Vuçiqi dhe Batoni hedhin gurin në ujë - njëqind budallenj turren te gryka e pusit!

Politika

Vuçiqi dhe Batoni hedhin gurin në ujë - njëqind budallenj turren te gryka e pusit!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 24 tetor 2022 Në ora: 16:46
Baton Haxhiu dhe Aleksandar Vuçiq

Dalldi e madhe për ta pranuar ose jo draft-marrëveshjen e dyshes franko-gjermane. Lëshoi portali serb i Baton Haxhiut, licencuar në Tiranë, një gur në pus dhe njëqind të tjerë u hodhën në grykën e pusit për ta nxjerrë atë gur. Është fjala për të ashtuquajturën draft-marrëveshje hartuar nga Franca dhe Gjermania. Ndërkohë presidentja Osmani thotë se nuk ka një draft të tillë. Dmth se nuk ka as një ultimatum "Ja ku është marrëveshja, ose firmoseni, ose jo"!

Presion për një marrëveshje pro-serbe

Këtë fakt e pranoi gjithashtu ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Esckobar, kur kërkoi shtyrjen e ndërrimit të targave për dhjetë muaj të tjerë. Vuçiqi ka folur për javë në implementimin e asaj që ai e ka konsideruar marrëveshje e detyruar nga Berlini dhe Parisi. Po kështu edhe Batoni. Por, Escobar e përgënjeshtroi këtë. Dhjetë muaj nuk janë javë, por gati një vit! Për të mos folur pastaj për kohën e pas dhjetë muajve që do të duhej të firmosej një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Megjithatë janë rrekur politikanë, diplomatë e ish-ambasadorë, analistë e gazetarë që të kërkojnë medoemos të nënshkruhet ajo që nuk ekziston. Madje me një lloj ultimatumi në stilin "Më mirë nënshkruani propozimin franko-gjerman, sesa të imponohet ndarja e Kosovës"! Të tjerë, sidomos opozitarët e Prishtinës i thonë kryeministrit Kurti: "Ose firmos marrëveshjen, ose ik nga pushteti", duke nënkuptuar që të vijnë ata e ta nënshkruajnë një marrëveshje pro-serbe.

Çfarë nuk dëgjojnë veshët në këtë zallamahi të çorbës serbe në Kosovë, në Shqipëri e gjetkë. Interesant është se gurin e parë e hedh presidenti i Serbisë, madje në rolin e viktimës. Pastaj të dytin Baton Haxhiu nën regjinë e shefit të tij, të cilin e këshillon. Dhe politikanët opozitarë si Isa Mustafa, Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj e të tjerë "bëhen më prift se Papa", kur bëjnë zëdhënësin e Aleksandër Vuçiqit për dialogun dhe marrëveshjen.

Sigurisht që koha është e përshtatshme për të imponuar një marrëveshje midis Kosovës e Serbisë. Por, do të duhet një marrëveshje, e cila nuk i jep shans Beogradit të manovrojë me alibi të shumta me qëllim vazhdimin e lojës politike e të diversionit të tij kundër Kosovës. Duhet një marrëveshje që nuk do ta lejonte Serbinë të manipulonte serbët e Kosovës! Ndërkohë që është naivitet të mendohet se marrëveshja automatikisht do ta çojë Kosovën në OKB, ose do t'i detyrojë pesë vendet anëtare të BE-së të njohin shtetin më të ri në kontinent. Një marrëveshje midis dy shteteve nuk obligon 195 shtete të OKB-së e as pesë shtetet europiane në fjalë.

Një marrëveshje e tillë moralisht e justifikon qëndrimin pozitiv të këtyre shteteve dhe pranimin në OKB. Por, në respekt të moralit kjo do të duhej të kishte ndodhur me kohë. Megjithatë nuk ka ndodhur. E gjitha për shkak të interesave të vendeve të ndryshme. Më së shumti Kosovën-shtet e ka penguar vetoja ruse. Po kjo veto është aty edhe nëse nënshkruhet një marrëveshje e tillë, me asociacionin brenda saj. Rusia nuk e njeh Kosovën, jo se i duhet të ndihmojë Serbinë, por se i duhet ta përdorë si alibi në pushtimet e veta në Europën Lindore. Çfarë ka ndryshuar që Rusia të heqë dorë nga këto interesa?! Kjo do të thotë se pa e mundur Rusinë në fushën e betejës në Ukrainë, ajo nuk ka për të heq dorë nga ambiciet e alibitë e saj për pushtime territoresh.

Nëse në një draft fut dorën Franca, duhet parë me shumë kujdes

Duhet të jesh mendje-shkurtër të besosh përrallat, në të cilat besonte fillimisht me nisjen e dialogut edhe Hashim Thaçi e Isa Mustafa. Ata, sa herë firmosnin ndonjë marrëveshje në favor të Serbisë, u thoshin qytetarëve të Kosovës se "Serbia me këtë marrëveshje e ka njohur Kosovën"! Por, rezultoi e kundërta. E njëjta metodë po luhet edhe në spekulimet, rekomandimet dhe deri ultimatumet për ta pranuar të ashtuquajturën draft-marrëveshje franko-gjermane për zgjidhjen e konfliktit midis shqiptarëve në Kosovë dhe Serbisë.

Së pari, një draft-marrëveshje për zgjidhje përfundimtare nuk ka ende. Së dyti, edhe nëse ka disa rekomandime për një paketë marrëveshjesh, ato duhen parë me kujdes. Nëse në një draft fut dorën Franca, duhet parë me shumë kujdes. Franca e la Mitrovicën e Veriut si gozhdë Nastradini për 23 vite. Franca bllokoi për më shumë se pesë vite liberalizimin e vizave me Kosovën. Franca ka rivendosur marrëdhëniet tradicionale me Serbinë e post-Milosheviçit. Madje gjeneralët francezë, në emër të miqësisë me Serbinë, informonin Milosheviçin për objektet e sulmit të avionëve të NATO-s në pranverën e vitit 1999.

Është shumë lehtë të jesh naiv e të bësh kompromisaxhiun. Por para se ta bësh këtë do të duhet një minimum analize e vlerësimi për atë çfarë bën, sepse çdo gabim i bërë më herët po i kushton sot Kosovës dhe secili prej gabimeve që bëhet tani do t'i kushtojë edhe më shumë asaj!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat