“SHIK-u i “Rognerit”, nuk duroi dhe nuk e përpiu dot suksesin e tij”/ 20 vjet nga vrasja e Ukë Bytyçit, besnikut të Rugovës dhe idealeve të lirisë

Politika

“SHIK-u i “Rognerit”, nuk duroi dhe nuk e përpiu dot suksesin e tij”/ 20 vjet nga vrasja e Ukë Bytyçit, besnikut të Rugovës dhe idealeve të lirisë

M.Lakna Nga M.Lakna Më 28 tetor 2022 Në ora: 16:25
Ukë Bytyçi dhe Ibrahim Rugova

Të enjten janë mbushur plot njëzet vite nga vrasja e veprimtarit të shquar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish kryetarit të Komunës së Suharekës, Ukë Bytyçi.

20 vite më parë, në Leshan të Suharekës, u vra një ndër intelektualët më të çmuar të Kosovës.

Ngjarja që ndodhi në 27 tetorin e vitit 2002, do të trondiste gjithë Kosovën.

Vrasja e Ukë Bytyçit kishte ndodhur në mes të ditës dhe në mesin e gjithë qytetarëve të Suharekës, në kohën kur po festonte LDK-ja fitoren e pushtetit lokal.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot” publicisti Fatmir Bajraj ka thënë se Ukë Bytyçin e vranë ngase s'mund ta mundnin ndryshe, e vranë kur kuptuan se autoriteti dhe respekti i tij ndër qytetarët ishte i pa arritshëm.

Image
Fatmir Bajraj

U vra Uka, besniku i Rugovës dhe i idealeve të lirisë !

E vranë, ngase s'mund ta mundnin ndryshe, e vranë kur kuptuan se autoriteti dhe respekti i tij ndër qytetarët ishte i pa arritshëm, se vepra e tij ishte e pakrahasueshme, dhe e gjithë kjo përkthehej në besim e mbështetje qytetare, fakt ky që vriste ëndrrën e tyre për pushtet !

20 vite më parë, një ditë pas fitores brilante të zgjedhjeve vendore të LDK-së në Suharekë, dhe përsëritjes së suksesit të Kryetarit të saj, z. Ukë Bytyçi, në festën e fitores në Leshan të Suharekës ; në pabesi, pa hak dhe mizorisht vritet Kryetari Ukë Bytyçi dhe dy shoqëruesit e Tij, nga fallangat e krimit të orkestruara nga ish "Drejtoria Politike" e "SHP" të UÇK-së, të konvertauara në parti politike dhe si "Krahu i Luftës"!”, ka thënë Bajraj.

Sipas tij, atentati i mirë-organizuar kundër Kryetarit Ukë Bytyçit me një skenar perfekt, ishte hakmarrje ndaj vullnetit të Sovranit i cili edhe një herë bindshëm dhe fuqishëm i dha votën dhe besimin LDK-së në Suharekë dhe Kryetarit të saj, z.Ukë Bytyçi!

“Akti mizor & makabër, shpërfaqë katërçipërisht thyerjen dhe zhgënjimin e bandave kriminale të "Krahut të Luftës" të cilat me çdo çmim synonin pushtetin absolut në Kosovën e çliruar, e cila mëtonte demokratizimin e shoqërisë dhe progresin e vendit drejt vlerave euro-perëndimore dhe veri-atlantike.

Ukë Bytyçi, ishte personalitet dhe figurë poliedrike & shumë dimensionale ; njeri me intelekt të spikatur, guxim të pashoq dhe qëndrim të qëndrueshëm dhe konsistent, si në fushën e politikës, po ashtu edhe në atë luftës dhe rezistencës me armë kundër pushtuesit shekullor, serbo-sllav”, është shprehur ai.

Në aspiratën dhe kauzën e shenjtë të popullit shqiptarë të Dardanisë Antike-Kosovës, për liri dhe të drejta kombëtare, Bajraj tregon se Ukë Bytyçi shquhet në të gjitha etapat kruciale dhe në përballje me armikun shekullor serbo-sllav, që nga kundërshtimi në ish KSAK i rrënimit të autonomisë së Kosovës, e deri të rezistenca e armatosur duke qenë ushtar dhe komandant i UÇK-së në Suharekë dhe në Zonën e Pashtrikut.

Si rrallë kush tjetër, Heroi Ukë Bytyçi, sfidoi armikun tonë shekullor, serbo-sllav duke qenë pjesë strukturore & organike e lëvizjes sonë nacionale për liri & pavarësi dhe në të dyja krahët e lëvizjes; aktive paqësore dhe atë të rezistencës së armatosur.

Madje, si institucioanlist i mirëfilltë dhe demokrat me bindje, Ukë Bytyçi ishte në themelet e rezistencës së të dy krahëve të Lëvizjes sonë për pavarësi, në krye të së cilës ishte Ati themeltar i shtetit të Kosovës, presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, pra që në ngjizje të tyre, duke patur "fatin" që për shkak të veprimtarisë së tij të ngjeshur dhe të bujshme, arrestohet nga armiku dhe dënohet me burg.

"Rogneristët" të cilët gjatë luftës kishin eliminuar nga "rruga" ata të cilët i shihnin si kërcënim të pushtetit të tyre "në ardhje", si bashkëluftëtarë, që nga komandanti i gueriles, Zahir Pajaziti e deri te Ministri i luftës, Kolonel Ahmet Krasniqi, tanimë kishin filluar "gjuajtjen e shtrigave", duke orkestruar dhe realizuar vrasjen e kundërshtarëve politik, bashkëpunëtorë dhe besnik të Presidentit Rugova dhe të kauzës sonë nacionale për liri & pavarësi, ndër ta, Ukë Bytyçi!”, potencon ai.

Bajraj thekson tutje se SHIK-u i "Rognerit", nuk duroi dhe nuk e përpiu dot suksesin e Ukës dhe të LDK-së në zgjedhjet e lira lokale & nacionale në Suharekë.

Zatën “shkaktari” i humbjes së zgjedhjeve për "krahun e luftës", duhej të merrte përgjigjën e duhur, atë të eliminimit me atentat politik, për çfarë skuadrila ekzekutuese kryente urdhrat me përpikëri posa merrnin identitetin e të shënjestruarit nga Kapot e krimit ...!

Autoriteti i pakontestueshëm i Ukë Bytyçit në Suharekë dhe gjithë Kosovën, u bë halë në sy e "Rogneristëve", për faktin se, integriteti dhe autoriteti i tij i padiskutueshëm rrëzonte për tokë shpresën e tyre për të gjallë të Tij, mund t'ia marrin pushtetin LDK-së në Suharekë dhe gjithandej në Kosovë, andaj këtu edhe e ka motivin eliminimi dhe atentati kundër Ukës dhe shumë tjerëve të tillë anë e kënd Dardanisë Antike-Kosovës”, nënvizon ai.

Publicisti Bajraj rikujton se të kësaj natyre, janë vrasjet politike zingjirë, siç ishte vrasja e Xhemail Mustafes, Ismet Rracit, Smajl Hajdaraj dhe të tjerë, derisa sa "Hunta Rogneriste", mori pushtetin, dhe kjo ndodhi pas ikjes në amshim të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova!

“Vepra e Tij unike jetësore, prej tribuni & atdhetari t' pa epur, do t'i bëjë dritë atdheut dhe lirisë së tij, për të qenë kështu udhërrëfyes për ne dhe brezat që vijnë, si model dhe ekzemplar në vete, se si jetohet, punohet dhe vdiset për komb & atdhe !

Heroi Ukë Bytyçi, do të mbahet mend e kujtohet prore me pietet, nga LDK-ja dhe shteti i Kosovës ndër breza, kontributi dhe vepra e të cilit është në themelet e njërës dhe tjetrës, për çfarë i detyrohemi shumë.

Vendi i heroit Ukë Bytyçi, është në Panteonin e grave dhe burrave të shquar të Dardanisë Antike-Kosovës.

Të mallkuar qofshin urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e Ukë Bytqit.

Zoti e bekoftë Heroin, Ukë Btyqi dhe shtetin e pavarur të Kosovës për të cilin Uka jetoj dhe punoj deri në frymën e fundit. L A V D I!”, përfundoi Bajraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat