“Villat në Brezovicë lidhen me Fondet e Mërgatës: Hashim Thaҫi dhe Azem Syla me banditët e tjerë grabitën gjithҫka”

Politika

“Villat në Brezovicë lidhen me Fondet e Mërgatës: Hashim Thaҫi dhe Azem Syla me banditët e tjerë grabitën gjithҫka”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 2 nëntor 2022 Në ora: 14:30
Villat e sekuestruara në Brezovicë

Pak kohë më parë është bërë e ditur se janë sekuestruar disa villa në Brezovicë dhe se aksioni me gjasë do të vazhdojë. Këtë aksion e ka komentuar edhe publicisti dhe njëherit zëdhënësi i LDK-së në Gjermani, Idriz Zeqiraj.

Ai thotë se në Parkun kombëtar të Brezovicës, bujshëm, janë sekuestruar 76 vila dhe aksioni vazhdon.

“Termi aksion na kujton "punën me goditje të përqendruara",  siç quheshin aksionet në kohën e hoxhizmit, në Shqipëri, që nënkupton një punë "shkel e shko"! Është njoftuar se janë arrestuar edhe disa persona për këtë rast, "Brezovica". Dhe, nuk është hera e parë. Megjithatë, ndërtimet kanë vazhduar, madje, jo vetëm në -Zonën e tretë-, por, edhe në të dytën! E, mbi të gjitha, aksion rezulton të jetë një "sekuestrim të përkohshëm!", thotë ai.

Image
Idriz Zeqiraj

Zeqiraj thotë se në këtë rast veçohen për pronësi vilash vëllezërit e ish-presidentit Hashim Thaçi.

“ Asgjë e jashtëzakonshme. Bartja, fshehja e pasurisë, në emër të familjarëve, të kushërinjve, miqëve e shokëve, tashmë është bërë, normë. Por, këtu shtojmë burimet e pista të pasurisë. Lëvizja Popullore e Kosovës, (LPK), për ta konkuruar dhe sabotuar Fondin shtetëror, të shprehur në 3 %-in, hapi Fondin, me emër emocinal, "Vendlindja thërret", por, pa caktuar shumën inkasuese. Pagesat në Fondin shtetëror, bëheshin vetëm përmes xhirollogarisë përkatëse. Dhe, vetëm për aksione emërtuese, mblidheshin me komision, deri në 5 (pesë) anëtarë. Edhe dorëzimi, bartja e parave në bankë, bëhej me komision. Ndërkohë, lista emërore e donatorëve, shumëzohej dhe dorëzohej gjithësecilit, për mundësi verifikimi, në çdo rast e kohë”, theksoi ai.

Zëdhënësi i LDK-se thotë se, përkundër, Fondi i Lëvizjes, "Vendlindja thërret", edhe pse kishte xhirollogari rrjedhëse, mbizotëronte vjelja e parave dorazi, xhepave! T`ua besosh paranë LPK-së, është njësoj sikur "t`ia varësh ujkut qengjin në qafë!" Fondi "Vendlindja thërret", aktivitetin vjelës të parave e kishte më shumë në Gjermani e Zvicër. Pastaj u zgjërua në Evropë, Amerikë, Kanada, e gjetkë, deri në Australinë e largët.

“Veterani i Lëvizjes, Ibrahim Kelmendi, ishte i pari në administrimin e Fondit. Ka pasur edhe ndeshje të brendshme, për tërheqje parash, të paautorizuar, siç ishte rasti i 30 mijë markave, për të vëllanë Qerimin, pjesë e ilegalës. Puçi brenda Lëvizjes ndodhi, kur klani i mbizotëruar nga drenicarët, të prirë nga Hashim Thaçi, me qëndrim në Zvicër, i ndihmuar nga Tirana zyrtare, më saktë, social-komunistët e presidentit Mejdani dhe kreut i SHISH-it, Klosi, Kryesia e vjetër, klasike, e LPK-së, u shkarkua. Puçistët nuk u mjaftuan me kaq, por i akuzuan edhe për tradhti, sidomos kushërinjtë Ibrahim Kelmendi e Muhamet Kelmendi; dajë e nip Fazli Veliu e Ali Ahmeti dhe të tjerët, me ndonjë përjashtim, si Xhavit Haliti e Adem Grabovci. Hashimi me bandën e tij, bllokoi Fondin, me kërcënimin e hapur se "jemi në luftë dhe çdo kundërshtim paguhet me kokë". I vetmi që dënoncoi, publikisht, në gazetë, sjelljen puçiste të bandës Thaçi, ishte magjistër në drejtësi, Muhamet Kelmendi, tani Doktor”, thotë Zeqiraj.

Ai theksoi poashtu se, Grupi i Drenicës, me Hashimin dhe Azem Sylën, me banditërit tjerë, grabitën gjithçka: Kryesimin e LPK-së; Fondin "Vendlindja thërret"; fletushkën përçarëse dhe antikombëtare, "Zëri i Kosovës", siç do ta quante, zemërplasur, Kadri (Os)Mani, i burgosuri politik shumë-vjeçarë, krijesën e tij me shokë, meqë grupi ynë ilegal, botoi numrin e parë, në një bodrum të Prishtinës.

“Grupi i Drenicës, me gjuhë force, "çau rrethimin" edhe në Zvicër. Shefi i Fondit "Vendlindja thërret", Jashar Salihu, u kushtëzua me jetë, me gjithë familje, për ta dorëzuar Fondin komplet. Ai u kishte premtuar bashkatdhetarëve " se do të jemi transparent, për çdo qindrakë të shpenzuar". Fjalë boshe. Askush nuk i dha llogari atij dhe as kontribuesëve, për milionat e gatshme, të marra përdhunshëm. Edhe vdekja e përshpejtuar e tij, është përfolur bollshëm. Në stilin, tashmë, të njohur Hashim dallaverja, e shpalli Jashar Salihun "Hero të Kosovës", edhe pse nuk ishte pjesë e luftës, për të mbuluar pisllëqet numerike të presidentit monstrum”, rrëfen Zeqiraj për ‘Bota sot’.

Ai thotë se Fondet e Mërgatës, janë fort të lidhura me rastin "Brezovica" të Shtimjes dhe të brezovicave tjera, kudo në Kosovë dhe jashtë saj. Disa komandantë kriminelë, të babëzitur për gjak të kundërshtarëve politikë, pushtet e pasuri, kinse, në emër të luftës. Por, ka rezultuar se në asnjë rast, nuk janë përdorur për nevojat e luftës.

“Shantazhi kërcënues kriminal, i bandës të LPK-së, siç ishin letrat të hedhura në kutinë postare, në adresë të ministrave institucionalë, ke dera e jashtme e Përfaqësisë të Kosovës, në rrugën "Skënderbeu", në Tiranë: "Për tradhti ndaj Atdheut, në emër të popullit, jeni të dënuar me vdekje. Në rastin më të parë, do të ekzekutoheni! SHP i UÇK"!  Ministrat e Qeverisë, të prirë nga kryeministri i tyre, Bukoshi, duke qenë "në gojën e ujkut", të sulmuar nga LPK-ja dhe të pambrojtur nga Tirana zyrtare social-komuniste, u dorëzuan miliona  marka, disa "komandantëve" kriminelë e mujëshorë, madje, edhe në muajt e fundit të luftës. Procesi "Tokat" të ish-shefit të SHP të UÇK-së, Azem Syla, me shokë, si dhe procet tjera në Drenicë, Llap, Dukagjin e gjetkë, janë dëshmi vetëfolëse, të grabitjes dhe vjedhjeve industriale, të pasurive të brezave shqiptarë”, vlerëson ai.

Zeqiraj thotë më tutje se, ‘në intervistën-libër, "Lëvizja, një lindje e përgjakur", prej tej 300 faqësh, të eksponentit të LPK-së, Ibrahim Kelmendi, flet për 4 (katër) milionë marka, të dorëzuara vëllait të madh të Hashimit, Gani Thaçit. Më gjithë kërkesat e përsëritura, për të mësuar për "fatin" e parave, ka pasuar heshtja, pa dhënë asnjë përgjigje kurrë. Për këtë rast, autori i intervistës në fjalë, jepë edhe emra të tjerë të pranishëm’.

“Për rastin "Brezovica", është publikuar, në portalin "Bota sot", tabelari emëror të pronarëve të vilave. Aty gjenë emra politikanësh dhe të tjerë, që nuk janë emra publikë. Përvoja e deritanishme, e "kalimit pa u lagur", për afera super-korruptive, lënë për të dyshuar edhe për rastin në fjalë, për të përfunduar me shprehjen urtake: "U mbars mali dhe polli një mi"”, thekson për ‘Bota sot’, Idriz Zeqiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat