Procesi i Berlinit, ogur i mirë për shqiptarët- Kosova me qëndrimin kundër “Open Balkan” i shpëtoi invazionit serbo-rus

Politika

Procesi i Berlinit, ogur i mirë për shqiptarët- Kosova me qëndrimin kundër “Open Balkan” i shpëtoi invazionit serbo-rus

M.Lakna Nga M.Lakna Më 3 nëntor 2022 Në ora: 10:47
Kryeministrat Edi Rama e Albin Kurti në Samitin e Berlinit

Ka nisur Samiti i Berlinit i themeluar në kryeqytetin e Gjermanisë nga ish Kancelarja Angela Merkel.

Për herë të parë këtë samit e drejton kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe merr pjesë edhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Në samit pritet të nënshkruhen tri marrëveshje, për diplomat, kartat e identitetit dhe kualifikimet.

Të tri këto marrëveshje ishin gjithashtu objekt i asaj që ne e njohim me emrin “Open Balkan”.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi ka thënë për gazetën “Bota sot”, se kjo do të thotë se Ballkani i Hapur ishte thjesht një mekanizëm për ta abroguar Samitin e Berlinit.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Sipas tij, ringjallja e Samitit të Berlinit pas shumë kohësh ka një domethënie të jashtëzakonshme.

“Së pari jep fund një nisme absurde e pro-serbe si “Open Balkan”. Duke i dhënë fund kësaj nisme, rajoni rikthehet në normalitetin e marrëdhënieve të tij. Në Ballkanin e Hapur nuk ishin të pranishëm tri vende të Ballkanit Perëndimor, Kosova, mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina. Ndërkohë që ajo nismë krijoi një përçarje politike të spektrit politik shqiptar në rajon.

Duhet pranuar se roli i Gjermanisë në eliminimin e këtyre konflikteve në rajon është i jashtëzakonshëm, ndërkohë që aktorë të tjerë të botës perëndimore ishin të lëkundur sa i përket njohjes, promovimit dhe mbështetjes së iniciativës së presidentit serb për të promovuar një Jugosllavi të re. Ishte menduar se kancelari gjerman, Scholz, nuk do të rikthente vëmendjen e vendit e të qeverisë së tij nga Iniciativa e Procesit të Berlinit, por ndodhi e kundërta”, shprehet profesori.

Ai shton se Samiti i sotëm në Berlin është rifillimi dhe ringjallja e një iniciative, të cilën Aleksandër Vuçiq, Edi Rama dhe Soros deshën ta varrosin.

Kjo ringjallje është ogur i mirë për shqiptarët në veçanti. Në vend të ombrellës ruse e serbe, tashmë rikthehet kujdesi i veçantë i Berlinit zyrtar për fatet e Ballkanit Perëndimor. Rikthimi I kësaj vëmendjeje është me rëndësi jetike për drejtësinë, paqen dhe sigurinë në rajonin tonë”, potencon profesori.

Së dyti, ai shton se Samiti I Berlinit i bën bashkë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor me garanci gjermane e evropiane.

“Kemi parasysh se aty është edhe Presidentja von der Leyen. Ajo është shefja e ekzekutivit ose qeverisë së përbashkët evropiane. Për pasojë ky samit do të mbështesë iniciativat rajonale pa dallim midis shteteve. Madje, rritet edhe financimi për zhvillimin e këtyre vendeve. Pjesëmarrja dhe prania e Brukselit në Berlin është tregues I asaj se të dy këto qendra punojnë bashkë dhe koordinohen perfekt sa I përket rajonit tonë. Në këtë rast shqiptarët, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut ndjehen komod dhe të pa kërcënuar”, nënvizon ai.

Bytyçi thekson se “Open Balkan” i kërcënonte shqiptarët, jo vetëm shtetin e Kosovës, por edhe vetë Shqipërinë, sepse iniciativat serbe të Ballkanit të Hapur tashmë e bënë efektin e tyre të përkohshëm me situatën dramatike në bujqësinë shqiptare.

“Ndërkohë i hapën rrugë investimeve serbe e ruse në vendin tonë. Ndërsa Kosova me qëndrimin e saj kundër, i shpëtoi këtij lloj invazioni serbo-rus.

Edhe “Open Balkan” ka nënshkruar marrëveshje për kartat e identitetit dhe diplomat, si dhe për kualifikimet. Por ato marrëveshje nuk kanë mekanizëm detyrues. Aq më tepër kur këto marrëveshje ishin vetëm midis Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në këtë rast janë pjesëmarrëse të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ka një mekanizëm garantues për këto marrëveshje dhe nuk janë në dorën e presidentit serb ose kryeministrit shqiptar ato”, shprehet profesori.

Së treti, Ai thekson se marrëveshjet dhe bashkëpunimi i Procesit të Berlinit do të shoqërohet nga monitorimi i BE-së dhe Gjermanisë, si dhe do të financohet prej tyre.

Kjo është garancia kryesore e suksesit të këtij procesi. Ndërkohë që rikthimi te ky proces siguron se nuk do të përsëritet ndonjë gabim i fazës së parë. Pra, do të shfrytëzohet eksperienca e kaluar që kjo iniciativë e Procesit të Berlinit të jetë tashmë e suksesshme”, potencon Bytyçi.

Samiti i radhës është projektuar të mbahet në Tiranë dhe ky projeksion sipas profesori nuk është i rastit.

“Ideja është që Tirana të shkëputet nga ndikimi i “Open Balkan” dhe të detyrohet të heqë dorë vullnetarisht nga ajo iniciativë e shpifur serbe. Prandaj sot në Berlin, pas samiti, së bashku me Scholz dhe von der Leyen në konferencë shtypi do të jetë edhe kryeministri I Shqipërisë, Edi Rama!”, përfundon profesori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat