo-jugosllave mbi shqiptarët. Duket se ka forca në Kosovë që janë kundër Ligjit të Lustracionit. Kjo, sepse nën pushtimin e tillë serbo-jugosllav, ka patur shumë njerëz që kanë qenë në njërën a formën tjetër në shërbim të regjimit jugosllav.

Image
Muhamet Kelmendi

Mirëpo, me ligj të tillë nuk mendohet të futen në listën e krimit ish-komunistët e thjeshtë shqiptar, socialistët e Lidhjes Socialiste të Jugosllavisë, anëtarët e RSJ-së, si dhe shumë të tjerë të tillë në pushtet. Jo”, thotë ai.

Me këtë ligj sipas Kelmendit mendohet që Kosova do të çlirohet nga ata njerëz që nuk i shërbejnë Kosovës.

“Këtu mendohet në subjektet fizike që kanë ndihmuar drejtpërdrejtë pushtimin, dhunën dhe terrorin. Mendohet se bashkëpunëtorët e UDB-së, në vete udbashët, gjyqtarët e prokurorët, politikanët etj, që kanë qenë në shërbim të regjimit dhe të UDB-së. Nga këta kërkohet që Republika e Kosovës të çlirohet.

Republikës nuk i shërbejnë këta njerëz. Ata e pengojnë zhvillimin e vendit dhe e dëmtojnë lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës. Kosova ka kuadro edhe pa këta. Nuk është fjala këtu për ndjekje të shtrigave. Nuk i shërben Kosovës hakmarrja, sepse ajo është e dëmshme. Kosovës i duhet një pastërti që të merrë frymë politika, qeveria, administrata, ekonomia e vendit, prokuroria, gjyqësori etj.”, shprehet ai.

Në fund, shton se tërë çrregullimet nëpër mekanizma po burojnë nga këta njerëz, nga ata të cilët po e pengojnë zhvillimin e vendit.

“Mendohet se tërë çrregullimet nëpër mekanizmat e shtetit po vijnë në shumicë nga këta njerëz. Këtu po buron keqpërdormii detyrës. Nënshtrimi ndaj politikës, po merr hov dhe po lulëzon krimi, sepse nuk po dënohen kriminelët nga frika dhe po keqpërdoret detyra zyrtare me ryshfet etj.

Dëmet po bëhen edhe në politikë. Askush nuk i njeh deputetët e Kuvendit të Kosovës!

Kush janë ata? Nga vijnë? Ku kanë qenë para, gjatë dhe pas Luftës çlirimtare në Kosovë? Ka pyetje mjaft! Këto kërkohen të zgjidhen. Zgjidhja është melLigjin mbi lustracion dhe kësaj i ndihmon shumë edhe Ligji mbi VETTING. Është koha për veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, përfundoi juristi Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat