Janë demagogji e lojëra të ndyta të Listës serbe / Më 21 nëntor vendosen targat, por me kushte

Politika

Janë demagogji e lojëra të ndyta të Listës serbe / Më 21 nëntor vendosen targat, por me kushte

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 30 tetor 2022 Në ora: 16:19
Albin Kurti

Qeveria e Kosovës pavarësisht presionit dhe shtyrjes së përkohshme të vendimit për targa ilegale të Serbisë, nuk ka hequr dorë plotësisht.

Ajo në mbledhjen e mbajtur më 28 tetor ka shpalosur një plan për çështjen e targave ilegale që lëshohen nga Serbia për një pjesë të serbëve në Kosovë, që bartin simbole të regjimit tëMillosheviçit, që do të zbatohet në disa faza. Plani parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS- Republika e Kosovës.

“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë.

Nga ana tjetër për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës SHBA-ja dhe BE-ja ka shprehur zhgënjimin e tyre.

SHBA-të kanë deklaruar se janë të “zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për ta bërë një gjë të tillë”.

Kurse BE-ja ka thënë se “Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur këshilla e partnerëve ndërkombëtarë”.

Serbët pas një takimi të mbajtur në Beograd me presidentin e Serbisë, kanë kërcënuar me bllokime e tensionim të situatës, nëse nuk shtyhet zbatimi i vendimit.

Mehmeti: Serbia çdo ditë e më shumë po humb terren

Image
Faton Mehmeti

Analisti Faton Mehmeti në një përgjigje për “Bota sot” thotë se shtetit i Kosovës së pari duhet ta respektojë veten për ta respektuar të tjerët pastaj.

“Kur e respekton vetveten të respektojnë edhe të tjerët, qeveria aktuale e Kosovës po praktikon këtë model duke fituar edhe mbështetje ndërkombëtare. SHBA-ja dhe BE-ja po respektojnë vendimet e drejta, me një qeveri të pakorruptuar nuk mund edhe të shantazhohet”, shprehet Mehmeti.

Sipas tij, Serbia po humb terren, por që për kërcënime deklaron se ajo mund të përdor strukturat paralele në veri për të eskaluar situatën.

“Serbia çdo ditë e më shumë po humb terren, e gjendur në një situatë të tillë Vuçiqi ka zgjedhur rrugën e kërcënimit dhe shantazhit me bllokim të rrugëve. Serbia do të përdor strukturat paralele kriminale në veri për të matur impulsin e reagimit, me vendosmëri të institucioneve të vendit dhe mbështetje të SHBA-së dhe BE-së do të arrijë fitore, që nënkupton shtrirje të sovraniteti dhe integritetit të shtetit”, nënvizoi ai.

Mulliqi: Çështja e targave të kohës së Millosheviqit duhet një herë e mirë të përmbyllet

Image
Skënder Mulliqi

Edhe analisti Skënder Mulliqi thotë se BE-ja dhe SHBA-ja po e përkrahin shtetin e Kosovës, pa pasur lëvizje të kufijve.

“Ndryshimet në kreun e shtetit amerikan me ardhjen të Bidenit për president, invazioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë, dhe kërcënimet me luftë nga Serbia ndaj shteteve fqinje dhe Kosovës, janë indikatorët që e kanë shty bashkësinë ndërkombëtare që t’i intensifikojnë bisedimet Kosovë –Serbi, në gjetjen e formulës për normalizim të marrëdhënieve të ndërsjella, por pa e prekur statusin dhe integritetin territorial të Kosovës. Vizitat e shpeshta të Eskobar dhe Lajçak Prishtinës dhe Beogradit, po bëhen që mos të zgjatet shumë përmbyllja e këtyre bisedimeve. BE-ja dhe sidomos Amerika janë duke e përkrahur shtetësinë e Kosovës pa pasur lëvizje të kufijve siç po pretendon Serbia me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Edhe vizita e fundit e shefes të Komisionit të Evropës, UrsulavonderLeyen, dhe deklarimi i saj në konferencën për media së bashku me presidenten Osmani, shkojnë në përkrahje të madhe të Kosovës. Edhe kjo ka përsëritur qëndrimin e Amerikës dhe të ambasadës të saj në Prishtinë, duke theksuar se rregullat për targat duhet të respektohen në çdo shtet”, thotë ai.

Sipas tij, ligji duhet të zbatohet, sepse Serbia nuk e ka asnjë të drejtë më shumë se Kosova.

“Ligji duhet të zbatohet, por mendoj se nëse Eskobar ka kërkuar që ky proces të shtyhet në afat kohor, mirë do të ishte të merret parasysh nga zyrtarët më të lartë të shtetit të Kosovës. Çështja e targave të kohës së Millosheviqit duhet një herë e mirë të përmbyllet. Serbia nuk e ka asnjë të drejtë më shumë se Kosova, jo vetëm për targat për në përgjithësi për reciprocitetin. Koha nuk është duke punuar më për Serbinë nëse po mendojnë se po. Proceset dhe as tranzicioni nuk kanë mundësi të kthehet mbrapa në vitet e ‘90-ta të shekullit të kaluar, siç po pretendon Serbia e shovinistit Vuçiq. Nuk do të bëjnë më punë mendojë unë para bashkësisë ndërkombëtare rrenat që historikisht i kanë lansuar serbët lidhur me shqiptarët dhe Kosovën. Ka ardhur koha siç e tha edhe presidentja Osmani që BE-ja të ndërmarr veprime konkrete të integrimit të Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane, si kusht për stabilitet dhe paqe të përhershme në rajon”, shprehet analisti.

Sipas Mulliqi, kërcënimet e Rakiqit edhe mund të ndodhin, por më të fuqishme janë reagimet e SHBA-së dhe BE-së ndaj Serbisë.

“Kur bëhet fjalë për kërcënimet e kryetarit të Listës Serbe, Rakiq, tha se do të bllokohen rrugët siç kanë bërë rregullisht strukturat kriminale serbe në veri, nëse iu konfiskohen targat, duke i konsideruar ato si prona, edhe mund të ndodhë, por që reagimet tona, të BE-së e Amerikës do të jenë shumë më të fuqishme dhe më të vendosura që kjo mos të lejohet. Këtë deklaratë kërcënuese Rakiq e bëri pas takimit që pati me ish-eksponentin e Millosheviqiqt, presidentin e Serbisë, Vuçiq. Bëhet sikur ka harruar Rakiqi që targat në gjithë botën janë pronë e shtetit. Këto lojëra të kësaj Liste dhe të strukturave kriminale paralele serbe, duhet të përfundojnë një herë e mirë. Incidentet e pareshtura të pas luftës janë produkt i këtyre strukturave kriminale për të mbajtur Kosovën të destabilizuar. Minoriteti serb duhet te heq dorë nga instrumentalizimet e Beogradit zyrtar, duke e përqafuar shtetin e ri të Kosovës, dhe të drejtat që i gëzojnë më shumë se çdo minoritet tjetër në botën demokratike. Ka ardhur koha që Serbia ti pranojë veprimet e ndërsjella shtetërore dhe barabarësinë e tyre. AleksandarVuçiqi që tash po ndryshon qëndrime ka nënshkruar në vitin 2015 marrëveshje për targat. Kosova vetëm po e zbaton këtë marrëveshje. Janë demagogji e lojëra të ndyta sikur t’i kishin prona (targat), të serbit Rakiq, që ishte dashur të përjashtohet si e tillë kjo Listë nga jeta politike e Kosovës”, përfundoi Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat