“I dërguari i Bidenit demantoi Vuçiqin dhe Haxhiun”, profesori ndërkombëtar: Jo targat, ky është qëllimi kryesor i Escobarit

Politika

“I dërguari i Bidenit demantoi Vuçiqin dhe Haxhiun”, profesori ndërkombëtar: Jo targat, ky është qëllimi kryesor i Escobarit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 28 tetor 2022 Në ora: 11:48
Gabriel Escobar dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka deklaruar se nuk do të ketë shtyrje të vendimit për regjistrimin e targave në RKS, dhe se afati për targa legjitime është data 31 tetor.

Kurti vendimin e mori përkundër kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që afati të shtyhet edhe për 10 muaj.

Por, Kurti ka thënë se tashmë një shtyerje është bërë, kur është zgjatur vendimi deri më 1 shtator, duke iu bërë thirrje të gjithë qytetarëve të përkatësisë serbe që ta shfrytëzojnë kohën e mbetur për t’i konvertuar targat e tyre.

Image
Enver Bytyçi

Sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi, emisari special amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, i kërkoi Kurtit shtyerje të vendimit, pasi BE-ja dhe SHBA-ja janë të alarmuara se me këtë vendim mund të fillojë një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pas katër ditësh skadon afati i përcaktuar nga qeveria e Kosovës për ndërrimin e targave të kohës së Milosheviçit nga ana e komunitetit serb në Kosovë. Sipas vendimit të kësaj qeverie dhe ligjit, pas datës 1 nëntor nuk do të lejohen serbët qytetarë të Kosovës të udhëtojnë me automjete me këto targa. Evropa dhe Amerika duket sikur janë alarmuar për këtë vendim, pasi siç thonë ata, mund të fillojë ndonjë konflikt midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë ose midis Kosovës dhe Serbisë. Për këtë arsye i ngarkuari i Presidentit Biden për Ballkanin, Gabriel Escobar, i kërkoi para pak ditësh kryeministrit Kurti që ta shtyjë zbatimin e këtij vendimi për dhjetë muaj të tjerë”, ka thënë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Analisti ka potencuar se Escobar ka dematuar rrenën e Serbisë, se marrëveshja gjithpërfshirëse me Kosovën, do të arrihet brenda javësh. Sipas tij, Escobar me kërkesën ndaj Kurtit, pati qëllim që të njoftonte publikun se Aleksandar Vuçiq dhe Baton Haxhiu gënjejnë, dhe se nuk ishte qëllimi shtyerja e afatit për targat.

“Kjo ndodhi në një kohë kur propaganda serbe fliste për një projekt të imponuar franko-gjerman që për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të arrihej brenda disa javësh. Escobar e demantoi këtë rrenë serbe, kur kërkoi që vendimi të shtyhet për dhjetë muaj. Sepse kjo do të thoshte se nuk ka projekt franko-gjerman që insiston në një marrëveshje kaq të shpejtë. Unë mendoj se Escobar me këtë kërkesë nuk pati si qëllim që kryeministri Kurti të pranonte shtyrjen me dhjetë muaj apo disa muaj të zbatimit të vendimit. Qëllimi i kërkesës së tij ishte që të njoftonte publikun se "Nuk ka një marrëveshje aq të shpejtë midis Kosovës dhe Serbisë"! Pra të thoshte se Vuçiq dhe Baton Haxhiu gënjejnë, janë gënjeshtarë! Arsyen pse ata gënjejnë e dinë vetë”, është shprehur më tej ai.

Se zbatimi i ligjit është detyrim i shtetit të Kosovës, e ka thënë edhe presidentja Vjosa Osmani. Sipas profesorit, me këtë po tregohet se presidentja dhe kryeministri janë në harmoni të plotë për këtë vendim.

“Ndërkohë edhe në BE kërkuan që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet. Këtë e tha zëdhënësi i Komisionit Europian. Janë dhënë lajme se edhe kominioneri për Siguri e Politikë të Jashtme, zoti Borrell, e ka kërkuar këtë gjë në një telefonatë me zotin Kurti. Por kryeministri i Kosovës ka deklaruar së fundmi se nuk do të shtyhet ky vendim. Edhe presidentja Osmani tha se zbatimi i ligjit është detyrim i shtetit të Kosovës dhe në këtë çështje nuk ka dilemë. Kjo do të thotë se kryeministri dhe presidentja veprojnë në harmoni të plotë midis tyre. Ndërkohë që ata janë të vendosur e të angazhuar për të vënë kontrollin e institucioneve të shtetit dhe sovranitetin e tyre në të gjithë territorin”, ka thënë Enver Bytyçi.

Ai ka theksuar se alarmi i Beogradit ka për qëllim tensionimin e situatës në veri të Kosovës.

“Alarmi i Beogradit është fals. Është një aksion politik i radhës i presidentit serb me qëllim tensionimin e situatës. Këtë e dëshmojnë gjithashtu qytetarët serbë në veriun e Kosovës, të cilët thonë vazhdimisht se ata janë për rend e rregull, por është politika ajo që nuk ua lejon respektimin e ligjit, rendit dhe rregullit shtetëror në Kosovë”.

Bytyçi vlerëson se Kurti me vendimin për mos shtyrje të afatit për targa, po respekton ligjin dhe rregullin e brendshëm të Kosovës.

“Zoti Kurti duke mos pranuar kërkesën e zotit Escobar, ose të zotit Borrell për shtyerjen e afatit të ndryshimit të targave nga ana e serbëve në Kosovës, sidomos atyre të veriut, po respekton ligjin dhe rreguulin e brendshëm të shtetit të Kosovës. Unë besoj se asgjë nuk prevalon mbi këtë mision dhe qëllim. As konjuktura e presioneve serbe për konflikt me Kosovën nuk mund ta bllokojë zbatimin e ligjit”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse qeveria do ta shtyente për herë të tretë vendimin për këtë çështje, do të dëshmonte ngjashmëri me qeveritë e kaluara. Ai vlerëson se miku duhet të respektohet si mik dhe jo zot shtëpie.

“Ndërkohë qeveria e Kosovës e shtyu dy herë zbatimin e këtij vendimi. Nëse do ta shtynte përsëri, atëherë ajo do të dëshmonte se i ngjan qeverive të mëparshme. Duhet të jesh i korruptuar dhe i zënë peng që të veprosh gjithnjë e në dëm të interesave të vendit tënd, sa herë e kërkojnë miqtë. Shqiptarët janë ata që respektojnë kultin e mikut më shumë e më mirë se kushdo në botë. Por, në traditën shqiptare miku duhet të respektohet si mik. Sipas kësaj tradite, nëse miku kërkon të bëhet zot në shtëpinë e shqiptarit, atëherë ai nuk konsiderohet më mik! Pikërisht për shkak të kësaj tradite nuk do të duhej pranuar asnjë kërkesë e tepruar për të bërë lëshime ndaj partnerit të llastuar të Perëndimit, i cili e ka emrin Aleksandër Vuçiq! Në filozofi thuhet se çdo gjë ka masë, ka limite. Nëse nuk respektohet masa, atëherë prishet cilësia. Nëse prishet cilësia, atëhere prishet ekuilibri dhe harmonia. Prandaj, besoj se zoti Escobar nuk kishte si qëllim shtyrjen e afatit të ndërrimit të targave, por demantimin e propagandës serbe se "Në pak javë do të duhet të arrihet një marrëveshje me Kosovën"!”, ka përfunduar Enver Bytyçi për “Bota sot”./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat