Propozimi për dialogun/ A është ky plani i Gjermanisë dhe Francës? Ja kurthi për Kosovën

Politika

Propozimi për dialogun/ A është ky plani i Gjermanisë dhe Francës? Ja kurthi për Kosovën

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 29 tetor 2022 Në ora: 21:51

Pasi iu refuzua vizita në Serbi, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se propozimi franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë sesa të Kosovës.

“Iniciativa franko-gjermane s’është domosdoshmërisht modeli i ‘dy Gjermanive’, por ‘Gjermani-Gjermani minus’, sepse disa pjesë të rëndësishme të asaj marrëveshje s’janë të përfshira në këtë iniciativë. Duhet ta themi se që nga fillimi pengesa kryesore në dialog ka qenë divergjenca mes qëndrimeve të të dyja palëve. Për ne është me rëndësi të ketë dokument final me njohjen reciproke në qendër. Për Serbinë është që të mos ketë dokument final e të mos ketë njohje reciproke. Prandaj nga kjo perspektivë do të thosha se propozimi franko-gjerman më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë, sepse nuk paraqet marrëveshje finale e as s’përfshin njohje reciproke në këtë fazë”, është shprehur Bislimi.

Kurse raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola vonCramon, ka thënë se propozimi franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, është i afërt me atë çka Kosova dëshiron.

“Jo, asociacioni është pjesë e të gjithë paketës. Nuk do t'i referohesha asociacionit si të tillë, por paketës së përgjithshme si kompromis. Të paktën ajo që kam lexuar është shumë afër me atë që Kosova do të dëshironte të shihte, prandaj do t'i këshilloja secilit që ta pranonte këtë”, deklaruar raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola vonCramon.

Image
Enver Bytyçi

E për propozimin franko-gjerman, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Gjermanët dhe francezët për herë të parë bëhen bashkë dhe paraqesin një plan të bashkëveprimit dhe një projekt të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë. Së pari duhet thënë se kur bashkohen Franca dhe Gjermania për Kosovën në projektin e tyre për Kosovën ka një kompromis. Sepse idetë dhe interesat gjermane në Kosovë e në Ballkan nuk janë identike me interesat dhe idetë franceze. Ndërsa gjermanët ruajnë një balancë në qëndrimin ndaj të gjitha kombeve dhe shteteve të Ballkanit, francezët anojnë dhe mbajnë hapur anën e Serbisë. Në këto interesa, lidhje, nostalgji dhe pozicione gjeopolitike në këtë rast kemi të bëjmë me një kompromis”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, projekti  që është paraqitur është më shumë pro-serb, sesa pro Kosovës.

“Edhe veprimet e Aleksandër Vuçiq llogarisin pikërisht në këto çarje të vendeve evropiane. Madje Milosheviçi në kohën e bombardimeve të NATO-s punoi shumë që t'i përçajë kombet evropiane dhe gati ia pati arrit me ish-ministrin e Jashtëm të Italisë, Lamberto Dini, të cilit i pati dhënë telekomin e Serbisë. Të njëjtën gjë tenton të bëjë Vladimir Putin po në Evropë. Duke ditur lidhjet, miqësitë tradicionale dhe interesat jo të njëjta të vendeve evropiane, Putin ka arritur që t'i diferencojë qëndrimet e shteteve evropiane ndaj luftës në Ukrainë. Përsëri është Franca ajo që mban qëndrim më pro-Putin. Kështu ndodh edhe në rastin e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë”, thekson profesor Bytyçi.

Ai thotë Kosova nuk e ka luksin që ta kundërshtojë ashpër, por që me argumente duhet të bindet Macron dhe Scholz.

“Megjithatë Kosova nuk ka luksin e një qëndrimi të ashpër kundër. Duhet një manovër politike dhe diplomatike e zgjuar. Mendoj se projekti duhet pranuar në parim. Ndërkohë zoti Bislimi dhe grupi negociator duhet ta studiojë atë pikë për pikë. Të gjejë disekuilibrin në formulim dhe të shënojë se çfarë shkon e çfarë nuk funksionon. Të formulojë argumentet dhe t'i parashtrojë para dy përfaqësuesve të zotit Macron dhe të zotit Scholz. Ata janë njerëz me dije e me kulturë. Nëse u jepen argumente dhe rekomandime bindëse ose do t'i pranojnë, ose do të tërhiqen nga projekti së paku përkohësisht”, shprehet Bytyçi.

“Duhet sqaruar se çfarë është ky projekt? Një projekt i ndërmjetëm apo përfundimtar. Nëse nuk është përfundimtar, çfarë do të përmbajë ai i fundmi projekt dhe kur do të jetë gati? A do ta ketë njohjen si kusht të tij, apo jo? Sepse mundet që për një arsye apo tjetër Berlini dhe Parisi të paraqesin një plan të ndërmjetëm. Nëse është ky plan, duhet sqaruar se cilat janë përfitimet e Kosovës dhe cilat janë angazhimet e të dy vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. P.sh do të ishte me interes që një marrëveshje e ndërmjetme, me të cilën të zgjidheshin konfliktet që po shfaqen tani, të çonte në njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur atë. Nëse të dy palët angazhohen publikisht dhe me shkrim si garant për këtë, atëherë ndoshta ia vlen të nënshkruhet një marrëveshje e ndërmjetme, e cila e forcon dhe nuk e dobëson shtetësinë e Kosovës, por që nuk çon domosdoshmërisht në njohjen reciproke”, shpjegon më tej profesor, doktor Enver Bytyçi.

Por sipas Bytyçit, Dioçeza e Rashkës dhe e Prizrenit është një kurth për ta mbajtur Kishën Ortodokse të Kosovës si pjesë të Kishës Ortodokse të Serbisë.

“Dihet tashmë se pesë vendet e BE-së nuk e njohin Kosovën, sepse janë më së shumti nën ndikimin e Francës sesa të Gjermanisë. Atëherë, nëse Franca tërhiqet nga pozicioni i pengesës dhe bëhet faktor progresi në këtë drejtim, pse të mos pranohet kjo alternativë. Gjithnjë me kushtin që aspak të lëshohet në aspektin e sovranitetit shtetëror në të gjithë territorin e Kosovës. Megjithatë edhe Kosovës do t'i duhet të bëjë lëshime në këtë rast. Cilat mund të jenë ato? Serbia do të kërkojë formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Kosova mund të ofrojë zgjidhje për Manastirin e Deçanit, por nj në kuadër të Dioçezës së Rashkës e Prizrenit, por në kuadër të një marrëveshjeje vetëm me këtë manastir. Dioçeza e Rashkës dhe e Prizrenit është një kurth për ta mbajtur Kishën Ortodokse të Kosovës si pjesë të Kishës Ortodokse të Serbisë. Duhen përgatitur kushtet që në marrëveshje që kjo kishë të ndahet në të ardhmen. Kosova shtet i pavarur duhet të pranojë dhe duhet të punojë edhe për pavarësinë e Kishës Ortodokse”, thotë Bytyçi.

“Pra, kujdes duhet treguar, që të mos lidhim këmbët me duart tona. Të llogarisim të ardhmen, jo vetëm të tashmen. Të forcojmë shtetësinë e jo ta dobësojmë atë. Të respektojë lirinë e mendimit, të iniciativës e të besimit, por edhe të ligjit dhe kushtetutës së Kosovës! Gjithçka në harmoni e në raport të balancuar. Kjo do të thotë që dokumenti franko-gjerman të studiohet me shumë kujdes dhe të mbahen qëndrime konkrete, jo paushallë, jo ad bloc”, përfundon për “Bota sot” profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat