A është mundësi e mirë modeli franko-gjerman, apo kthim prapa për Kosovën?

Politika

A është mundësi e mirë modeli franko-gjerman, apo kthim prapa për Kosovën?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 28 tetor 2022 Në ora: 23:02
Flamuri gjerman dhe francez

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri thotë se, fatkeqësisht pajtimi për të ashtuquajturin qarkullim të lirë me dokumentet e udhëtimit të Kosovës dhe Serbisë, në të dy vendet relevante, u keqpërdor në mënyrën më vulgare nga ana e Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë hegjemoniste.

Sipas tij, kjo është bërë me qëllimin perfid, që pas pranimit të dokumenteve serbe, Kosova të detyrohet t’i pranojë edhe tabelat e lëshuara nga Serbia, me sinkronimet e kohës së Millosheviqit për qytetet e Kosovës.

“Madje trysnia aktuale ndaj Kosovës për koncesione të reja në favor të Serbisë, si nga përfaqësuesi i lartë amerikan Escobar, ashtu edhe nga Lajçak dhe funksionarët tjerë të lartë evropian në BE, ka filluar të arsyetohet me zhvillimet aktualisht kaotike në Evropë, për të cilat Kosova e vogël, nuk ka asnjë faj dhe kurrfarë mundësie ta ndryshojë, por megjithatë, siç u shpreh në një konferencë për media në Prishtinë edhe zonja Viola von Cramon, drafti franko-gjerman, po konsiderohet nga ata, si mundësi e "mirë", që në fakt për Kosovën nuk është krejt e tillë, përderisa në të nuk figuron njohja reciproke, edhe nëse arrihet çfarëdo marrëveshje tjetër, me Serbinë”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Prandaj, sipas tij, edhe pse ka filluar të dyshojë paksa në sinqeritetin e z. Escobar, i cili duket se ka trashëguar disa pjesë të veprimeve të Palmerit sa i takon çështjes së Kosovës, mbetet të shpresojmë që me ndihmën e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, që në vijimësi deklaron se e mbështet dialogun Kosovë-Serbi, të arrihet një marrëveshje e mirëfilltë finale, siç po thuhet, “ditëve në vijim”, me në qendër, njohjen reciproke ndërmjet të dy vendeve.

“Përndryshe në qoftë se Serbisë, nuk i imponohet as zbatimi i marrëveshjes së nënshkruar, gati para një dekadë për targat, është shumë e pakuptueshme, për të mos thënë edhe e vështirë dhe tërësisht e pa besueshme, se këtij shteti hegjemonist, do t;i kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës”, thotë ai.

Ai konsideron se, modeli franko-gjerman është kthim prapa për Kosovën dhe model i tejkaluar.

“Kështu që, sipas të gjitha gjasave, duket se SHBA dhe BE, aktin e njohjes së pavarësisë, duan ta kompensojnë me marrjen e pëlqimit të Serbisë, për moskundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB, qoftë edhe përmes një të ashtuquajture marrëveshje të modelit franko-gjerman, sado që pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në favor të Pavarësisë së Kosovës, mbi 12 vite më parë, për Kosovën është kthim prapa dhe model i tejkaluar, nëse të paktën arrihet menjanimi i "zajednicës" së nënshkruar nga dyshja renegate Thaçi-Mustafa, në emër të një kompromisi, për dhënien fund amullisë së dialogut të stërzgjatur dhe arritjen e asaj që, në këto momente, shihet si alternativë e mundur, do të detyrohet ta pranojë edhe Kosova”, përfundon Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat