Paralajmërohet shkatërrimi i PDK-së/ Analisti tregon planin me Fatmir Limajn

Politika

Paralajmërohet shkatërrimi i PDK-së/ Analisti tregon planin me Fatmir Limajn

Nga: P.R Më: 3 nëntor 2022 Në ora: 21:18
Fatmir Limaj

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka deklaruar se në Partinë Demokratike të Kosovës ka njerëz që e duan kthimin e Fatmir Limajt si kryetar i kësaj partie.

“Jo. Unë mund të konfirmoj që nuk ka asgjë formale, zyrtare. Çfarë flasin njerëzit, unë nuk kam të drejtë as t’i kundërshtoj, po se ka shumë njerëz të PDK-së që e duan Fatmir Limajn kryetar”, deklaroi Sherifi.

Se Limaj duhet të kthehet në PDK, ditë më parë e tha edhe ish-nënkryetari i PDK-së, Ramë Buja.

E sot, njëri ndër njerëzit kryesor në PDK, ish nënkryetari i kësaj partie, Sami Lushtaku dhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj e kanë kaluar pasditen bashkë.

Ka qenë kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, ai i cili e ka publikuar fotografinë e të treve bashkë, të shoqëruar me mbishkrimin, “Një pasdite, çaj me miq!”.

Sami Lushtaku ishte një prej atyre që kishte kërkuar koalicion zgjedhor mes PDK-së dhe Nismës dhe i kishte bërë thirrje Limajt që të rikthehet në PDK.

“Unë jam i vetmi në parti që e kam dëshirën që Limaj të jetë pjesë e PDK-së. Jam deri në skaj në idenë që PDK-ja të shkojë me Nismën në koalicion. Fatmirin e kam shok dhe e respektoj shumë. Kërkesa ime ishte që të mos ketë Nismë fare, që Limaj të vijë në PDK, por nuk e di nëse do të realizohet”, kishte thënë Lushtaku para zgjedhjeve të 14 shkurtit në vitin 2021.

Por sa ka gjasa që Fatmir Limaj të rikthehet përsëri në PDK? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti politik, Gani Qarri.

Image
Gani Qarri.

“Megjithëse për momentin nuk ka asgjë zyrtare, habit fakti se si Bilall Sherifi, sekretar i përgjithshëm i një partie të dështuar e cila ka rënë edhe nën pragun ligjor të përfaqësimit në Kuvend si grupacioni i ashtuquajtur Nisma, të deklarojë se ka njerëz në PDK që kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj, e duan në krye të partisë më të madhe opozitare, pra PDK-së”, shprehet Qarri.

Sipas tij, me rikthimin eventual të Limajt si kryetar i PDK-së, atëherë kjo parti përfundimisht do të shkonte drejt shkatërrimit të plotë.

“Duke pasur parasysh greminën ku ka rënë vet "Nisma", të lë pa mend një hipotezë qoftë ajo edhe vetëm hipotetike, se një kryetar i një partie të dështuar, u kërkuaka të vendoset në krye të partisë së dytë për nga numri i deputetëve dhe aktualisht më të madhes opozitare në vend, e cila nëse është e vërtetë, mund të jetë bërë vetëm për ta shkatërruar tërësisht edhe PDK-në dhe zbritur edhe atë nën pragun zgjedhor, për t`iu bashkuar filalës dhe simotrës së vet, të ashtuquajturës "Nisma" aspak famoze”, thotë Qarri për “Bota sot”.

Por kush qëndron prapa idesë së rikthimit ë Limajt në PDK?

“Prapa kësaj teze të çuditshme mund të qëndrojnë të pakënaqurit me kryesinë e re të partisë, e cila qoftë edhe vetëm si deklaratë provokuese, nga Bilasll Sherifi, prapa këtij plani nuk besoj të ketë mundësi, që të jenë edhe Thaçi e Veseli, pasi që edhe me kthimin e mundshëm të Fatmir Limajt me krejt elektoratin prej 1-2 autobusësh në PDK”, thekson Qarri.

“Madje Limaj si kryetar do të nxiste tensione të papërshkruara dhe çonte në ndarjen e copëtimin përfundimtar të PDK-së në filiala rajonale dhe rënien e saj nën pragun zgjedhor”, përfundon për “Bota sot” analisti politik, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat