Analistët: Vendimi për targat do të shtyhet?!/ Marrëveshja Kosovë-Serbi do të ndodhë, me njohje a pa njohje?

Politika

Analistët: Vendimi për targat do të shtyhet?!/ Marrëveshja Kosovë-Serbi do të ndodhë, me njohje a pa njohje?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 25 tetor 2022 Në ora: 10:14
Gabriel Escobar dhe Vjosa Osmani

Më 1 nëntor hyn në fuqi zbatimi i reciprocitetit për targa.

Ky është vendimi për të cilin ditë më parë në Kosovë për vizitë ishte i dërguari special për Ballkanin, Gabriel Escobar. Ai kërkoi nga Qeveria që ta shtyjë edhe për 10 muaj vendimin për targat, duke theksuar se kjo është kërkesë edhe e Kuintit.

Afati i fundit për riregjistrim të makinave me regjistrim të kohës së Millosheviçit KM në RKS ka nisur më 1 shtator dhe përfundon më 31 tetor, pasi Qeveria kishte pranuar ta shtynte edhe për dy muaj të tjerë.

Derisa nga Qeveria e Kosovës kanë deklaruar për media se Kosova nuk do të heqë dorë, pasi bëhet fjalë vetëm për sundim të ligjit dhe Kushtetutës.

“Ne i kuptojmë shqetësimet dhe brengat e zëvendës Ndihmës Sekretarit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, dhe të përfaqësuesit amerikan për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar dhe i ndajmë po ato me të, sepse siguria e paqja janë vlera dhe interes jetik e i përbashkët. Njëkohësisht, ne kemi për obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë, vendimet qeveritare. Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën”, është thënë në përgjigjen e Qeverisë.

Kujtojmë, se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur në lidhje me çështjen e targave, duke thënë se kjo është më shumë çështje e sundimit të ligjit.

“Sa i përket një pakice të vogël që nuk i ka konvertuar akoma targat e i shfrytëzojnë ato të kohës së Millosheviqit, kërkesa jonë është të respektohet ligji. Ka pasur afat të mjaftueshëm që ky konvertim të bëhet, për këtë numër të vogël të qytetarëve që nuk e kanë bërë, në përputhje të plotë me atë që e kërkon legjislacioni vendor, por edhe praktikat ndërkombëtare”.

Por, çka do të ndodhë nëse nuk shtyhet edhe një herë zbatimi i vendimit të Qeverisë për targat?

Mehazi: Kurti nuk është politikan popullist të lë mënjanë kërkesat e KUINTIT, BE-së e SHBA-së

Profesori Sulejman Mehazi në një përgjigje për “Bota sot” thotë se nëse këtë ia kërkojnë fuqitë e mëdha, atëherë Kurti nuk ka pse të brengoset.

Image
Sulejman Mehazi

“Nëse shtyrjen e vendimit të targave serbe e kërkojnë aleatët e fuqishëm të Kosovës: BE-ja, SHBA-ja dhe KUINT-i, atëherë Kurti nuk ka pse të brengoset se çfarë do të thonë partitë opozitare për shkak se problemi i dialogut me Serbinë dhe targat nuk është problem parlamentar i partive opozitare, por është problem diplomatik. Nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, doli i suksesshëm gjatë shtyrjes njëmuajshe të dokumenteve personale që pas afatit njëmujor nga tensionet diplomatike të SHBA-ve dhe BE-së Serbia lëshoi pe e jo Kosova, pse edhe këtë herë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mos merrë këshilla dobiprurëse, politike e diplomatike të shteteve të KUINT-it, SHBA-ve për shtyrjen dhjetëmujore të vendimit për targat serbe”, thotë ai.

Sipas tij, kryeministri Albin Kurti e ka topin politik sepse ia hodhi Vuçiqit që lëshoi pe nga tensionet diplomatike të BE-së e SHBA-së.

“Kur shtyrja e vendimit për dokumentet doli e suksesshme për Kosovën, pasi, kryeministri Albin Kurti topin politik të dokumenteve ia hodhi Vuçiqit që lëshoi pe nga tensionet diplomatike të BE-së e SHBA-së, besojmë se dhe shtyrja dhjetëmujore e vendimit të targave, Albin Kurtin, do ta ushqente politikisht e diplomatikisht e do ta dobësonte e varfëronte politikisht, Vuçiqin, sikurse me rastin e letërnjoftimeve serbe. Kryeministri Albin Kurti është i vetëdijshëm se lufta e targave serbe nuk është luftë e LVV-së së tij me partitë opozitare, por luftë diplomatike e Kosovës me Serbinë, luftë e përvetësimeve të aleatëve diplomatik të kryeministrit të Kosovës Kurtit përballë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit”, shprehet ai.

Në fund, Mehazi thotë se Kurti nuk është politikan populist që lë mënjanë kërkesat e KUINT-it, BE-së e SHBA-së të shtyrjes së vendimit të targave.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është politikan populist të lë mënjanë kërkesat e KUINT-it, BE-së e SHBA-së, të shtyrjes së vendimit të targave për shkak të kritikave të partive opozitare, partitë opozitare do ta kritikojnë, Kurtin, në çfarëdolloj veprimesh.

Albin Kurti nuk guxon t'ua kthejë shpinën e të bëhet i padëgjueshëm ndaj SHBA-së, Francës, Gjermanisë e Kuintit për hirë të kritikave të partive opozitare për shtyrjen dhjetëmujore të heqjes së targave serbe”, përfundoi profesori Sulejman Mehazi.

Muhamet Kelmendi: Marrëveshja gjithëpërfshirëse me shtetin serb e Kosovën mendohet të arrihet për disa muaj!

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot” shprehet i bindur se propozimi do të shtyhet dhe këtu janë dy faktorët që do të vendosin, Escobar dhe Kurti, derisa nga ana tjetër thotë se pak ka rëndësi se çfarë thotë opozita.

“Mbështetur në faktin që e shprehi z.Eskobar në Prishtinë dhe në Beograd për marrëveshjen gjithëpërfshirëse me shtetin serb, i cili deklaroi "se në vitin 2023 do të arrihet", e kemi edhe propozimin për shtyrjen e afatit për targa. Dhe, natyrisht se afati do të shtyhet për kohën e propozuar. I kemi dy subjekte vendosëse që kanë propozuar që të shtyhet vendimi për 10 muaj. Këtë kërkesë e bëri z Eskobar dhe z. Kurti. Këtu nuk ka dyshim se edhe kështu do të bëhet. Me siguri se kjo do të pranohet edhe në Beograd. Nuk ka fare rëndësi se çka thotë opozita”, thotë ai.

Sipas tij, edhe pse SHBA-të shprehen se do të ketë marrëveshje me Serbinë brenda javëve dhe muajve, kjo ende nuk dihet.

“Ajo që ka rëndësi të thuhet është fakti se edhe nga SHBA-të është paraqitur afati prej disa "jave a muajve" për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me shtetin serb. A është njohja reciproke e shtetit nuk dihet! Ashtu nuk ka të dhëna edhe për reciprocitet të Kosovës me shtetin serb në çështjen e të drejtave të minoritetit shqiptar në Serbi dhe atij serb në Kosovë. Kjo as që po diskutohet nga UE dhe nga SHBA-të”, shprehet profesori.

Tutje, deklaron se plani gjermano-francez është zgjidhja edhe pse ende nuk njihet në Kosovë.

“Bazë e "zgjidhjes" së çështjes së Kosovës me Serbinë është plani gjermano-francez. Ky plan nuk njihet në Kosovë. Këtë plan e kanë përkrahur edhe SHBA-të.

Mendohet se plani gjermano-francez me ndërmjetësimin e UE-se dhe të SHBA-ve do të realizohet në vitin e ardhshëm. Këtu është edhe shkaku pse u kërkua afati prej 10 muajve që të shtyhet vendimi për targa.

Këtë e kërkoi edhe z.Lajcak. Thjesht: Mendohet se brenda kësaj kohe arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse me shtetin serb. Me njohje a pa njohje!!!?? Nëse nuk ka marrëveshje, shkohet andej, ku faktori ndërkombëtar e realizon vet planin, pa i pyetur palët! Ky është qëllimi i UE-së dhe i SHBA-ve.

Është e domosdoshme që Qeveria t’ia paraqes këtë plan Kuvendit të Kosovës për diskutim. Vendoset për të ardhmen e Republikës dhe prandaj kërkohet që përfaqësuesit e popullit, të mirë a të këqij, të vendosin në Kuvend. Është obligim demokratik. Pa Kuvend nuk ka marrëveshje”, përmbylli Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat