“Dialogu në prag të marrëveshjes, së shpejti do ta kemi datën e liberalizimit të vizave”

Politika

“Dialogu në prag të marrëveshjes, së shpejti do ta kemi datën e liberalizimit të vizave”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 31 tetor 2022 Në ora: 11:45
Foto ilustrim

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “Kosova e meriton liberalizimin e vizave”, dhe se do të përpiqen t’i bindin të gjitha vendet në BE që qytetarëve të Kosovës t’u hiqen vizat.

Po ashtu Leyen e ka bërë të qartë se kushti i vënë nga Franca, e i mbështetur nga disa shtete si Suedia e të tjera, se procesi i ETIAS është i pavarur nga çështja e vendimmarrje për vizat.

ETIAS është i pavarur nga ky proces. Është proces shumë i rëndësishëm për BE-në. Ne do të kërkojmë përmes këtij instrumenti teknik që të gjithë që futen në BE të aplikojnë përmes këtij sistemi që do të jetë i pavarur nga kriteret e vizave", ka thënë ajo në Prishtinë.

Presidentja e Komisionit Europian po ashtu ka takuar edhe kryeministrin Albin Kurti, me të cilin ka biseduar për çështjen e liberalizimit të vizave.

Von der Leyen ka thënë se Komisioni Evropian beson që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se tashmë diskutimet kanë rifilluar në Bruksel.

Ne do t’ju mbështesim në çfarëdo mënyre që mundemi”, ka shkruar ajo.

Mirëpo, ҫfarë do të ndodhë me regjimin e vizave, a do të hiqen apo të kushtëzohet Kosova si me targat?

Lidhur me këtë ҫështje, kanë folur njohësit e ҫështjeve politike. Kështu, Leon Duhanaj thotë se, kur flasim për temën e liberalizimit të vizave me BE-në, atëherë lirisht mund të konstatohet se Kosova është treguar si thembra e Akilit për BE-në në raport me seriozitetin në mbajtjen e premtimeve karshi Kosovës.

Kosova u detyrua t'i përmbushë kriteret e dyfishta. Kritere, të cilat edhe sot ka vende anëtare të BE-së që nuk i plotësojnë dhe prapë nuk e mori liberalizimin e premtuar. Në fakt njëherë e patëm rastin të futemi në paketë, e pikërisht në atë moment dështuam ne, edhe pse kërkesat ndaj Kosovës në atë moment ishin të padrejta dhe të panatyrshme, ne dështuam ta vendosim Brukselin para një akti të kryer”, thekson ai.

Duhanaj: Së shpejti do të kemi edhe datën e liberalizimit të vizave

Duhanaj thotë për ‘Bota sot’ se, tashmë Kosova është në prag të marrëveshjes me Serbinë dhe se së shpejti do të kemi edhe datën e liberalizimit të vizave.

Image
Leon Duhanaj

“Tani meqë duket të jemi në prag të një marrëveshje me Serbinë, mendoj që mund të ndodhë që në aspekte jozyrtare të kufizohet me ndonjë pikë interesi, megjithatë mendoj që ky proces tashmë e ka marr formën dhe se nuk do të ndodhin vonesa të paarsyeshme. Meqë tashmë është pjesë e agjendave zyrtare në kuadër të vendimmarrjes europiane, besoj që së shpejti do ta kemi edhe datën dhe, edhe Kosovës do t’i liberalizohen vizat”, vlerëson ai.

Ndërsa analisti tjetër politik, Skender Mulliqi thotë se, tema e liberalizimit të vizave për Kosovën, ka filluar të kalojë në monotoni. Këshilli i Evropës ka konfirmuar disa herë kohët e fundit se Kosova i ka plotësuar kriteret e liberalizimit të vizave.

Pas takimit të grupit punues presidenca ҫeke tha se “është e domosdoshme që të qartësohen edhe disa çështje për ta çuar liberalizimin përpara”. Kjo ka lënë të nënkuptohet te shumëkush si plotësim të kritereve shtesë, e që nëse është kështu është padrejtësi tjetër ndaj qytetarëve të vendit, të cilët kanë mbetur të vetmit në Evropë, pa të drejtë të qarkullimit të lirshëm në shtetet e BE-së, ku pos pesë shteteve të gjitha e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës. Me 13 tetor të gjitha shtetet e përkrahën liberalizmin. Franca është shteti që dy herë radhazi po bëhet pengesë në mënyrë absurde, që të shtyhet afati për liberalizim të vizave”, vlerëson Mulliqi.

Mulliqi: Franca po mban lidhjet e hershme miqësore me Serbinë

Sipas tij, po lihet përshtypja se Franca po mban lidhjet e hershme miqësore me Serbinë, edhe pse e di mirë se në vitet e ‘90-ta, të shekullit të kaluar Serbia u bë shkaktare e gjakderdhjes së madhe me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

Image
Skënder Mulliqi

Liberalizimit sikur po i jepet kahje politike, që nuk justifikohet nga ky shtet kur dihet se e ka pranuar pavarësinë e vendit tonë. Nëse shqiptarët janë viktimizuar historikisht nga Fuqitë e Mëdha të kohës në shekullin e 19-të, në këtë shekull nuk justifikohet një viktimizim i ri. Shqiptarët e kanë dëshmuar se janë populli më propërendimor jo vetëm në Ballkanin Perëndimor. Dhe, kjo shtyrje apo këto afatizime janë qëndrime diskriminuese ndaj Kosovës. Nëse më parë, përpos Francës ishte kundër edhe Holanda, më 13 tetor në Çeki, Franca mbeti bukur shumë e vetmuar”, tha ai.

Sipas analistit, liberalizimi megjithatë është proces që tashmë nuk ka mundësi të shtyhet shumë gjatë.

Besohet te shumica se deri në festat e fundvitit do të kemi përfundimisht vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës në shtetet Shengen. Besoj se do të tejkalohet liberalizimi i vizave që po lidhet me funksionalizmin e sistemit ETIAS, por kur ai të jetë gati edhe ne mbase do ta kemi harmonizimin e tij me sistemin tonë. Kjo është më shumë çështje teknike e vetë BE-së, e cila nuk do të ishte dashur të paraqesë pengesë që në vitin vijues edhe të ndodhë liberalizimi, pos nëse nuk mendohet të lidhet me çështje politike, siҫ është dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo nuk do t’u shkonte përshtati integrimeve të shpejta rajonale dhe as integrimit në strukturën e BE-së. Izolimi edhe më gjatë i Kosovës, iu shkon përshtati Serbisë dhe Rusisë, të cilat shtete, edhe po e kërcënojnë Ballkanin me luftë të re. Nuk besoj se Amerika, por edhe BE-ja, të lejojnë në pafundësi që Kosova të mbetet e izoluar nga bota demokratike, se nuk është në interesat e tyre gjeopolitike dhe as në interesat gjeostrategjike në rajonin e Ballkanit”, thekson analisti Mulliqi për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat