Nuk iu bind ndërkombëtarëve për targat, Serwer për “Bota sot”: Kurti po ushtron sovranitetin e Kosovës

Politika

Nuk iu bind ndërkombëtarëve për targat, Serwer për “Bota sot”: Kurti po ushtron sovranitetin e Kosovës

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 26 tetor 2022 Në ora: 11:48
Daniel Serwer

Përkundër kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shtyrje 10-mujore të vendimit për regjistrimin e targave në RKS, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se afati për regjistrimi i makinave me targa legjitime është data 31 tetor.

Ai ka thënë se tashmë një shtyerje është bërë, kur është zgjatur vendimi deri më 1 shtator. Teksa u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të përkatësisë serbe që ta shfrytëzojnë kohën e mbetur për t’i konvertuar target e tyre, Kurti e pranoi se ka presion edhe nga Beogradi, që po tenton për t’ua pamundësuar qytetarët serbë t’i konvertojnë tabelat në “RKS”.

“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje më 31 korrik. E kemi shtyrë për një muaj dhe në vend se të jetë më 1 tetor është data 1 nëntor, pra data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilat kanë automjete me targa të stërvjetëruara të kohës së Millosheviqit, do të kenë mundësi t’i konvertojnë ato në targa legale”, ka thënë Kurti.

“Fushata vazhdon, përmes mediave, takimeve me të gjithë akterët që targat RKS të shtohen e ato KM të hiqen. Ne bëjmë më të mirën e mundshme duke mos kursyer energjinë. Këto nuk janë masa kundër serbëve, por për serbët. Jemi të interesuar që të gjithë të jemi të barabartë”, ka deklaruar dje Kurti pas hapjes së Samitit të Ballkanit Perëndimor “The Western Balkans Summit 2022”.

Teksa ka komentuar këtë vendim të kreut të ekzekutivit të Kosovës, eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka thënë se Kurti po ushtron sovranitetin e Kosovës.

Por, për gazetën “Bota sot”, Serwer ka thënë se Kurti duhet të jetë i përgatitur për pasojat që e presin pas këtij vendimi.

“Unë nuk e mendoj këtë si "mosbindje". Kryeministri Kurti po ushtron sovranitetin e Kosovës. Shpresoj se ai ka menduar dhe përgatitur për pasojat”, ka thënë Daniel Serwer për “Bota sot”.

I dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaroi javën e kaluar se ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Kurti të shtyhet vendimi për targat. Ai tha se kërkesa ishte e gjithë QUINT-it.

“Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit, dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e SHBA-ve, por e gjithë QUINT-it. Dhe, kjo është për shkak se ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato”, ka thënë Escobar.

Por, ai theksoi se për shtyrjen e këtij vendimi nuk morën zotim nga Osmani e Kurti.

“Jo, nuk e morëm. Prandaj, ende po e pres këtë. E di që do të ketë edhe të tjerë zyrtarë nga QUINT-i që do të vizitojnë, zoti Lajçak do të jetë këtu. Dua të sigurohem që njerëzit që janë të përfshirë në negociata të dëgjojnë një përgjigje pozitive për këtë”, ka thënë Escobar./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat