Dokumenti për asociacionin spekulativ, pa adresë... / Asociacion i nivelit të tretë shtetëror do të ishte fatal për Kosovën!

Politika

Dokumenti për asociacionin spekulativ, pa adresë... / Asociacion i nivelit të tretë shtetëror do të ishte fatal për Kosovën!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 24 tetor 2022 Në ora: 20:03
Albin Kurti, Aleksander Vuçiq, foto ilustrim nga Bota sot

Një nga temat më të përfolura këto ditë mbetet propozimi gjerman për statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas këtij drafti, asociacioni do të ishte një entitet i ligjshëm i krijuar në vijë me Marrëveshjen e parë, të viit 2013 dhe madje me Kushtetutën e Kosovës. Drafti i cili përmban 17 nene parasheh që ky asociacion t’i ketë 10 komuna me mundësi zgjerimi.

Por, këto vlerësime u hodhën poshtë nga ekspertët e Kushtetutës dhe nga drejtuesit e shtetit u quajtën propozime, që nuk janë diskutuar në bisedime, por jashtë rrjedhës së tyre.

Po ashtu, sipas atij dokumenti franko-gjerman, një vit pas funksionalizimit, statuti i tij mund të shqyrtohet nga Qeveria. Sipas draftit, janë disa objektiva kryesore të Asociacionit: Forcimi i demokracisë lokale, mbikëqyrja e plotë e zhvillimit të ekonomisë lokale dhe ajo e edukimit.

Ndër funksionet që përfshin drafti është edhe mundësia e bashkëpunimit me shtete e operatorë ekonomikë të rajonit, përfshirë të Republikës së Serbisë në fushën e ekonomisë lokale, edukimit e shëndetësisë.

Ky propozim është kundërshtuar edhe nga deputeti nga radhët e LVV-së, Haki Abazi.

Ai këtë e quajti gënjeshtër dhe tha se komunat serbe kanë të drejtën që të bëjnë asociacionin e tyre bazuar mbi ligjet dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe jo të krijohet një pushtet i tretë në Kosovë.

“Ashtu siç edhe e shkruajmë zakonisht, duke e vendosur në thonjëza, e ne e dimë mirë që kur vendoset diçka në thonjëza është gënjeshtër, apo thënë më butë një e pavërtetë. Që do të thotë, nuk ka propozim gjerman sepse ka vetëm një propozim dhe ai është Asociacioni bazuar në të drejtën e lirisë së asociimit sipas ligjit të Republikës së Kosovës. Nuk do të ketë pushtet të tretë në Kosovë, nuk ka Zajednicë, nuk ka të drejta ekzekutive që derivohen nga pushteti qendror apo pushteti lokal, tek asociacionet e organizimet që mund të paraqesin pushtet të tretë sepse kjo është e ndaluar në Republikën e Kosovës”, ka thënë Abazi në konferencën e përjavshme të tij në Kuvend.

Por, a do t’ia dalin institucionet, që të mos lejojnë Asociacion me kompetenca ekzekutive?

Burjani: Ëndrra serbe për diçka të ngjashme është e pamundshme

Image
Blerim Burjani

 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet juristi Blerim Burjani.

Ai u shpreh se nuk është një dokument zyrtar dhe për këtë arsye nuk mund të merret seriozisht, pasi nuk ka as numër të protokollit.

“Nuk është dokument zyrtar, po të ishte zyrtar do të kishte nr.protokolli dhe adresim për Kosovën. Pra, është dokument spekulativë pa adresë të bërjes në Kosovë, nga mediat private televizive bëhen debate me njerëz të padijshëm profesional, as për asgjë. Pra, për të komentuar dokumente të tilla duhet të jenë shkresa zyrtare e të protokolluara dhe sqarohen nga njerëz kompetentë, partitë politike, ekspertët e shkencave juridike dhe politike”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, juristi thotë që nuk mund të ketë Asociacion me kompetenca të nivelit shtetëror dhe që bie ndesh me normat kushtetuese.

“Nuk mund të ketë Asociacion me kompetenca të nivelit shtetëror dhe që bie ndesh me normat kushtetuese. Pra, ëndrrat serbe për diçka të ngjashëm është e pamundshme, çdo Asociacion i nivelit të tretë shtetëror do të ishte fatal për Kosovën”, thotë Burjani për “Bota sot”.

Ahmeti: Përderisa një version i tillë i projekt-statutit nuk e merr vulën institucionale nuk mund të vlerësohet i besueshëm

Image
Hidajet Ahmeti

 

Ndërsa, analisti politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot” thotë që përderisa një version i tillë i projekt-statutit nuk e merr vulën institucionale nuk mund të vlerësohet i besueshëm.

Duke vazhduar më tej me shpjegimin, ai kërkon nga institucionet përgjegjëse ta demantojnë ose të japin një përgjigje zyrtare.

“Përderisa një version i tillë i projekt-statutit nuk e merr vulën institucionale nuk mund të vlerësohet i besueshëm. Për ta mbyllur këtë debat “spekulues” institucionet përgjegjëse duhet ta demantojnë apo të përgjigjen për një gjë të tillë. Në këtë rast, mund të paragjykojmë, spekulojmë, pasi institucionet përgjegjëse po heshtin”, thotë analisti.

Ndër të tjera, ai shprehet që nuk duhet të ketë kompromise që janë të dëmshme për vendin tonë.

“Çdo përpjekje për kompromise jashtë Planit të Ahtisarit është i dëmshëm për të ardhmen e funksionimit normal të Republikës së Kosovës. Kompromisi i fundit ka qenë dhe duhet të mbetet Pakoja e Ahtisarit. Asnjë Qeveri, por as kjo e tanishmja nuk e ka legjitimitetin për të pranuar projekte të tilla, të cilat e dëmtojnë në thelb shtetësinë e Kosovës”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat