Serbia gënjeshtare, pozitë e opozitë kërkojnë ta ndëshkojnë ndërkombëtarët

Politika

Serbia gënjeshtare, pozitë e opozitë kërkojnë ta ndëshkojnë ndërkombëtarët

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 30 tetor 2022 Në ora: 12:04
Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është urdhëruar nga Serbia të kthehej për në Kosovë, ndërsa ishte duke udhëtuar për në Beograd.

Autoritetet serbe kishin vendosur të mos e lejonin të hynte në Beograd të enjten që shkoi, kinse me pretekstin se ata nuk mund ta garantonin sigurinë e zv.kryeministrit Bislimi, pavarësisht që e kishin dhënë lejen për pjesëmarrje në një konferencë rajonale për sigurinë, që do të mbahej nga organizator jo shtetëror serb.

Zëvendëskryeministri Bislimi e ka vlerësuar këtë sjellje të Serbisë si një sinjal se ajo nuk është e gatshme të punojë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Kemi paraqitur kërkesën para organeve, dhe ka qenë e aprovuar. Në një moment na është thënë se Serbia nuk mund të ofrojë siguri. Që për ne është sinjal, që Serbia nuk është ende e gatshme të punojë drejt normalizimit. Është e dobët të ofrojë siguri për pjesëmarrësit”, tha ai.

Motivet serbe

Sipas tij, arsyeja e ndalimit të tij ka qenë diku tjetër, pasi thotë se Kosova ka pasur për qëllim që në Beograd ta jap versionin e tyre mbi zhvillimet për normalizimin e situatës.

“Arsyeja është krejt diku drejt. Ne kemi pasur për qëllim, që Beogradit dhe qytetarëve atje të ju japim versionin e Kosovës mbi zhvillimet që janë në Kosovë dhe drejt normalizimit të situatës. Qytetarët atje janë ekspozuar nga një propagandë shumë e tmerrshme nga qeveria e Serbisë, dhe si duket ka pasur një rezistencë të madhe që të mos e japim versionin tonë”, është shprehur ai pas kthimit në Kosovë.

Pozitë e opozitë është duke përkrahur deklaratën e Bislimit, që Serbia nuk është për normalizimin e marrëdhënieve, gjersa kërkojnë nga faktori ndërkombëtar ndëshkimin e saj.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, thotë për gazetën “Bota sot”, se Serbia me këtë gjest ka treguar se nuk është për normalitet.

Ai e quan Serbinë gënjeshtare, gjersa pyet sesi është e mundur që zëvendëskryeministri Bislimi të udhëtojë 300 kilometra brenda Serbisë dhe para se të futet në Beograd 80 kilometra i ka dalë problem me siguri.

Image
Mefail Bajqinovci

Sipas tij, Serbia ka dashur ta kamuflojë qëndrimin politik në emër të sigurisë, e që nuk ka të bëjë me siguri.

“E para me këtë gjest Serbia ka treguar se nuk janë për normalitet, për normalizim. E dyta, gënjeshtra tjetër kur thotë se ju ka cenuar siguria një njeriu të dytë të Qeverisë së Kosovës, pra zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Si është e mundur që zoti Besnik Bislimi ka udhëtuar mbi 300 kilometra brenda Serbisë dhe para se të futet në Beograd rreth 80 kilometra ka dalë problem, që nuk ka siguri. Kjo fillimisht është një gënjeshtër që Serbia tentoi ta kamuflojë në emër të sigurisë, e që fare nuk ka të bëjë me siguri, por ka të bëjë pikërisht, sepse nuk dëshiron t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Pra, te ne sa herë kanë qenë në Kosovë kushdo prej zyrtarëve më të lartë të shtetit, kur është lëshuar leja është lejuar, kur nuk është lëshuar leja nuk është lejuar të futet. Në këtë rast z.Bislimi e ka pasur lejen, por nuk është lejuar të shkojë”, thotë Bajqinovci për “Bota sot”.

Numri dy i Qeverisë ishte nisur të enjten drejt kryeqytetit serb, Beograd për të marrë pjesë në një konferencë dy ditore, në të cilën temë diskutimi ishin edhe raportet mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë.

Reagimet ndërkombëtare

Pas ndalimit të hyrjes nga autoritetet serbe, kanë reaguar edhe nga BE-ja. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se vizitat zyrtare duhet të luajnë një rol të rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe këto vizita nuk duhet të politizohen

“Vizitat zyrtare luajnë një rol të rëndësishëm në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve dhe mirëkuptimit ndërmjet palëve, dhe ato nuk duhet të politizohen”, thotë Stano.

Ai shtoi se BE-ja u kërkon të dyja palëve të zgjidhin çdo mosmarrëveshje dhe keqkuptim të tillë në dialog dhe në mirëbesim nëpërmjet zyrtarëve ndërlidhës.

“BE-ja u kërkon të dyja palëve që të zgjidhin çdo mosmarrëveshje dhe keqkuptim të tillë në dialog dhe në mirëbesim, duke përdorur kanalet e vendosura të komunikimit të Zyrtarëve Ndërlidhës. Të dyja palët duhet të respektojnë të gjitha marrëveshjet e kaluara dhe të zbatojnë detyrimet në pritje, duke përfshirë vizitat zyrtare”, ka shtuar Stano.

Ndërsa, deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci ka kërkuar që Serbia të ndëshkohet nga BE-ja.

“Kur jemi te ndëshkimi, unë mendoj se presioni dhe ndëshkimi duhet të bëhet nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Ata duhen ta shohin sesi Serbia nuk po e duron normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke e kthyer në fund të rrugës zëvendës kryeministrin Bislimi. Kjo është dëshmia e parë që Serbia duhet të ndëshkohet nga Bashkimi Evropian për gjërat të cilat është duke i bërë”, thotë Bajqinovci.

Njëjtë sikurse Bajqinovci, mendon edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

Image
Pal Lekaj

Lekaj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se Serbia me gjestin që e ka bërë, është duke treguar se ajo nuk ka ndryshuar.

Sipas tij, ajo vazhdon t’i shkel marrëveshjet në Bruksel dhe ndëshkimin duhet ta merrë nga ndërkombëtarët.

“Me gjestin të cilin e ka bërë Serbia është duke treguar se ajo nuk ka ndryshuar. Serbia vazhdon të tregojë se nuk është për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, vazhdon t’i shkelë marrëveshjet, të cilat janë nënshkruar në Bruksel. Serbia ndëshkimin duhet ta marrë nga ndërkombëtarët, është mirë që ndërkombëtarët një herë e mirë ta kuptojnë se Serbia nuk ka ndryshuar dhe se ajo nuk duhet toleruar më”, thotë Lekaj.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas mos lejimit të hyrjes në Beograd, të nesërmen ka marrë pjesë në konferencë, jo në mënyrë fizike, por on-line.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat