Serbia në gjendje kritike si në ’99 / Ekspertët japin alarmin: Mund të ketë përshkallëzim më 1 nëntor

Politika

Serbia në gjendje kritike si në ’99 / Ekspertët japin alarmin: Mund të ketë përshkallëzim më 1 nëntor

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 28 tetor 2022 Në ora: 17:08
Ilustrim

31 tetori është afati i fundit për serbët që t’i regjistrojnë veturat e tyre me targa të Republikës së Kosovës. Edhe përkundër periudhës dy mujore që u dha nga Qeveria e Kosovës dhe përkundër lehtësimeve financiare, numri i atyre që kanë hequr targat ilegale dhe që kanë vendosur ato RKS është shumë i vogël. Sipas të dhënave të deritashme, nuk e ka kaluar numrin 20 sosh.

Madje së paku në tri raste, ndaj atyre serbëve që konvertuan targat nga ato millosheviçiane në ato të Republikës së Kosovës, grupet kriminale të udhëhequra nga Serbia

Por, BE dhe ambasada e SHBA-së, kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që të shtyhet vendimi për implementim për dhjetë muaj, përfshirë të dërguarin e posaçëm të Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar.

Rritja e trysnisë

Mbrëmë këshilltari Special Amerikan, Derek Chollet, ka biseduar në telefon me kryeministrin Albin Kurti, nga i cili ka kërkuar që të shmangen tensionet në veri, dhe të shtyhet zbatimi i vendimit për targat.

“Fola me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për ta diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjes së zbatimit të vendimit për targat e reja, pa konfiskime apo gjoba. Gjithashtu, diskutuam edhe partneritetin dhe objektivat e përbashkëta për ta avancuar integrimin evropian dhe euro-atlantik të Kosovës”, ka njoftuar mbrëmë Chollet në Twiter.

Menjëherë më pas duke e shpërndarë të njëjtin mesazh, të njëjtën gjë e ka kërkuar ambasadori amerikan në Kosovë Jeffry Hovenier, duke shtuar se e dënojnë dhunën ndaj atyre serbëve që i kanë konvertuar targat në ato legale të Republikës së Kosovës.

“E rëndësishme është që të shmangen tensionet dhe të shtyhet vendimi për zbatimin e targave. Po ashtu, ne dënojmë veprimet intimiduese apo hakmarrëse ndaj tyre që kanë konvertuar targat e tyre”, ka shkruar ambasadori Hovenier.

Ambasada amerikan ditë më parë është shprehur se synimi është që të shohin zbatimin e vendimit të mënyrë paqësore dhe që nuk i kontribuon rritjes së tensioneve në veri të Republikës së Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë të BE-së e shohin vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat RKS si në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe ne nuk kemi asnjë kundërshtim për të në parim. Megjithatë, ne kemi kërkuar, së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, një zgjatje 10-mujore të periudhës së zbatimit. Është qëllimi ynë ta shohim këtë të zbatuar në një mënyrë që të jetë paqësore dhe të mos kontribuojë në rritjen e tensioneve”, kanë thënë nga ambasada në reagim për media.

Përshkallëzimit në disfavor të Serbisë

Mundësinë e përshkallëzimit të situatës nuk e përjashtojnë ekspertët e sigurisë, por sipas tyre përshkallëzimet do t’i shkojnë në disfavor Serbisë, sepse me këtë qëndrim të prerë të Kurtit, edhe Vuçiqi do ta kuptojë se nuk mund të sillet tani sikurse me ata kryeministrat që në të kaluarën i patën premtuar faljen e veriut të Kosovës.

Ndërsa, analistët politikë kanë kërkuar që Kryeministri Kurti të jetë më i durueshëm, sepse e gjitha kjo lidhet me vendimin e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.

Analisti politik, Blerim Burjani thotë për “Bota sot”, se BE-ja dhe SHBA-ja tani janë më të koordinuar dhe të pandarë dhe Serbia e di që i ka ardhur fundi.

Sipas tij, ajo është në gjendje kritike sikurse në vitin 1999.

“BE-ja dhe SHBA-ja nuk nxitojnë të marrin vendime kapitale dhe të kushtueshme, ata dinë të durojnë, por edhe durimit do t’i vjen fundi. BE-ja dhe SHBA-ja, tani më kanë koordinim më të madh, janë të pandarë, fundi nuk do të jetë i mirë dhe këtë e di Serbia, prandaj edhe bënë lojëra të pandalshme, pa kufi dhe kufirin e lojërave e caktojnë pa dilemë dhe pa dyshim. Serbia është në gjendje kritike sikurse në vitin 1999, lufta në Ukrainë dhe mos pozicionimi i drejt ndaj sanksioneve ndaj Rusisë, janë faktorë shtesë që të pësojë Serbia sërisht”, ka deklaruar Burjani.

Ai ka kërkuar që Qeveria të jetë e kujdesshme ndaj qëndrimeve të BE-së dhe të SHBA-së, sepse tani synohet zgjidhja përfundimtare.

Duhet ende durim

Sipas Burjanit, Kurti duhet të ketë durim edhe pak.

“Qeveria duhet të jetë më e kujdesshme ndaj qëndrimeve të BE-së dhe SHBA-së, kur kërkohet shtyrje e zbatimit të marrëveshjes, sepse tani synohet zgjidhja përfundimtare dhe për këtë arsye kërkohet në mënyrë që të mos ketë tensionim të situatës. Pra, duhet të ketë durim Kurti edhe pak, besoj se ka durim. Duke pasur parasysh kapacitetet që ka, duhet të jetë më i vëmendshëm dhe të pres edhe një periudhë kohore. Unë mendoj që t’i jepet kohë serbëve lokalë edhe tre muaj, por jo 10, edhe pse ata thonë 10 muaj sepse po vlerësojnë se arrihet marrëveshja finale dhe më nuk kanë rëndësi targat”, pohon Burjani.

Image
Blerim Burjani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë ka deklaruar se afati për targa nuk do të shtyhet, gjersa i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, të cilët janë me përkatësi kombëtare serbe t’i konvertojnë targat e stërvjetëruara, të trashëguara nga koha e Millosheviçit në targa legale dhe në këtë rast përfitojnë financiarisht nga lehtësimet tatimore, pa taksë doganore, pa akcizë dhe pa TVSH.

“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit më 31 korrik e kemi shtyrë afatin për një muaj dhe në vend se të jetë me 1 tetor është shtyrë me 1 nëntor, ose më mirë të them se në vend që të jetë 30 shtatori, data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjete me targa të stërvjetëruara KM, PR e të ngjashme, trashëgimi e kohës së Millosheviqit t’i konvertojnë ato në targa legale e legjitime RKS, me ç’ rast edhe të përfitojnë financiarisht nga lehtësimet tatimor, pa taksën doganore, pa akcizën dhe pa TVSH-në. Andaj, unë edhe njëherë iu bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që janë të përkatësisë kombëtare serbe që ato vetura që janë me targat e stërvjetëruara t’i konvertojnë në legale dhe legjitime. Janë më pak se 10 mijë vetura të tilla, shumica e targave që kanë serbët në Kosovë tashmë janë të konvertuara”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, thotë për “Bota sot”, se Kryeministri duhet që në përpikëri t’i përmbahet marrëveshjes.

Sipas tij, nga qëndrimi i Kurtit do të varen edhe të tjera vendime që janë në pritje të arrihen, sikurse njohja reciproke.

Serbisë po i bëhet e qartë një fund i shpejt i bisedimeve

Tërnava ka shtuar se Serbia mund të japë sinjale të përshkallëzimit të situatës, por ato do t’i shkojnë në disfavor.

“Kryeministri duhet që në përpikëri t’i përmbahet marrëveshjes, sepse sikur që dihet nga e kaluara shumë ish-kryeministra të atëhershëm të Kosovës, kanë arritur marrëveshje të ngjashme edhe për çështje të tjera dhe ato kurrë nuk janë realizuar. Prandaj, kryeministri Kurti, me qëndrimet e tij, t’i përmbahet marrëveshjes së arritur dhe besoj që edhe faktori ndërkombëtar do e përkrahë qëndrimin e Kurtit, sepse marrëveshja është marrëveshje. Nga ky qëndrim i Kurtit do të varen edhe të tjera vendime që janë duke pritur që të arrihen, sikurse që është njohja reciproke në mes të Serbisë dhe Kosovës. Është e kuptueshme që Serbia mund të na japë sinjale të përshkallëzimit të situatës, por ato përshkallëzime do t’i shkojnë më shumë në disfavor Serbisë dhe me këtë qëndrim të prerë të Kurtit, edhe Vuçiqi do ta kuptojë se nuk mund të sillet tani sikurse me ata kryeministrat që në të kaluarën i patën premtuar faljen e veriut të Kosovës Serbisë. Prandaj, me këtë Vuçiqi do ta kuptojë seriozitetin e bisedimeve të radhës dhe fundin sa më të shpejtë të bisedimeve për çështjen e Kosovës”, thekson Tërnava.

Sipas Tërnavës, qëndrimi i Kurtit i shkon në favor Kosovës, pasi që sipas tij, Serbia është ajo që nuk i përmbahet marrëveshjes së arritur.

Image
Hajrullah Ternava

“Qëndrimi i Kurtit për çështjen e targave i shkon në favor Kosovës, sepse Serbia është ajo që s’po i përmbahet marrëveshjes së arritur. Nuk duhet ta harrojmë çështjen e miqve tonë, që po na qëndrojnë pranë, sikur që dihet se kush janë dhe nëse ata insistojnë që patjetër serbëve t’iu jepet edhe një shans dhe kohë për regjistrimin e targave, atëherë Qeveria e Kosovës duhet ta analizojë me mençuri këtë kërkesë dhe të vendos në bashkëpunim me miqtë tanë, që na kanë ndihmuar të çlirohemi, por nëse miqtë tanë nuk kanë qëndrim këmbëngulës që të shtyhet data e regjistrimeve të veturave, atëherë duhet që më 01 nëntori të jetë data përfundimtare, sikurse janë marrë vesh javë më parë”, përfundon Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat