Finalja me Serbinë/ Për gjithçka, Kosova në koordinim me Amerikën

Politika

Finalja me Serbinë/ Për gjithçka, Kosova në koordinim me Amerikën

Petrit Rudin Nga Petrit Rudin Më 26 tetor 2022 Në ora: 14:07
Gabriel Escobar, Albin Kurti, Aleksandër Vuçiq

Sipas të dërguarit të posaçëm të Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Kosova dhe Serbia janë afër arritjes së një marrëveshje, marrëveshje kjo që është “çështje javësh dhe jo vitesh”.

“Çështja është koha se kur do të ndodhë. Por, ajo që është më e rëndësishme për Kosovën është që të nisë një rrugë më të qëndrueshme drejt integrimit në strukturat euroatlantike, duke përfshirë edhe njohjen nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së”, tha Escobar.

E një marrëveshje të afërt mes dy vendeve, e ka paralajmëruar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se marrëveshja finale me njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë është afër.

“Qytetarëve në Obiliq iu shpreha bindjen time se marrëveshja finale me njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është afër. Marrëveshja i hap Kosovës rrugën drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Qeveria duhet të ketë kujdes në këtë fazë në mbrojtjen e interesave nacionale të Kosovës. Roli im dhe i Aleancës është që ta ndihmojmë këtë proces ku kërkohet unitet politik”, deklaroi Ramush Haradinaj.

Kurse departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se e mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për një marrëveshje finale për targat që mund të arrihet “ditëve në vijim”.

“E mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Kjo është arsyeja pse i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar, ishte në Prishtinë dhe në Beograd për të mbështetur këtë proces. Siç e dini, edhe vetë Sekretari ka qenë thellësisht i angazhuar në këtë. Ai foli me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Kurti në fillim të këtij muaji, më 11 tetor”, tha zëdhënësi i Departamentit, Ned Price.

Marrëveshja finale Kosovë-Serbi gjatë presidencës Biden

E doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, thotë se arritja e marrëveshjes përfundimtare gjatë mandatit të presidentit amerikan, Joe Biden, është synimi i Departamentit të Shtetit.

Image
Gurakuq Kuqi

“Kosova është bërë një lloj tensionmeteri me shumë dokumente jozyrtare. Për momentin i tillë është edhe i ashtuquajturi dokumenti franko-gjerman. Sidoqoftë, një marrëveshje para përfundimit të mandatit të Presidentit Biden, është synim i Departamentit të Shtetit. Ishte SHBA-ja ajo e cila e shtyri përpara dialogun në një fazë të re, atëherë kur BE-ja ishte dorëzuar dhe Serbia ishte në aksion të plotë me ndihmën e Rusisë”, shprehet Kuçi për “Bota sot”.

Siç thotë Kuçi, SHBA-ja po punon për parandalimin e çfarëdo lloj konflikti në Ballkan.

“SHBA-ja po ashtu është shumë e interesuar që të shmangë çfarëdo lloj konflikti në Ballkan, ekskluzivisht në Ballkanin Perëndimor. Një luftë në këtë zonë do e bënte hisedare gjeopolitike Rusinë dhe Kinën edhe përtej Serbisë duke e prekur edhe zonën e NATO-s. Tani në këtë seriozitetin e SHBA-së përfshihet edhe BE-ja, të cilët duke parë kërcënimin gjeopolitik mundohen që ta ndihmojnë SHBA-në në ruajtjen e zonave të sigurisë. Mirëpo, BE-ja nuk e ka një qasje të fortë si SHBA-ja por më shumë një qasje “paqëtimi” gjë që nuk i bënë mirë paqes gjithmonë. “Paqëtimi” i vendeve të Evropës e kishte forcuar Hitlerin në pushtet”, deklaron Kuçi.

“Po ashtu, SHBA-ja nuk është aspak e interesuar që çështja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përfundojë në një konferencë ndërkombëtare e aq më pak të pritet deri në një kohë dhe të futet në pako me paqen ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë. SHBA-ja e ka bërë të qartë që Kosova dhe Serbia duhet të kenë njohje reciproke dhe të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në pajtim me Kushtetutën e Kosovës”, shton Kuçi.

Por si mund të duket marrëveshja finale me Serbinë?

“Mbesin komplet të panjohura shumë pika që mund të përmbajë marrëveshja duke përfshirë reparacionet e luftës, zbardhjen e të pagjeturve, çështja e shqiptarëve që jetojnë në Serbi, gjë që Qeveria duhet të jetë pak më e hapur në këtë drejtim nëse dëshiron që në të ardhmen marrëveshja përfundimtare të jetë më e pranueshme për popullin”, përfundon Kuçi.

Nuk ka marrëveshje pa amerikanët

E analisti dhe publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu, thotë se Kosova duhet të veprojë ashtu siç i thotë Amerika.

Image
Rexhep Shahu

“Unë dua të besoj siç kam besuar gjithmonë në ato që thonë amerikanët për Kosovën se ne jemi të lirë falë amerikanëve dhe amerikanët janë sponsor të lirisë, të pavarësisë e garante të sigurisë e mëvetësisë tonë. Çdo shitje mendsh amerikanëve apo çdo tentativë për të bërë sipas mendjes tonë është aventurë që fatkeqësisht e paguan dhe e ka paguar populli shqiptar gjithmonë. Politikanët tanë që nuk dëgjojnë amerikanët korrin në det e mjelin mjegulla. Mendoj se bota ka ardhë në një kulm krizash e zhvillimesh dhe mendoj se jemi në dorë të Zotit sa ekziston përkrahja e vëmendja amerikane”, thotë Shahu.

Në fillim të shekullit të 20-të, hapësirat shqiptare pjesë e pronave të Perandorisë Osmane, që nuk njiheshin si Shqipëri, por si pjesë të perandorisë osmane, iu dhanë fqinjëve dhe hapësirat shqiptare mbetën cunge. Erdhi një moment në fund të shekullit në vitet 1998-1999, që shqiptarët pohuan se ishin te pazhbëshëm, dhe me iniciativën e amerikanëve fuqitë e mëdha vendosën të korrigjojnë gabimin e tyre në raport me shqiptarët dhe vendosën dhe e bënë ata luftën për Kosovën e pavarur e pa serbë. Shqiptarët ndihmuan me lotë, me gjak e sakrifica, por fuqia ushtarake që e mundi dhe e dëboi Serbinë prej Kosove ishte e Amerikës dhe e fuqive të mëdha”, shpjegon analisti Shahu.

Më tej, ai thotë se në Kosovë ka në vazhdimësi ndikim rus, për çka po sponsorizohet që të punohet kundër Amerikës.

“Pas luftës, armiqtë e Kosovës e të shqiptarëve kundërshtuan e kundërshtojnë përditë pavarësinë e lirinë e Kosovës duke fuqizuar atë që bota euroatlantike e ka më shumë inat, duke synuar ta bëjnë Kosovën islamike e radikale islamike. Këtë sponsorizim kundër Amerikës e Evropës për ta bërë Kosovën islamike radikale e përkrahin disa shqiptarë, por ky është investim rus e serb dhe shqiptarët që hanë paratë e tyre pranojnë ta bëjnë Kosovën islamike kundër vullnetit amerikan e evropian. Kjo vetëm që të arrijnë të pendojnë Amerikën e Evropën pse investuan për lirinë e pavarësinë e Kosovës, për ndreqjen e gabimit të kohës së ndarjes së kufijve”, thekson publicisti Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Sipas Shahut, Albin Kurti duhet të pranojë kërkesat e të dërguarit të posaçëm të Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Shahu deklaroi se nuk ka marrëveshje Kosovë-Serbi pa amerikanët.

“Nuk ka marrëveshje pa amerikanët, nuk duhet të ketë, nuk duhet lejuar as pranuar marrëveshje pa amerikanët dhe gjithkush duhet të jetë i bindur se nuk ka asociacion komunash serbe që e sundon apo e shkatërron një shtet të shqiptarëve në Kosovë, ndaj asnjë frikë nga asociacioni i komunave serbe, pasi shqiptarët e shuajnë e shqiptarizojnë atë asociacion serb në shtetin e tyre shqiptar. Nuk besoj se qeveria aktuale ka fuqinë e vetme të arrijë ndonjë marrëveshje historike, pasi ajo mendon se ka votat, por nuk e ka mbështetjen reale morale të Kosovës”, përfundon analisti dhe publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat