Anëtari i LDK-së në Gjermani: Momenti kur Isa Mustafa iu frikësua Donika Gërvallës se mund të zgjedhej kryetare, e tërhoqi zvarrë, duke …

Politika

Anëtari i LDK-së në Gjermani: Momenti kur Isa Mustafa iu frikësua Donika Gërvallës se mund të zgjedhej kryetare, e tërhoqi zvarrë, duke …

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 26 tetor 2022 Në ora: 18:03
Donika Gërvalla

U përmend ditë më parë, një kthim i mundësh i Listës Guxo në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Madje deputeti i LDK-së, Arben Gashi tha poashtu se edhe shumë deputetë të Vetëvendosjes duan të jenë pjesë e LDK-së. Megjithatë lëvizje të tilla, përveq asaj të deputetes së Listës Guxo, Doarsa Kiҫa Xhelili, nuk ka ndodhur.

Këtë mundësi rikthimi e ka komentuar edhe anëtari i LDK-së në degën e Gjermanisë, Idriz Zeqiraj.

Ai ka përmendur një historik të kësaj partie, që nga periudha pas vdekjes së Presidentit historik, Ibrahim Rugova. Zeqiraj thotë se ‘edhe në gjallje të Presidentit Rugova, karrierizmi i sëmurë është shpërfaqur, herëpashere, dhe dështimi ka qenë i parathënë, i pritshëm, për të mos thënë i turpshëm’.

Image
Idriz Zeqiraj

“ Pas amëshimit të kryezotit Rugovë, lakmia për të qenë i parë është shtuar. Pamëdyshje, zgjedhja e Profesor Fatmir Sejdiut, është parë si zgjidhje e pranueshme dhe e natyrshme. Por, menaxhimi i fitorës u shoqërua me gabime serioze, sepse klani provincial rreth kryetarit, nuk pranoi ndarjen e pushtetit partiak, ngaqë donte ta zotëronte të tërën vetën. Për rrjedhojë, u bë ndarja e paralajmëruar e LDK-së, për fajin e klanit fitues, i cili nuk pranoi asnjë kompriomis të ofruar, për ta shmangur ndarjen. Përjashto pretendentin për kryetar, Nexhat Dacin, i cili amnistoi, shpërfillshëm, ndaj strukturave të LDD-së, vrasësit e e kuadrit ushtarak të luftës dhe veprimtarët e LDK-së, të cilët e bënë paqen dhe luftën. Pra, mirë që nuk fitoi, sepse u koalicionua dhe u bë vegël e forcave të errëta, regresive, fort të inkriminuara. Por, ata që i besuan verbërisht, në radhë të parë, kuadrotë rugovistë të sprovuar, përtej një dekade e gjysmë, kanë qenë dhe mbetën, gjithnjë, luftëtarë të denjë të rugovizmit të njëmendët”, theksoi Zeqiraj.

Zeqiraj ka folur poashtu për udhëheqjen e Isa Mustafës në krye të LDK-së, duke thënë se ai e shkatërroi këtë parti, sikur të ishte me porosi.

“Katapultimi i Profesor Isa Mustafës, në krye të LDK-së, ishte fort i dyshimtë. Klanin e trashëgoi, veçsa e konsolidoi dhe LDK-në e shkatërroi, si me porosi! Bëri ndryshimin e Statutit të LDK-së, kinse, me përshtatje me PPE-në djathtiste të Evropës. Bëri   shpërbërjen e Aktivave; rrënoi sistemin zgjedhor në qendër, për ta shtrirë edhe në bazë, për të gjitha strukturat e partisë; largoi njerëzit me integritet dhe afroi puthadorët e servilët.  Kryetari, tashmë, i dhunshëm, i LDK-së, foli, vendosi e veproi në emër të popullit; të elektoratit; të anëtarësisë të LDK-së; të Këshillit të Përgjithshëm; të Grupit të deputetëve; të Kryesisë. Por, asnjëren nga këto emërtesa e struktura nuk i pyeti dhe as nuk i përfilli, duke e sjellur LDK-në në kuotën 11 %, jo më shumë, sepse pjesë e shifrës 12,5 % ishte edhe Pacoll dallaverja”, vlerëson ai.

Tutje, anëtari i Degës të LDK-së, në Gjermani, thotë se përpjekjen e parë për të ndaluar Mustafën e bëri Donika Gërvalla.

“Përpjekja e parë për ta stopuar kryetarin Isa Mustafa, me klanin e tij, e bëri qendresëtarja Donikë Gervalla, kryetare e Degës të LDK-së në Gjermani. 9 delegatët e Kuvendit të 8-të të LDK-së, ishin në udhëtim me avion ose makina, kur selretari i partisë, nga Prishtina, kërkoi dokumente shtesë, për mbajtjen e Kuvendeve në Nëndegët dhe Degën e LDK-së, në Gjermani! Të njëjtën kërkesë bëri edhe për Zvicrën, edhe pse dosjet komplete zgjedhore ishin dërguar me kohë. Dhe, me "arsyetimin" si njëra nga Nëndegët nuk ka bërë zgjedhje të rregullta, dera e Kuvendit Qendror u mbyllë, për delegatët e Gjermanisë dhe të Zvicrës. Në këtë rast, Dega e Zvicrës ishte "kurban" i Degës së Gjermanisë”, thotë ai.

Sipas tij, qëllimi ishte lënia jashtë sallës të Kuvendit Zgjedhor të kryetarës Donikë Gërvalla. Dhe, kjo për dy arsye.

“Frika nga konkurimi i Donikë Gërvallës, për kryetare të LDK-së; Nuk do të lejohej votimi i turpshëm, fiktiv, i rrejshëm e kriminal, siç është votimi aklamativ, i hapur, me ngritje të dorës. Pra, delegatët e mërgatës donin, gjithësesi, votim të fshehtë, gjë që vota largonte kryetarin dhe klanin e tij nga udhheqja e parties”, thotë Zeqiraj.

Sipas tij, nga 9 delegatët nga Gjermania, 6 prej tyre i kishin të vrarë politikë: babë, vëlla, nipa, pikërisht në shërbim të Luftës së Kosovës, të LDK-së dhe të Presidentit Rugova. Ndërkohë, ishin të vetmet këto dy Degë të LDK-së, në Mërgatë dhe Kosovë, që kishin bërë zgjedhje të rregullta rugoviste, me votë të fshehtë dhe, thellësisht, demokratike.

“Për hirë të LDK-së, kryetarja Donikë Gërvalla, e tejkaloi provokimin e rëndë të klanit Mustafa. Por, ajo nuk pushoi së kërkuari vendosjen e votës së fshehtë, për të gjitha strukturat partiake. Pas Kuvendit të 8-të, mbahej Konventa e partisë, në Prishtinë. Donikë Gërvallës i ishte dorëzuar materiali shkrimor, për Konventën. Por, në hyrjen e sallës badiguardët e klanistëve, me porosi të shefave të tyre, e tërhoqën zvarrë, duke e zhveshur deri në b…. dhe, dhunshëm, e larguan nga objekti ku mbahej Konventa farsë. Anëtarët e KP të LDK-së, si skllevër të shekullit digjital, për mision kishin durtrokitjen frenetike për kryetarin, i cili kalaveshohej me kompetenca tej mbretërore! Pisllëqet e tilla, plus koalicionet e përsëritura me partitë-banda të PAN-it, ngjallën irritim e zemratë  të anëtarësisë dhe të elektoratit. Dhe, mori ndëshkimin supër-meritor, me 14 shkurt 2021”, vlerëson ai.

Ai thotë tutje se, kjo parantezë lë të shërbejë, për ta kuptuar se klani Mustafa, e zhveshi LDK-në nga të gjitha normat rugoviane.

“Me metoda tipike moniste, anashkaloi e largoi mijëra anëtarë të devotshëm, të përkushtuar dhe të sprovuar, në mbrojtje të demokracisë të mirëfilltë. Për një dekadë radhazi, u rrahën, u maltretuan, u përgjakën, deri në vrasje. Prandaj, janë ballhapur dhe të mirëpritur, të kthehen në shtëpinë e parë, në LDK-në rugoviane”, tha Zeqiraj për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat