Serbia harxhon gjysmë miliard euro për armatim, njohësi i çështjeve të Ballkanit “zbulon” qëllimin e Vuçiqit

Politika

Serbia harxhon gjysmë miliard euro për armatim, njohësi i çështjeve të Ballkanit “zbulon” qëllimin e Vuçiqit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 24 tetor 2022 Në ora: 22:08
Aleksander Vuciq dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Serbia po vazhdon të armatoset me pajisje nga Rusia dhe Kina, ndërsa në anën tjetër ulet në Bruksel dhe kërkon paqe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i kishte thënë gazetës kroate se Serbia po armatoset dhe nuk e përjashtonte mundësinë e një lufte të re në Kosovë.

Por, Kurti kishte thënë se përderisa Serbia ka ende ëndrra për Kosovën si pjesë të saj, ato do të kthehen në makth për të gjithë Ballkanin.

Duke folur rreth armatimit të përditshëm të Serbisë, manovrat e ushtrisë serbe pavarësisht që nuk kanë kaluar as tri dekada nga luftërat e tmerrshme që Serbia i shkaktoi në Ballkan, njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben Meir ka folur për “Bota sot”.

Sipas tij, pavarësisht armatimit të Serbisë, ajo nuk do të sulmojë asnjë shtet të Ballkanit, sidomos jo Kosovën.

“Pavarësisht se Serbia po armatoset kryesisht nga Rusia duke blerë tanke, sisteme të mbrojtjes ajrore, raketa kundërtanke Kornet dhe helikopterë transportues si dhe dronë nga Kina, Beogradi nuk e ka ndërmend të sulmojë asnjë nga shtetet ballkanike, sidomos jo Kosovën. Edhe provokimi ushtarak i Kosovës do të ftojë angazhimin e menjëhershëm të forcave të SHBA-së dhe BE-së të stacionuara në Kosovë”, ka deklaruar Meir.

Ndërsa, duke folur rreth synimeve të

Image
Alon Ben Meir

Serbisë dhe qëllimeve të Vuçiqit, Meir është shprehur se ai e do Serbinë si dominuese në Ballkan.

“Qëllimi kryesor i Vuçiqit është ta projektojë pushtetin dhe ta vendosë Serbinë si shtetin dominues në Ballkan. Përveç kësaj, Vuçiqi po e përdor fuqizimin e makinerisë ushtarake të Serbisë, për të negociuar nga një pozicion i fortë, në çdo negociatë të ardhshme me Kosovën në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë”, ka përfunduar Meir.

Ndryshe, gjatë vitit 2022 Serbia kishte thënë se do të shpenzojë këtë vit gjysmë miliard euro për armatime. Armë moderne, si sistemi anti-tank rus “Kornet” u prezantuan së fundmi nga presidenti i Serbisë.

Vitet e fundit, Ushtria e Serbisë ka ka blerë nga Rusia pesë helikopterë Mi-17V-5, katër helikopterë luftarakë Mi-35M dhe ka marrë si donacion gjashtë avionë MiG-29.

Katër avionë të këtij lloji i ka marrë donacion edhe nga Bjellorusia.

Marrëveshje për mirëmbajtje është arritur për 14 avionë, ndërsa sistemi raketor Pancir S1 është blerë në kuadër të një marrëveshjeje të vitit 2019 me Rusinë.

Në vitin 2019, nga Rusia në Serbi kanë arritur edhe dhjetë nga 30 automjetet e blinduara luftarake “BRDM2”. Me këtë marrëveshje për donacion parashihet që nga Rusia në Serbi të arrijnë edhe 30 tanke T-72.

Gjatë kësaj kohe, Serbia ka blerë nga Evropa pesë helikopterë H-145M, të cilët, sipas Vuçiqit, janë paguar nga 11 deri në 13 milionë euro për copë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat