Çfarë skenari po përgatit Serbia me inskenimin e dronëve?/ Ja çfarë po fshihet pas mobilizimit të ushtrisë serbe!

Politika

Çfarë skenari po përgatit Serbia me inskenimin e dronëve?/ Ja çfarë po fshihet pas mobilizimit të ushtrisë serbe!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 3 nëntor 2022 Në ora: 11:57
Foto ilustrim

Serbia i është rikthyer një strategjie agresive kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Intrigat dhe dezinformimet serbe janë rikthyer në shtratin e tyre ‘biologjik’, aty ku bota serb e ka të ndërtuar mitin e saj.

Ndërsa, Kosova po vihej nën trysninë ndërkombëtare, të disa vendeve të Kuintit, që të shtyhej afati për ndalimin e targave ilegale të lëshuara nga Serbia me simbole të regjimit të Millosheviçit, Serbia ka kaluar në një ofensivë për të fajësuar Kosovën, nëpërmjet një skenari të saj apo i bërë me ndihmën e Rusisë, me të cilin po përpiqet ta fusë Kosovën në konflikt të armatosur. Në fakt ajo po synon të krijojë pretekstin për sulm të armatosur në veri të vendit.

Ishte vetë ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, i cili deklaroi se presidenti Aleksandar Vuçiqi kishte urdhëruar ngritjen e gjendjes së gatishmërisë, dhe që aeroplanët të jenë të gatshëm për të sulme, përfshirë rrëzimin e dronëve, që nuk dihet ende nga kush u lansuan, por që Ministria e Mbrojtjes së Kosovës e ka mohuar në mënyrë kategorike.

Madje Serbia, të mërkurën, ka pretenduar se e ka rrëzuar një dron brenda territorit të saj, por përveç pohimeve të Serbisë, askush nuk e ka marrë seriozisht si një mundësi, që droni të ishte hedhur në fluturim nga institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës.

Shala: Çdo veprim që merr një shtet tjetër në territorin e tij, nuk duhet të shqetësohet Kosova e assesi të bie pre e provokimeve

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Image
Drizan Shala

Ai për gazetën tha që Kosova nuk duhet të bie pre e provokimeve të Serbisë pasi ajo në vazhdimësi po kërkon që të prodhoj këso lloj situatash sepse tashmë është nën presion ndërkombëtar në raport me Ukrainën, mos dënimin e gjenocidit rus, dhe mos vënien e sanksioneve Rusisë.

“Çdo veprim që merr një shtet tjetër në territorin e tij, nuk duhet të shqetësohet Kosova e assesi të bie pre e provokimeve. Serbia do të tentoje të prodhojë situata të tilla në këtë fazë dhe kohë duke paraqitur si të domosdoshme retoriken dhe veprimet në terren sepse sipas tij bashkësia ndërkombëtare është duke bërë presion mbi procesin e Kosovës etj”, u shpreh ai.

Eksperti i sigurisë më tej, thotë që detyrë e institucioneve është që të vazhdojnë punën e tyre si deri më tani.

“Pra institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë të kryejnë punët e tyre për çka janë të thirrur, ndërsa në anën tjetër një koordinim më të ngushtë me KFOR-in nga ana e Ministrit të Brendshëm që të shkëmbehen informacione relevante, për çka janë të thirrur organet vendore dhe ndërkombëtare për të siguruar një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha eksperti i sigurisë, Drizan Shala për “Bota sot”.

Hoxha: Serbia përmendi dronët vetëm për të shpërndarë panik

Image
Hafir Hoxha

Ndërsa ish-komandanti i UÇK-ë, Hafir Hoxha në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Vuçiqi ka mobilizuar forcat ushtarake vetëm për t’u munduar ta frikësoj Kosovën.

“Vuçiq mobilizon ushtrinë për politikë të brendshme serbe, dhe mendon se mundet me frikësu Kosovën që plotësisht gabim e ka! Kosova me forcat e veta të armatosura, FSK-n dhe Njësitë e Policisë së Kosovës dhe strukturat tjera të sigurisë janë struktura profesionale dhe logjike që rregullisht kujdestarojnë dhe janë në gjendje gatishmërie. Vuçiqi e bën këtë gjest më shumë për politik të brendshme, tu jep moral pak njësive të veta, të nxjerrin ndonjë mëditje shtesë pasi pagat i janë shumë të ulëta. E bënë këtë mobilizim për të zhvilluar presion psiqik tek shqiptarët në Kosovën lindore për çka shteti i Shqipërisë dhe i Kosovës duhet të reagojnë nëse paraqiten, defilojnë forcat e armatosura serbe në vendbanime me shqiptarë”, thotë ai.

Ish-komandanti tutje shpjegon që gatishmëria luftarake mund të nënkuptojë edhe lëvizjet e njësive të caktuara në pozicione të paracaktuara jashtë garnizonit dhe kazermës.

“Praktikisht, ky lloj i “ngritjes së forcave të armatosura në gatishmëri” nënkupton një sërë masash dhe detyrash. Kjo nënkupton, ndër të tjera, grumbullimin e ekipeve luftarake, vendosjen e gatishmërisë, thirrjen e personelit nga pushimet vjetore dhe ditët e pushimit, një regjim më të fortë roje... që në kazerma të luajnë shah dhe të marrin pak mëditje sepse rrogat i kanë të vogla! Gatishmëria luftarake mund të nënkuptojë edhe lëvizjet e njësive të caktuara në pozicione të paracaktuara jashtë garnizonit dhe kazermës. Por, pasi nuk ka ngacmime as lëvizje të askujt, që e prish rendin dhe sigurinë në Serbi, dalja eventuale e forcave të armatosura në vendbanime me shqiptarë është shtypje politike dhe gjest t’i frikësojë shqiptarët në atë pjesë për çka duhet të reagojnë Kosova dhe Shqipëria me fakte në rrugët diplomatike”, thekson ish-komandanti.

Në fund, sa i përket dronëve, ai thotë që Serbia s’ka mundësi as me i vërejtur, por kjo deklaratë më shumë me bë panik dhe me tregu se e vëzhgon integritetin ajror të Serbisë dhe kanë se ka armatim për rrënimin e dronëve.

“Kurse, dronët për të cilët ai thotë se kanë vëzhguar pozicionet e ushtrisë serbe janë vetëm pretekst ndoshta për të nxit konflikt eventual. NATO, dronët që i përdorë Serbia s’ka mundësi as me i vërejtur, por kjo deklaratë më shumë me bë panik dhe me tregu se e vëzhgon integritetin ajror të Serbisë dhe kanë se ka armatim për rrënimin e dronëve. Këta munden me bërë spektakël që vet me ngritë ndonjë dron të tyre dhe me e rrëzu dhe me paraqitë si sukses të tyre kinse kanë rrëzuar dron të huaj”, përfundoi ish-komandanti i UÇK-së, Hafir Hoxha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat