Biserko “godet” Beogradin për targat: Kam frikë se po i vonon marrëveshjet me Kosovën për këtë arsye!

Politika

Biserko “godet” Beogradin për targat: Kam frikë se po i vonon marrëveshjet me Kosovën për këtë arsye!

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 27 tetor 2022 Në ora: 17:59
Sonja Biserko

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka folur për vendimin e fundit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, për mos shtyerjen e afatit për regjistrimin e targave në RKS.

Ajo për gazetën “Bota sot”, ka fajësuar Beogradin, duke thënë se po vonon sistematikisht zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën, duke pritur ndryshimin e administratës në Shtëpinë e Bardhë.

“Marrëveshja për targat është nënshkruar në vitin 2011. Kanë kaluar njëmbëdhjetë vjet. Kam frikë se Beogradi po vonon sistematikisht disa marrëveshje duke pritur ndryshime në Shtëpinë e Bardhë dhe duke shpresuar kështu që konteksti për Serbinë të ndryshojë”, është shprehur Biserko për “Bota sot”.

Kryeministri Kurti dje ka paralajmëruar se nuk do të ketë shtyerje tjetër për vendimin lidhur me target, meqë një shtyerje është bërë, kur është zgjatur vendimi deri më 1 shtator.

Ai edhe sot u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të përkatësisë serbe që ta shfrytëzojnë kohën e mbetur për t’i konvertuar target e tyre.

“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje më 31 korrik. E kemi shtyrë për një muaj dhe në vend se të jetë më 1 tetor është data 1 nëntor, pra data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilat kanë automjete me targa të stërvjetëruara të kohës së Millosheviqit, do të kenë mundësi t’i konvertojnë ato në targa legale”, ka thënë Kurti.

Ndërkohë, Lista serbe, përmes Goran Rakiqit ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës, nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe. “Nëse Prishtina fillon me dhunë, me ndonjë veprim lidhur me konfiskimin e automjeteve, ne do të bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu drejt Kosovës qendrore”, ka thënë Rakiq në një konferencë për media në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Edhe Vuçiq ka paralajmëruar se serbët në Kosovë nuk do të heqin dorë nga targat KM (Mitrovicë e Kosovës), duke paralajmëruar "rezistencë" nëse pas 31 tetorit, Kosova konfiskon targat dhe makinat.

"Nuk ka dorëzim. KM mbetet", ka thënë ai pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe - partisë kryesore të serbëve në Kosovë - në Beograd më 27 tetor.

Për këtë çështje, sot ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, i cili edhe një herë ka përsëritur thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë që në ditët në vijim të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të çojnë deri te përshkallëzimi i situates.

Zëdhënës i BE-së për çështje të jashtme dhe të sigurisë Peter Stano, ka thënë se blloku evropian me partnerët po vazhdon intensivisht punën për të gjetur një zgjidhje për çështjen e targave.

“Disa herë në të kaluarën kemi thënë se është me rëndësi të jashtëzakonshme që të parandalohet çfarëdo tensionimi, i cili mund të çojë deri te përshkallëzimi i situatës. Ajo për të cilën më së paku kanë nevojë Serbia e Kosova në këtë moment është të ketë më shumë tensione. Ato kanë nevojë për më shumë progres në mënyrë që ta çojnë dialogun përpara. Siç kemi thënë, [ato] duhet të punojnë drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse në dialog për normalizimin e raporteve. Ne po punojmë me partnerët tanë, jo vetëm ne si BE, por edhe partnerët tjerë, si dhe me autoritetet e Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të parandalohet çfarëdo shkëndije e përshkallëzimit të situatës”, ka thënë Stano më 27 tetor.

Qeveria e Kosovës ka thënë se afati për riregjistrimin e makinave, përkatësisht konvertimit të targave serbe në ato RKS - Republika e Kosovës, do të përmbyllet më 31 tetor./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat