Mbi 100 mijë shqiptarë në Kosovën Lindore/ Reciprociteti nuk ka alternativë- të drejta si të serbëve në Kosovë!

Politika

Mbi 100 mijë shqiptarë në Kosovën Lindore/ Reciprociteti nuk ka alternativë- të drejta si të serbëve në Kosovë!

M.Lakna Nga M.Lakna Më 30 tetor 2022 Në ora: 22:25
Foto ilustrim

Nesër ( e hënë 31 tetor) përfundon procesi i regjistrimit të popullatës dhe amvisërive i filluar me 1 tetor në Luginë të Preshevës. Ky proces ka përfunduar pothuajse në të gjithë vendbanimet shqiptare.

Ky procesi sipas përfaqësuesve të Komisionit Komunal për Regjistrim, është zhvilluar pa ndonjë problem, ndërsa rezultatet preliminare i përgënjeshtrojnë autoritet shtetërore të cilat shqiptarët i konsideronin vetëm 5200 banorë, në bazë të regjistrimit të 2011 –tës.

“Rezultatet preliminare janë se në komunën e Preshevës me të gjitha 35 vendbanime jetojnë 58850 qytetarë rezident dhe jo rezident në 11573 amvisëri. Sipas informatave që i kam Bujanoc ka diku mbi 54000 qytetarë, ndërsa Medvegja mbi 8300 qytetarë”, deklaroi Hevzi Ramadani, kryetar i Komisionit Komunal për Regjistrim për televizionin publik.

Rezultati prej mbi 100 mijë shqiptarëve në Luginë po konsiderohet një sinjal pozitiv për të ardhmen.

Image
Sulejman Mehazi

Megjithatë, profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka potencuar se ky proces mund të rezultoi edhe i manipuluar për dëshira të pushtetarëve të Serbisë.

“Regjistrimi i popullsisë si gjithmonë hyjnë në grupin e statistikave e numërohen me përqindje e nuk janë të sakta, por manipuluese, për shkak se numërohen hat-hog si duan e si ju këndet pushtetarëve të Serbisë”, ka thënë Mehazi.

Sipas tij, fakti që nga ky proces regjistrimi po dalin mbi 100 mijë shqiptarë, atyre mund t`iu jepet e drejta juridike e politike e një statuti të veçantë të një asociacioni politik të shqiptarëve brenda Serbisë.

“Edhe pse regjistrimi në Serbi nuk ka mbaruar, pasi nesër është dita e fundit e regjistrimit, mirëpo parashikimet sipas mbarëvajtjes së procesit në Luginën e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës dalin se janë mbi 100 mijë qytetarë shqiptarë që e ka kuptimin e një numri të konsiderueshëm shqiptarësh në jug të Serbisë dhe plotësisht ju jepet e drejta juridike e politike të një statuti të veçantë, të një asociacioni politik të shqiptarëve brenda Serbisë”, ka potencuar ai.

Kështu, Mehazi thotë se, kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë dialogut me Serbinë do të duhej të kërkonte një lloj asociacioni të ngjashëm me atë që po e kërkojnë serbët në Kosovë.

Nëse serbët e Kosovës me ndihmën e Serbisë kërkojnë asociacionet e qyteteve serbe në Kosovë, pse dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë dialogut me Serbinë mos të kërkonte për qytetet shqiptare të Luginës atë lloj të asociacioneve që e kërkon Serbia në Kosovë”, thekson ai.

Profesori shprehet i sigurt se shqiptarët e Luginës me diasporën janë shumë më shumë sesa Serbia do nxjerr përqindjen e shqiptarëve në Luginë.

“Kur vjen te shqiptarët serbët si e qysh i përdorin të gjitha metodat minimizuese, jemi të sigurt se këto minimizime serbe janë përdorur edhe gjatë regjistrimit të qytetarëve shqiptarë të Luginës. Nëse gjatë regjistrimit shqiptarët e Luginës dalin mbi 100 mijë atëherë ju jepet e drejta juridike e politike të jenë të barabartë me serbët e Kosovës e kurrsesi ndryshe”, ka përfunduar ai.

Rezultatet e para zyrtare Enti për Statistika i Serbisë pritet t`i bëjë publike nga fundi i nëntorit, ndërsa ato përfundimtare më së voni deri në fundin e prillit të vitit 2023. Procesi i regjistrimit në tri komunat e Luginës së Preshevës është monitoruar në vazhdimësi nga përfaqësuesit e misionit të OSBE-së në Serbi.

Edhe sipas përfaqësuesve politik nga Lugina, kësaj here thonë se regjistrimi ka dëshmuar se në tri komunat, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, janë mbi 100 mbi banorë shqiptarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat