Kërcënimet e Serbisë me luftë ndaj Kosovës!? / Taktikat agresive Serbia do t‘i ndryshojë

Politika

Kërcënimet e Serbisë me luftë ndaj Kosovës!? / Taktikat agresive Serbia do t‘i ndryshojë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 25 tetor 2022 Në ora: 16:42
Pjesëtarë të KFOR-it në Jarinjë në tetor të vitit 2021.

Teksa po afrohet dita kur do të vendoset reciprocitetit i plotë i makinave, të cilat hyjnë nga Serbia në Kosovë, janë shtuar edhe kërcënimet nga ana e Serbisë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha sot se nuk do të ketë më shtyrje të re të afatit për heqjen e targave me shenja të kohës së Millosheviçit, si KM (Kosovska Mitrovica), Pr (Prishtina), pra që ruajnë të plotë emërtimin serb, dhe pa asnjë shenjë e simbol të Republikës së Kosovës.

Sipas vetë kryeministrit Kurti janë rreth 10 mijë vetura me regjistrime të atilla nga serbët, ndërsa sipas mediave vetëm 18 vetura e kanë pranuar ofertën e Qeverisë, që ta bëjnë konvertimin pa paguar taksa.

Pas këtij deklarimi, presidenti i Serbisë është munduar ta fajësojë Kosovën, duke thënë se kisne pas këtij vendimi, ‘kohë të vështira do të vijnë’. Një paralajmërim për reagime të dhunshme serbe.

Qeveria e Kosovës fillimisht e shtyu zbatimin e vendimit për targat nga 31 korrik deri më 31 gusht, dhe më pas e shtyu edhe për dy muaj, deri më 31 tetor.

Por, Stejt Departamenti sot, dhe Kuinti i ka kërkuar ditë më parë, Qeverisë së Kosovës që ta shtyjë zbatimin e vendimit për 10 muaj.

Ndërsa, më parë ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka thënë se Kosova ngulë këmbë që Serbia t’u përmbahet marrëveshjeve që i ka nënshkruar përfshirë atë për lëvizjen e lirë dhe përdorimin e targave të makinave.

Ajo madje kishte deklaruar se kërcënimet për paqen dhe qëndrueshmërinë bëhen nga Beogradi dhe se presidenti serb Aleksandar Vuçiqi ka paralajmëruar destabilitet në fund të muajit kur edhe përfundon periudha kalimtare për zëvendësimin e targave të makinave.

“Serbia është bërë kërcënimi i dytë më i rrezikshëm i Evropës, pas Rusisë”, kishte deklaruar mes tjerash ministrja Gërvalla.

Shala: Interesant veprimi nga ana Presidentit të Serbisë

Image
Drizan Shala

 

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një përgjigje për “Bota sot” mendon se presidenti serb do të tërhiqet nga pozita e të parit të shtetit.

Shala rendit edhe disa arsye pse do të ndodhë kjo dhe si të vazhdohet tutje.

Madje, sipas tij, “vendimin final për marrëveshjen Kosovë-Serbi do t’i mbetet Kryeministres aktuale”.

“Lëvizja nga pozita e drejtorit të BIA-së në krye të MPB-së së Serbisë (të një mbështetësi të tij) është një tregues që serbi (Presidenti Serb) do të dorëhiqet nga pozita e kreut të shtetit.

Arsyet:

Vendimin final për marrëveshje Kosovë-Serbi do t’i mbetet kryeministres aktuale.

Vendimi dhe zbatimi i marrëveshjes për ASK në terren do t’i lihet në dorë ish-drejtorit tani të BIA-s nga pozita e Ministrit të MPB-së si person më i besueshëm i Presidenti Serb (kështu e kontrollon edhe BIA-n por edhe MPB-në, nga pozita e dorëhequr).

Eliminimin politik të politikanit me vendlindje nga Prizreni (Ivica Daçiq) duke e akuzuar pastaj, për tradhti ndaj interesave politike të Serbisë që s’mundi t’i parandalonte veprimet politike të njohjes së Kosovës nga 5 vendet e BE-së.

Largimi nga radari politik të sanksioneve të mundshme të ndërkombëtarëve dhe rikthimi pastaj si një Vuçiq i modernizuar europian.

Pra, 31 tetori 2022 do të shikohet se si do të vepronin ministri i ri i MPB-së së Serbisë në "menaxhimin" e ndonjë situate të tensionuar.

Njësia e Xhandarmërisë së Serbisë janë ekskluzivisht nën-menaxhimin e Ministrit.

Situata: Një person që ka nën kontroll ende BIA-n dhe tani MPB-në, përbënë veprim interesant të kontrollit, menaxhimit dhe veprimit në terren”, përfundoi Shala.

Halimi: Kërcënimi i Serbisë për luftë, do të ballafaqohet edhe me garantuesit e sigurisë se saj, siç është NATO-ja

Image
Armend Halimi

 

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, në një bashkëbisedim për “Bota sot” kërcënimin me luftë nga ana e Serbisë, e quan absurd sepse siç thotë ai, Serbisë i bie të ballafaqohet me NATO-n.

“Gjersa diskutohet për një marrëveshje finale mes dy vendeve, e cila sipas raportimeve është më afër se kurrë, është shumë absurd kërcënimi me luftë nga ana e Serbisë, shtoja kësaj edhe faktin se Serbia në rast të agresionit ndaj Kosovës do të ballafaqohet edhe me garantuesit e sigurisë së saj, siç është NATO-ja.

Megjithëse kërcënimet ushtarake në vendet tjera cilësohet si një lloji diplomacie, e cila bëhet me qëllim imponimi të politikës së njërit vend ndaj tjetrit, prapë edhe ky mjet do të mbetet shumë absurd logjikisht e praktikisht”, thotë ai.

Tutje, thotë se Serbia nuk mund të llogarisë në ndihmë të Rusisë, sepse ajo gjendet para një sfide të rëndë, andaj Serbia do të ndryshojë taktikat ndaj Kosovës.

“Në rrethana tjera, sikur Rusia të kishte primatin e një fuqie, ndoshta nuk ishte përjashtuar mundësia e tentimit të Serbisë në sulm ndaj Kosovës, por duke qenë se Rusia është duke u gjind para një sfide të rëndë për vete, Serbia e di mirë se nuk mund të llogarit në të, andaj edhe taktikat agresive do t'i ndryshojë ndaj vendit tonë, kryesisht në eksportim të grupeve të veta të specializuara të fshehta në drejtim të Kosovës, si dhe rekrutimin e grupeve, të cilat i lidh krimi i organizuar në veri e që nuk iu konvenon stabiliteti, rendi dhe ligji, për të prodhuar situata konfliktuoze në vend”, nënvizon Halimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat