Kur do të mbyllet misioni i UNMIK-ut?/ Një mision në funksion të projekteve ruso-serbe

Politika

Kur do të mbyllet misioni i UNMIK-ut?/ Një mision në funksion të projekteve ruso-serbe

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 24 tetor 2022 Në ora: 11:52
UNMIK

Alarmet dhe organizimet radikale të serbëve nën dirigjimin dhe kontrollin e plotë nga Serbia, janë edhe një dëshmi se për të vepruar dhe shtrirë sovranitetin e plotë në veri, duhet që të shuhet misioni i UNMIK-ut, dhe natyrisht do të duhej t’i jepet fund Rezolutës 1244 të OKB-së.

Kjo çështje ka disa vite që po kërkohet në OKB, nga SHBA-ja, Britania e Madhe e vende të tjera, përfshirë Shqipërinë së fundi.

Pas pavarësimit të Kosovës, më 2008 ka kohë, që ky mision nuk ka më thuaja asnjë rëndësi, përveç se ai po shfrytëzohet të abuzohet nga Rusia, Serbia dhe ndonjë vend mik i tyre.

Përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit ka kërkuar që të reduktohet edhe më tej deri në mbyllje misioni i UNMIK-ut në Kosovë.

Ai ka thënë se autoritetet e Kosovës janë në gjendje ta mbajnë nën kontroll situatën.

“Propozojmë që edhe raportimi për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të mos mbahet çdo gjashtë muaj”, ka thënë përfaqësuesi amerikan.

Njëjtë ka kërkuar edhe përfaqësuesi i Britanisë së Madhe.

Ai ka kërkuar largimin e UNMIK-ut nga Kosova pasi sipas tij situata në terren ka ndryshuar.

Përfaqësuesi i Britanisë ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është jetik.

Nga normalizimi do të përfitonin të dyja palët. Dialogu për targat dhe letërnjoftimet nuk duhet të jetë shkasë për të rrëshqitur në destabilitet”, deklaroi tutje përfaqësuesi i Britanisë në OKB.

A mundet që Kosova njëanshëm ta shpallë mbylljen e UNMIK-ut, pasi misionin kryesor e ka në veri të vendit?

Shala: Situata e misionit të UNMIK që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës është shndërruar si patericë e politikës së vjetër nën Rezolutën 1244

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Image
Drizan Shala

Ai u shpreh se misioni i UNMIK-ut tashmë e një kohë është shndërruar si patericë e politikës së vjetër dhe po përdor tensionet në veri të Kosovës për të vazhduar misionin e vet.

Situata e misionit të UNMIK-ut që nga Shpallja e pavarësisë se Kosovës është shndërruar si patericë e politikes së vjetër nën rezolutën 1244. Dhe në çdo formë është duke u imponuar që nga ndryshimet eventuale në terren duke tentuar të përdor tensionet në veri të vendit për të arsyetuar një vazhdimësi të misionit të vet, por edhe tentativë për rikthim si mekanizëm që garanton sigurinë nën ombrellën e 1244”, thekson eksperti i sigurisë.

Ndër të tjera ai shton që mbyllja e misionit të UNMIK-ut do të jetë problem pasi mund të paraqitet si veprim i rrezikshëm nga ana e Kosovës.

Sipas tij ekziston një mundësi, e cila ndërlidhet në njërën anë me arritjen e marrëveshjes finale Kosovë/Serbi dhe në anën tjetër marrëveshje e fuqive të mëdha pas luftës në Ukrainë/Rusi.

Mbyllja e misionit të UNMIK-ut në këtë kohë do të jetë problem, që kjo të ndodhë në mënyrë të njëanshme, nga ana e Kosovës, sepse do të paraqitej si veprim i rrezikshëm në aspektin e lëndimit të misionit nën mandatin e UN-it për proceset në të ardhmen që e presin Kosovën në kuadër të OKB-së. Ekziston një mundësi, e cila ndërlidhet në njërën anë me arritjen e marrëveshjes finale Kosovë/Serbi dhe në anën tjetër marrëveshje e fuqive të mëdha pas luftës në Ukrainë/Rusi, ku kësaj të fundit do t’i largohen sanksionet dhe në kompromis të saj të jetë mbyllja e misionit dhe ndryshimit të rezolutës 1244”, theksoi eksperti i sigurisë për “Bota sot”.

Mehmeti: Mision i UNMIK-ut është dashur qysh moti të mbyllet, i takon të shkuarës

Ndërsa analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që misioni i UNMIK-ut është dashur të mbyllet shumë më herët pasi po arrin ta paraqesë Kosovën si vend nën administrim ndërkombëtar.

Image
Faton Mehmeti

Mision i UNMIK-ut është dashur qysh moti të mbyllet, tanimë i takon të shkuarës. Si i tillë është e panevojshme prezenca e UNMIK-ut edhe për vet simbolikën e tij, nuk duhet të ekzistonte më në Kosovë, në një vend që është shtet dhe e ka fatin e tij në duar. UNMIK-u me prezencën e tij u jep mundësi Serbisë dhe Rusisë ta paraqesin Kosovën si vend nën administrim ndërkombëtar, me propagandën e tyre se Kosova nuk është shtet i pavarur dhe sovran”, potencoi analisti.

Në fund, ai tha që është për tu vlerësuar kërkesa e SHBA-së me Britaninë e Madhe dhe Shqipërinë për mbylljen e tij, edhe Kosova në mbledhjen e radhës në Këshillin e Sigurimit ta kërkojë një gjë të tillë.

Andaj, mbyllja e këtij misioni të ndodhë sa më parë. Është për tu vlerësuar kërkesa e SHBA-së me Britaninë e Madhe dhe Shqipërinë për mbylljen e UNMIK-ut. Edhe Kosova në mbledhjen e radhës në Këshillin e Sigurimit të kërkojë një gjë të tillë me arsyetimin se UNMIK-u është i panevojshëm dhe misioni i tij tashmë i takon së shkuarës”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat