Serbia synon Rusinë, askush nuk mund ta ndajë nga Moska / Serbia mbetet me mentalitet mesjetar

Politika

Serbia synon Rusinë, askush nuk mund ta ndajë nga Moska / Serbia mbetet me mentalitet mesjetar

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 27 tetor 2022 Në ora: 16:02
Aleksander Vuçiq dhe Aleksander Vulin

Kosova më 1 nëntor vendos reciprocitetin e targave për makina.

Nga ana tjetër Serbia është ajo që vazhdimit e kërcënon Kosovën, dhe së fundi kanë thënë se nuk do të pranojnë serbët në veri ta zbatojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për eliminimin e targave të regjimit të Millosheviçit.

BE-ja ka bërë thirrje për shmangie të tensioneve në veri.

“Duhet të shmanget përshkallëzimi i tensioneve dhe potencialisht, dhuna në veri të Kosovës. Kjo është e një rëndësie të veçantë në kontekstin aktual gjeo-politik, në funksion të ruajtjes së stabilitetit në rajon”, u shpreh Stano.

Kurse, ambasada amerikane në Kosovë, ka thënë se shohin vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat RKS si në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë të BE-së e shohin vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat RKS si në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe ne nuk kemi asnjë kundërshtim për të në parim”, thuhet në njoftimin e tyre.

Së fundi, është formuar qeveria serbe, e cila nuk përbën ndonjë ndryshim nga emrat që kishte edhe më parë, vetëm se dikasteret u janë ndërruar, por risia është se figura më radikale proruse në pushtet që ishte, Aleksandër Vulin, është emëruar në krye të shërbimit inteligjent serb, BIA.

Lideri i socialistëve, Ivica Daçiq, do të jetë ministër i Punëve të Jashtme. Branisllav Gashiq, ish-drejtori i Agjencisë së Sigurisë së Informacionit (BIA) do të jetë ministri i ri i Punëve të Brendshme të Serbisë.

A janë lëvizjet e tilla një skenar edhe më i rrezikshëm për paqen në Kosovë dhe Ballkan?

Analistë vlerësojnë se pavarësisht këtyre lëvizjeve, Serbia në esencë mbetet e njëjta, me njerëzit e njëjtë, me mentalitet mesjetar.

Kelmendi: Beogradi mbetet rrezik permanent për Ballkan

Profesori Muhamet Kelmendi në një përgjigje për “Bota sot” thotë se gjendja aktuale është alarmante.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas tij, edhe ndërtimi i qeverisë në Serbi, të emëruarit u përcaktuan ata që janë thjeshtë nacional-shoviniste serbo-mëdhenjë dhe që kanë marrëdhënie të mira me Rusinë.

Gjendja aktuale dhe jo vetëm në Serbi është alarmante. Kurrë Serbia nuk është ndarë nga Rusia. Kjo nuk pritet as tash dhe as në të ardhmen. Janë thjeshtë marrëdhënie shekullore në mes sllavëve, që bëjnë ndërlidhje të fortë, qoftë edhe të karakterit nacionalo-fashist.

Tash u ndërtua një Qeveri e re në Serbi. Të emëruarit u përcaktuan ata që janë thjeshtë nacional-shovinistë serbo-mëdhenj dhe që kanë marrëdhënie të mira me Rusinë. U caktuan kriminelët në punë të rëndësishme në qeveri. Ministër i jashtëm u caktua neokrimineli i kalibrit gorillë Ivica Daçiç. Shefi i deritashëm i BIA-së, Gashiq, u caktua Ministër i Brendshëm. Ndërsa, shef i BIA-së u vendos spiuni rus në Serbi, Aleksandër Vulin, ish-ambasadori serb në Moskë.

As anëtarët tjerë në Qeveri të Serbisë nuk janë më të mirë. Nuk ka asnjë figurë domethënëse demokratike në pushtet.

Zaten, edhe nuk priten anëtarë tjerë, kur vetë kryetari i shtetit, Aleksandër Vuçiq, është kriminel i luftës në ish-Jugosllavi”, thotë profesori.

Ai thotë se me këtë qeveri u përcaktua qartë se politika e Beogradit synon Rusinë dhe nuk ndahet nga ajo.

E tërë qeveria ka kësi përcaktimi politik e ultra nacional-shovinistë ndaj të tjerëve në Ballkan, sidomos ndaj kroatëve, boshnjakëve, myslimanëve, me theks të veçantë ndaj popullit shqiptar.

Me këtë qeveri u përcaktua edhe më qartë politika e Beogradit. U pa se Serbia synon Rusinë dhe askush nuk mund ta ndajë nga Moska.

Serbia mbetet shkaktarja edhe më tej e gjendjes së rëndë në Ballkan. Nga ultra shovinistët serbë nuk priten veprime demokratike dhe liridashëse”, përmbylli ai.

Duhanaj: Njerëz me mentalitet të tillë mesjetar, nuk meritojnë të kenë vend në politikë në shekullin 21

Analisti Leon Duhanaj, thotë se sa i përket politikanëve të Serbisë, nuk ka aspak gatishmëri për reflektim, duke shtuar se ata kanë pozicion agresiv dhe kërcënues ndaj Kosovës.

Image
Leon Duhanaj

“Kur kemi të bëjmë me politikanët e Serbisë, duhet theksuar se me përjashtime minimale qoftë në rrethin e politikës, qoftë në rrethin e shoqërisë civile pak, për t'mos thënë aspak ka gatishmëri për reflektim.

Kjo ndodhë në masë të madhe sepse ata akoma kanë pozicion agresiv dhe kërcënues ndaj Kosovës dhe tjetra sepse edhe po të kishte bindje ndryshe, momentalisht e kanë të vështirë të dalin publikisht, bazuar në klimën e cila mbretëron në raport me Kosovën”, thekson ai.

Sipas tij, ata të cilët kanë marrë pozita kyçe në Qeveri, nuk meritojnë të kenë vend në politikën e këtij shekulli, sepse ata kanë mentalitet mesjetar.

Andaj, analisti bën thirrje që Kosova ta vazhdojë rrugëtimin e saj, të fokusohet në punët e shtetit.

“Kur flasim për personat në fjalë, vërtetë janë fatkeqësi e kohës, sepse njerëz me mentalitet të tillë mesjetar, nuk meritojnë të kenë vend në politikë në shekullin e 21-të. Megjithatë, ata nuk na takojnë neve, sepse tashmë jemi shkëputur prej tyre. Secili që do të ishte në vend të tyre, do ta bënte punën e njëjtë në raport me Kosovën.

Duhet të ndryshojë qasja kolektive në Serbi.

Kosova dhe shqiptarët, duhet të fokusohen në rrugëtimin e tyre”, përfundoi Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat