Ushtria e Serbisë në “gatishmëri” për shkak të situatës në Kosovë, eksperti i sigurisë “zbulon” qëllimin: Luftë nxitëse e propaganduese

Politika

Ushtria e Serbisë në “gatishmëri” për shkak të situatës në Kosovë, eksperti i sigurisë “zbulon” qëllimin: Luftë nxitëse e propaganduese

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 1 nëntor 2022 Në ora: 20:07
Ilustrim

Vendimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të mos shtyjë afatin për kthimin e targave, ka bërë që Serbia të “kërcënojë” përsëri.

Sot tashmë ka filluar zbatimi i kushteve të vendosur nga Kryeministri për zbatimin e targave legale, ndërsa pikërisht sot ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Milosh Vuçeviq, ka thënë se me urdhër të presidentit Aleksandar Vuçiq, Ushtria e Serbisë është ngritur në “nivel gatishmërie” për shkak të situatës në Kosovë.

Sipas tij, “Serbia është shtet serioz dhe prandaj askush s’duhet të luajë ‘lojëra lufte’”. “Nuk mund të jemi të qetë, por jemi për dialog”, ka theksuar ai, siç shkruan media serbe.

Ai ka kërcënuar se “Ushtria e Serbisë është e gatshme të zbatojë çfarëdo vendimi nga Vuçiqi, si komandant suprem, për të mbrojtur të gjithë qytetarët e Serbisë, përfshirë serbët në Kosovë dhe askush nuk duhet të dyshojë në këtë”.

Ministri serb kishte përsëritur disa herë se nuk dëshiron që kjo të merret si përgatitje për luftë, edhe pse deklaron se “ushtria e Serbisë është disa herë më e fortë se që ka qenë” dhe se ajo i zbaton urdhrat e udhëheqjes shtetërore.

Deklaratat e tilla nga ekspertët e sigurisë konsiderohen luftë nxitëse të Beogradit dhe propaganda boshe që shërbejnë për nacionalitetin e tij.

Drizan Shala, ekspert i sigurisë ka thënë për “Bota sot”, se vendimi për targa mund të gjejë zbatim në pikat kufitare, por në brendësi do të jetë problem.

“Në lidhje më situatën e krijuar për këtë shtyrje të vendimit për targa, mund të themi që zbatimi i tij mund të ndodh vetëm në hyrje të pikave kufitare, por në brendësi të territorit në 4 komunat veriore do të jetë problem. Për arsye që zyrtarët policor në veri të vendit, që kanë prejardhjen prej strukturave paralele nuk do ta zbatojnë atë dhe kjo do të prodhojë situata të pa lakmueshme", ka deklaruar Shala.

Image
Drizan Shala, ekspert i sigurisë

I gjithë problemi, sipas Shalës, do të jetë te sa janë lojal këta “policë” që në të kaluarën janë dëshmuar që u kanë shërbyer grupeve kriminale, strukturave paralele të sigurisë, tani ta zbatojnë vendimin për konfiskimin e targave ilegale.

“Nga data 21 nëntor do të analizohet se a ka prodhuar ndonjë situatë produktive veprimi i qortimit, nëse nuk fillon periudha e ndryshimit atëherë edhe dënimet që pasojnë pas kësaj periudhe do të përfundojnë në një tavolinë të bisedimeve në Bruksel dhe kjo e ulë legjitimitetin dhe kredibilitetin e institucionit të sigurisë. Në rast se vazhdon zbatim të gjejë vendimi (pa ndërhyrje politike nga bashkësia ndërkombëtare) për konfiskimin e targave ilegale duhet ta zbatojnë policët e rendit (stacionet policore nivelin komunal, stacioni i policisë rajonale të asaj pjese) të mbështetur nga NJRSH, NJSO në perimetrin e sigurisë te pika kontrolli. Pra, problemi do të qëndrojë sa do të jenë lojal këta “policë" të cilët në të kaluarën janë dëshmuar, që ju kanë shërbyer grupeve kriminale, strukturave paralele të sigurisë? Problemi nuk do të jetë forma e zbatimit, por do mbetet forma e qëndrueshmërisë së zbatimit nëse merret për bazë pengesat politike që do të determinojnë procesin”, ka theksuar Shala.

Duke komentuar deklaratën e ministrit të Mbrojtjes që Ushtria serbe të jetë në gjendje gatishmërie, ai i quan propaganda boshe që shërben për politikën e saj.

“Ndërsa, sa i përket retorikës luftë nxitëse të Beogradit nuk është asgjë më shumë se sa propagandë boshe, e cila shërben për politikën e saj nacionaliste si dhe për nivelin diplomatik të Brukselit zyrtar”, ka përfunduar Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat