“Shtet me dy fytyra”, Qeverisë i vjen thirrja të ndërmarrë masa ndaj Serbisë e zyrtarëve

Politika

“Shtet me dy fytyra”, Qeverisë i vjen thirrja të ndërmarrë masa ndaj Serbisë e zyrtarëve

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 29 tetor 2022 Në ora: 21:48
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Aleksander Vuciq

Të enjten që shkoi Serbia nuk e ka lënë të hyjë në Beograd, zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Bislimi kishte kryer më shumë se gjysmën e rrugës për të arritur në Beograd, aty ku po mbahej konferenca e cila temë diskutimi kishte raportet në mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë.

Kjo e fundit, e ktheu zëvendëskryeministrin me arsyetimin se nuk garantojnë sigurinë e tij, duke “dëshmuar”, se nuk është për normalizim të raporteve me Kosovën.

Serbia është kritikuar si nga Bashkimi Evropian, ashtu edhe nga pozita e opozita e shtetit të Kosovës.

Ndërsa, sipas analistit Serbia vetëm e ka shpalosur fytyrën e vërtetë, atë të një shteti me dy fytyra.

Analisti politik, Faton Mehmeti, ka thënë për “Bota sot”, se rasti i Bislimit dëshmon gjendjen jo stabile të Serbisë.

Sipas tij, Kosova ka të drejtë të mos lejojë zyrtarët serbë të shkelin në Kosovë.

“Rasti i Besnik Bislimit dëshmon më së miri gjendjen jo stabile të Serbisë, një vend i brishtë që nuk është në gjendje të ofrojë siguri. Zv.kryeministri Bislimi shpalosi fytyrën e vërtetë të Serbisë, të një shteti që është me dy fytyra. BE dhe SHBA po shohin kush është Serbia, ajo nuk është në gjendje të zbatojë marrëveshjet, kështu që edhe Kosova ka të drejtën mos të lejojë zyrtarët serbë të shkelin në Kosovë”, ka thënë Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Duke kërkuar nga Qeveria të ndërmerr masa, Mehmeti ka shtuar se me veprimin e saj, Serbia ka treguar se nuk ka ndryshuar dhe se është ajo po e kohës së Millosheviqit.

“Qeveria duhet të ndërmerr masa t'u ndalohet hyrja në Kosovë derisa kjo e fundit të reflektojë. Rasti i Bislimit vetëm sa përforcon pretendimet e Kosivës dhe të vërtetën se Serbia nuk ka ndryshuar, ajo është po e kohës së Millosheviqit”, ka përfunduar Mehmeti.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas mos lejimit të hyrjes në Beograd, të nesërmen ka marrë pjesë në konferencë, por on-line.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat