Asociacioni me kompetenca ekzekutive do të ishte kompromisi më i keq i mundshëm!

Politika

Asociacioni me kompetenca ekzekutive do të ishte kompromisi më i keq i mundshëm!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 2 nëntor 2022 Në ora: 08:02
Albin Kurti

Një nga temat e nxehta në bisedime për Kosovën është çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në fakt, kompetencat që do t’i ketë ky asociacion ose jo, ekzekutive apo edhe mundësitë e vetorganizimit të tij, si i vetëthemeluar dhe i paprekshëm nga institucionet e Kosovës.

Madje serbët pretendojnë që ai nuk mund të cenohet nga asnjë autoritet në Kosovës, përveç nëse ndonjë dokument të tij, Gjykata Kushtetuese mund ta shpallë të jashtëligjshëm, përndryshe, sipas përshkrimeve të bëra duke u thirrur në dokumente jo publike, në atë variant ai është autonom, dhe se statusi i tij i ngjet njëlloj kushtetuteje.

Edhe më e papranueshme, se kjo është, rreziku që vjen nga vetgjenerimi i të drejtave të tyre.

Marrëveshja për formimin e një asociacioni që do t’i bashkonte dhjetë komuna që banohen me shumicë nga serbët në Kosovë, cilësohet si një ndër marrëveshjet më problematike në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Formimi i një asociacioni njëetnik është antikushtetues, sepse ne kemi një kushtetutë qytetare, jo nacionale, dhe karakteri i shtetit është multietnik, sipas germës kushtetuese.

Prandaj, Qeveria e Kosovës është kundër një asociacioni njëetnik, ndërsa Serbia këmbëngul që të formohet dhe kërkon që të ketë kompetenca ekzekutive.

Në lidhje me Asociacionin, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se e mbështetë “çdo iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Presioni ndaj Kosovës për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe është rritur dhe nga komuniteti ndërkombëtar kanë thënë se në Evropë ka modele të ndryshme, të cilat do të mund të aplikoheshin edhe në rastin e këtij asociacioni.

Serbët përveç shumë të drejtave të tjera, i kanë 10 vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës, dhe po ashtu të drejtën ekskluzive, shumicën e dyfishtë kushtetuese, sipas së cilës asnjë ligj nuk mund të miratohet nëse nuk e kalon votën e dyfishtë, të shumicës së deputetëve të pakicave, kur ai ligj i prek interesat e komuniteteve. Po ashtu as Kushtetuta e Kosovës nuk mund të ndryshohet pa votën e dyfishtë të pakicave.

Mirëpo, a duhet që Kosova ta kushtëzojë formimin e Asociacionit me vendet e garantuar në Kuvend për pakicën serbe, me votën e dyfishtë në Kuvend?

Burjani: Asociacioni më shumë ngjason në institucione paralele se sa legal si i tillë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet juristi Blerim Burjani.

Image
Blerim Burjani

Ai për gazetën tha që nuk duhet të bëhet kushtëzimi për formimin e Asociacionit me vendet e
garantuara në Kuvend, me votën e dyfishtë në Kuvend.

“Jo, për shkak se vendet e rezervuara kahere janë larguar, ndërsa ato të garantuara vështirë se mund të hiqen. Deri më tash nuk ka pas gatishmëri. Asociacioni është problematik, jo i arsyeshëm dhe i rrezikshëm për kushtetutshmërinë dhe shtetin juridik”, u shpreh ai.

Më tej, juristi thotë që formimi i asociacionit do të lë pasoja për sistemin juridik të Kosovës si dhe institucionet e vendit.

“Asociacioni ka pasoja për sistemin juridik të Kosovës dhe rendin dhe ligjin dhe vendimmarrjen në institucione. Asociacioni më shumë ngjason në institucione paralele se sa legal si i tillë”, tha Burjani për "Bota sot”.

Ahmeti: Asociacioni komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive do të ishte kompromisi më i keq i mundshëm

Ndërsa analisti politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive do të ishte kompromisi më i keq i mundshëm.

Image
Hidajet Ahmeti

“Asociacioni komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive do të ishte kompromisi më i keq i mundshëm, pasi do të krijonte institucione dualiste, të cilat potencialisht do të krijonin jo funksionalitet institucional dhe gërryenin sovranitetin e shtetit”, theksoi analisti.

Ndër të tjera ai shtoi që Kosova ka aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin, mirëpo që sipas analistit nuk duhet lejuar që të bëhet kompromis pasi dëmtohet vet shteti ynë.

“Por, mendoj se e kemi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese mbi marrëveshjen për Asociacionin, e cila bie ndesh me frymën kushtetuese. Kjo do të ishte gjuha më arsyeshme e institucioneve të Kosovës në raport me Serbinë dhe faktorin ndërkombëtar. Çdo tendencë për ta injoruar këtë aktgjykim apo përpjekje për ndryshime kushtetuese do të ishte fatale për të ardhmen e Republikës së Kosovës. Asnjë kompromis nuk do të ishte i arsyeshëm jashtë rendit kushtetues e ligjor të ndërtuar për këto vite, por as me votën e dyfishtë të komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës”, përfundoi Ahmeti për "Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat