Arsyeja e vizitës së papritur në Britani/ Paralajmërimi: Kështu po synohet të thyhet Albin Kurti

Politika

Arsyeja e vizitës së papritur në Britani/ Paralajmërimi: Kështu po synohet të thyhet Albin Kurti

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 1 nëntor 2022 Në ora: 21:34
Albin Kurti dhe James Cleverly

Në kohën kur Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti u ndodh përballë presionit ndërkombëtar për shtyrjen e vendimit për targat serbe, kryeministri Kurti zgjodhi që të udhëtojë drejt Britanisë së Madhe, ku po qëndron për vizitë të papritur.

E takimin e parë në Brtani, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e ka zhvilluar me Sekretarin e Jashtëm, James Cleverly.

“Falënderova James Cleverly për mikpritjen e tij dhe e përgëzoj për rolin e ri si Sekretar i Jashtëm. Biseduam për marrëdhëniet tona dypalëshe dhe si t’i forcojmë ato, si dhe për bashkëpunimin rajonal dhe mënyrën e avancimit”, ka shkruar Kurti në Twitter.

E sot, Kurti ka takuar edhe liderin e Partisë Laburiste Keir Starmer, si dhe Sekretarin për Punë të Jashtme në hije, të Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar, David Lammy.

Por pse ndodhi kjo vizitë rrufe e kryeministrit Kurti në Britani të Madhe? Për këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Profesor, doktor Enver Bytyçi

“Me siguri që kryeministri Kurti në vizitën e tij të papritur në Londër ka dashur të qartësohet me aleatët britanikë. Ai aty takoi ministrin e Jashtëm dhe siç u tha, të dy biseduan për shtyrjen e afatit të zbatimit të vendimit për targat e disa mijëra serbëve, të cilët mbajnë ende targat e kohës së Milosheviçit. Ministri britanik i kërkoi sërishmi zotit Kurtit shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, duket qartë se amerikanët, britanikët dhe gjermanët kanë frikë se Serbia mund të ndikohet nga lufta në Ukrainë dhe të destabilizojë rajonin e Ballkanit.

“Është bërë Serbia si lëkura e ujkut para një qengji. U ka futë frikën edhe Fuqive të Mëdha të perëndimit me veprimet e saj destruktive. Kjo është fatkeqësi dhe njëkohësisht duket si paradoks. Por fakti që merren me të dobëtin nga frika e të "fortit", fakti që i bien Kosovës së paqtë e që rri në punët e saj! Fakti që nuk I bëjnë presion shkaktarit të destabilitetit në Ballkan prej gati dy shekujsh, pra Serbisë! Të gjitha këto dëshmojnë për dobësinë e pozicionit perëndimor në raport me agresionin rus në Ukrainë”, shprehet Enver Bytyçi.

“Unë mendoj se nuk zgjidhen problemet duke e detyruar të dobëtin të pranojë kushtet e të "fortit"! Përkundrazi, historia na dëshmon se në këto raste problemet vetëm se krijojnë konflikte të reja. A nuk ndodhi kështu pas vendimeve të Konferencës së Parisit të viteve 1919-1920, kur "të fortit" imponuan paqen me të dobëtin?! Lindi fashizmi! Nëse ndodh që për shkak të kërcënimeve serbe t'i bëhet padrejtësi Kosovës, në vend që të zgjidhet konflikti, ai është shtyrë për një kohë tjetër. Pra konflikti është aty, fillimisht i heshtur, më pas do të dalë në sipërfaqe!”, shpjegon më tej profesor Bytyçi.

Ai thotë se presioni ndërkombëtar duhet të drejtohet ndaj Serbisë, e jo Albin Kurtit, të cilin, sipas Bytyçit, fuqitë perëndimore duan ta detyrojnë të tërhiqet nga vendimi për targat.

“Paqja i imponohet agresorëve, jo viktimave. Fuqitë Perëndimore po bëjnë të kundërtën! Sepse kanë frikë nga ariu rus dhe bebeja e tij, Serbia. Kjo nuk dëshmon forcë, as jep optimizëm. Dëshmon dobësinë e Fuqive Perëndimore. Kjo nuk duhej të ndodhte, ndryshe prishen ekuilibrat. Në rastin konkret duan të detyrojnë Albin Kurtin të tërhiqet, të mos ndërmarrë asgjë për dhjetë muaj. Në fakt Albini e shtyu zbatimin e vendimit për gjashtë muaj, deri më 21 prill 2023. Zgjodhi kohën kur barazohen dita e nata. Ato që thuhen në shtyrjen e vendimit, jo këshillat, qortimet e gjobat, për mua janë thjesht artifice me të cilat u thuhet qytetarëve se "nuk është shtyrë zbatimi i vendimit"! Vendimi është shtyrë. Jo dhjetë muaj, por gjashtë muaj! Nuk e di çfarë duan më shumë britanikët, amerikanët e të tjerët?!”, deklaron Bytyçi,

“Për mua kjo luftë nervash midis kryeministrit të Kosovës dhe aktorëve ndërkombëtarë perëndimorë ka për synim ta thyejë Albin Kurtin! Ai u thye me vendimin e shtyrjes për gjashtë muaj të zbatimit të vendimit. Por ata duan që të thyhet plotësisht, me qëllim që publiku ta lexojë qartë këtë thyerje. Kjo do të thotë se duhet thyer edhe miti i pathyeshmërisë i zotit Kurti. Për mendimin tim qeverinë e zotit Kurti e mban pikërisht ky mit pathyeshmërie, si dhe lufta kundër korrupsionit. Ndryshe do të kishte rënë shumë reputacioni i saj”, nënvizon Bytyçi.

Por si duhet vepruar dhe çfarë duhet bërë në këto raste?

“U duhet shpjeguar ndërkombëtarëve! U duhet argumentuar atyre. Ndërkohë u duhet dhënë alternativë. Alternativa është e qartë! Respektimi i shtetit, institucioneve dhe shtetësisë! Kosova është shtet i njohur për Perëndimin! Nëse nuk respektohet ky shtet i njohur, atëherë nuk respektohet as vendimmarrja britanike, amerikane etj., për ta njohur shtetin e Kosovës! U duhet thënë aleatëve se Vuçiq luan me ata më shumë sesa me Kosovën. Konfliktin e ka me ata më shumë se sa me Kosovën! Madje këtë presidenti serb e thotë vazhdimisht. Por ç'ndodh? Presioni adresohet te viktima. Kjo situatë duhet të marrë fund. Dhe për këtë lufton e duhet të luftojë qeveria, presidentja dhe institucionet e tjera të Kosovës”, thekson Bytyçi.

Për fund, ai deklaron se vërejtja duhet t’i tërhiqet edhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

“Ndërkaq duhet paralajmëruar edhe kryeministri i Shqipërisë që të heqë dorë nga mbështetja që I bën Serbisë për ta izoluar, denigruar dhe poshtëruar Kosovën. Nuk mund të lejohet që veprimet e kryeministrit të Shqipërisë të nxisin presidentin e Serbisë që ta paraqesë Kosovën si "delen e zezë" në Ballkan! Kjo po ndodh përmes propagandës së Beogradit, kur thonë se "Ne merremi vesh për çdo gjë me vëllain tonë binjak, Edi Ramën, por nuk merremi vesh me Prishtinën"! Kjo e defaktorizon Kosovën dhe e forcon Serbinë. Nëse shqiptarët e Shqipërisë zgjedhin kryeministra si ky që kemi sot, për të lobuar pro Serbisë e kundër Kosovës, atëherë kjo duhet të vajtohet me gratë e Reçit!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat