U paralajmërua marrëveshja finale me Serbinë/ A do të ketë kompromise nga Presidenca dhe Qeveria e Kosovës?

Politika

U paralajmërua marrëveshja finale me Serbinë/ A do të ketë kompromise nga Presidenca dhe Qeveria e Kosovës?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 28 tetor 2022 Në ora: 08:06
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti në takim me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Çështjet e ngritura në dialogun në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë po mbeten ende të pazgjidhura, pasi Serbia refuzon ta njohë realitetin politik.

Serbia, e pabindur ndaj vlerave evropiane, e mbështetur nga Rusia, në vazhdimësi përpiqet të krijojë konflikt në veri, dhe që ajo të paraqitet qoftë si faktor detabiliteti, apo si fuqi që e lejon stabilitetin në atë pjesë të Kosovës.

Mirëpo, gjatë këtyre ditëve tërhoqën vëmendjen lidhur me këtë temë disa reagime si nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

DASH-i deklaroi se e mbështetë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për një marrëveshje finale që mund të arrihet “ditëve në vijim”.

Në një adresim për mediat, zëdhënësi i Departamentit, Ned Price, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë konsistente dhe përkrahëse për dy vendet. Ai shtoi se e përkrahin edhe Bashkimin Evropian si ndërmjetësues në dialog.

“E mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Kjo është arsyeja pse i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar, ishte në Prishtinë dhe në Beograd për të mbështetur këtë proces. Siç e dini, edhe vetë Sekretari ka qenë thellësisht i angazhuar në këtë. Ai foli me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Kurti në fillim të këtij muaji, më 11 tetor”, tha Price, duke theksuar se sekretari i Shtetit, Anthony Blinken, ka kërkuar angazhim të vazhdueshëm dhe konstruktiv për të siguruar paqe dhe stabilitet në rajon”, shtoi ai.

Por, ajo që po ngjallë më shumë reagime është nëse kjo marrëveshje do ta ketë modelin franko-gjerman i dalur në media apo do të përfundojë më ndryshe?

Modeli i dalur në media është konsideruar sikurse marrëveshja e 2015-ës e hedhur poshtë me 23 nene në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Zgjidhja sipas një modeli të dy gjermanive, po ashtu po konsiderohet negativ dhe tërësisht i papranueshëm.

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka paralajmëruar “një zgjidhje që mund të përfshijë edhe kompromise”.

“Vazhdimisht e inkurajoj Qeverinë e Kosovës që ta marrë seriozisht dialogun, të angazhohet me ndershmëri dhe të mendojë për zgjidhje që mund të përfshijnë edhe kompromis, por në fund të fundit njohja e pavarësisë dhe integrimi janë çelësi”, ka deklaruar dje ai për Zërin e Amerikës.

A mund të ndodhë që të bëjnë kompromise Presidenca dhe Qeveria?

Kuçi: Qeveria duhet të jetë më e hapur në këtë çështje për publikun

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi i çështjeve politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuq Kuçi.

Image
Gurakuq Kuqi

Ai u shpreh se ShBA-ja nuk dëshiron luftë në Ballkan dhe po arrin të shtyjë sa më shumë përfundimin e procesit të paqes dhe njohjes mes Kosovës dhe Serbisë.

“SHBA-ja është duke i dhënë një shtysë të madhe përfundimit të procesit të paqes dhe njohjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. SHBA-ja nuk dëshiron që të ketë një luftë në Ballkan, e aq më pak në Ballkanin Perëndimor pasi do i cenohej që pjesë e kësaj zone gjeopolitike të NATO-s të bëhej edhe Kina dhe Rusia, por dëshiron që këto të dyja t’i mbajë vetëm brenda Serbisë”, u shpreh ai.

“SHBA-ja deri më tani dy gjëra i ka bërë të qarta, që duhet të ketë një njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e dyta që Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të krijohet në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Dokumentet jo-zyrtare që dalin më shumë janë provokime nga qarqe të ndryshme se sa dokumente që duhet të merren seriozisht, pra janë një lloj tensiometri”, shpjegon tutje Kuçi.

Ndër të tjera, ai thekson që Qeveria e Kosovës duhet të jetë pak më e hapur në këtë çështje për publikun nëse dëshiron që të ketë një pranim të një marrëveshje në fund.

“Mirëpo, mbeten komplet të paqarta çështje si ato nga ish-Jugosllavia, reparacionet e luftës, çështja e të zhdukurve, etj. Qeveria e Kosovës duhet të jetë pak më e hapur në këtë çështje për publikun nëse dëshiron që të ketë një pranim të një marrëveshje në fund. Po ashtu, nuk është që po shihet që Qeveria e Kosovës është duke kërkuar ndihmë nga shkencëtarët dhe njohësit e fushës së politikës, diplomacisë, marrëdhënieve ndërkombëtare, ekonomisë, etj., për të bërë më të mirën për Kosovën”, nënvizoi Kuçi për gazetën “Bota sot”.

Zogaj: Gabimet kanë qenë fatale që në nismën e dialogut me Serbinë

Ndërsa, analisti politik, Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që dialogu Kosovë-Serbi ka filluar me gabime fatale dhe se të njëjtat po ndikojnë në ditët e sotme, ani pse e kemi pasur përkrahjen e SHBA-ve.

Image
Skender Zogaj

“Bashkësia ndërkombëtare është në hall me çështjen e Kosovës, sepse problemi i luftës dhe konflikti ushtarak po del se ka qenë më i lehtë se sa zgjidhja e problemeve të pasluftës, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë! Jam i bindur se faji qëndron tek faktori politik dhe shtetëror i Kosovës, me iniciativa tekanjoze e të papërgjegjshme në kuptimin strategjik e historik të zgjidhjes së statusit të Kosovës, që është dashur të gëzojë konsideratën jetike të vet angazhimit për gjetjen e zgjidhjes që në 10-vjetshin e parë të pasluftës. Kjo nuk ka ndodhur dhe tash po i vuajmë pasojat. Për bindjen time të thellë, gabimet kanë qenë fatale që në nismën e dialogut me Serbinë, që Kosova e mori me humor, sepse, që në start i deklaroi bisedimet politike si "bisedime teknike" prandaj jemi teknikisht duke u luhatur në kolovajzë”, thotë ai.

Zogaj më tej thotë se DASH-i tashmë e ka vënë temën e Kosovës dhe Serbisë në rend të parë dhe duan ta zgjidhin.

“Shtetet e Bashkuara na kanë ndjekur me vëmendje dhe na kanë përkrahur si fëmijën e llastuar, dhe kanë pritur e pritur duke shpresuar se nuk jemi kaq nopran, por tash po e shohin dhe, po shpresoj se, e heqin karotën dhe e përdorin shkopin, një herë Serbisë e dy herë Kosovës! Këtë duhet ta bëjnë dhe, si të këtillë e kuptojë gjithë angazhimin konkret që po ndodhë, përmes zyrtarëve më të lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, që aktualisht çështjen Kosovë-Serbi e kanë vënë në rend të ditës dhe po duan ta zgjidhin”, potencon analisti.

Në bisedë e sipër Zogaj thotë që Kosova duhet të jetë e palëkundur për tu prekur kufijtë e saj dhe se asnjë marrëveshje nuk duhet pranuar pa u siguruar që SHBA-të të jenë garantuesit!

“Deklarata me insistim për "marrëveshje finale" është lajm i bukur! Lajm që Kosova duhet të gëzohet dhe duhet ta analizojë me kujdes dhe në bashkëveprim me faktorin ndërkombëtar e assesi njëanshëm, assesi me turr, assesi me emocione patetike, por me qëndrim e pjekuri politike, diplomatike dhe arsye historike, ku e "mundshmja" është kriteri për "fitim maksimal" dhe "humbje sa më minimale!” Qëndrimi i Kosovës duhet të jetë "sovraniteti tokësor i Kosovës në kufijtë e pranuar të shtetit të shpallur të pavarur që është i pranuar edhe ndërkombëtarisht!" Kjo dhe asgjë tjetër! Ujërat ecin e rëra mbetet! Presidenca dhe Qeveria duhet të kenë modelin e tyre të ofertës ndaj çfarëdo modeli tjetër të jashtëm. Asnjë marrëveshje nuk duhet pranuar pa siguruar që SHBA-të të jenë garantuesit! Dhe kur kjo sigurohet, gjithçka është në rregull! Të gjitha modelet duhet të jenë "Made in USA””, përfundoi analisti Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat