Skenarët e rrezikshëm që Lista serbe me Beogradin po i zhvillon / Bojkotimi i institucioneve nga Lista, çfarë thonë ekspertët?

Politika

Skenarët e rrezikshëm që Lista serbe me Beogradin po i zhvillon / Bojkotimi i institucioneve nga Lista, çfarë thonë ekspertët?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 4 nëntor 2022 Në ora: 08:03
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, si dhe anëtarët e kësaj partie, Dalibor Jevtiq dhe Igor Simiq.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, ka suspenduar nga detyra drejtorin rajonal të policisë në veri, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë për qortimin e shoferëve me vetura me targa ilegale me simbole të regjimit të Millosheviçit.

Vendimi i parapriu hetimi i Inspektoratit të Policisë, të cilët vërtetuan shkeljen flagrante të zbatimit të detyrave dhe urdhrave në zinxhirin komandues nga Gjuriqi. Ky një ditë më herët deklaroi se nuk do ta zbatojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës sepse sipas tij është vendim politik.

“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, ka thënë Gjuriq.

Për suspendimin e tij, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla i cili deklaroi se refuzimi për zbatimin e vendimeve të institucioneve, paraqet një cenim të rëndë të sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës.

“Policia e Kosovës është një dhe të gjithë pjesëtarët e saj duhet të kenë të njëjtin mision: sundimin e ligjit dhe krijimin e ambientit të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim. Nuk do të lejojmë asnjë veprim që cenon këtë mision dhe bashkë me Policinë e Kosovës do të vazhdojmë zbatimin e tij”, ka thënë ai.

Serbia e ka shfrytëzuar këtë vendim, për të bërë propagandë dhe gënjyer, duke sulmuar Kosovën, dhe Kushtetutën e saj.

Lista Serbe ka paralajmëruar largim nga institucionet e Kosovës në veri, teksa u tha se vendimi për suspendimin e Gjuriqit ishte "i paligjshëm".

“Të gjithë ne kemi hyrë në institucionet e Kosovës sepse kjo ka qenë pjesë e Marrëveshjes së Brukselit, dhe duke pasur parasysh se Prishtina nuk i respekton marrëveshjet e nënshkruara, është e qartë se nuk kemi çfarë të kërkojmë në ato institucione sepse është e qartë se Prishtina shkel secilën prej tyre”.

Tërnava: Kërcënimi i Listës serbe për braktisjen e institucioneve të Kosovës, mund të shkaktoj trazira

Eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava për “Bota sot” thotë se regjistrimi i veturave të serbëve me targa RKS duhet të bëhet sepse deri më tani e mbi 23 vite janë të regjistruara veturat me targa të atij sistemi, të shtetit të Jugosllavisë, i cili as që ekziston më.

Image
Hajrullah Ternava

“Situata e ndërlikuar në këtë kohë rreth targave legjitime të Kosovës, e që e kanë qëllimin nga ana e kosovarëve që targat ilegale që qëndrojnë nëpër veturat e regjistruara të popullatës serbe nëpër komunat ku janë ata, të banuara me popullatën serbe, në ato pjesë të veriut, që tani e mbi 23 vite janë të regjistruara me targa të atij sistemi të shtetit të Jugosllavisë, që ai shtet nuk ekziston më, prandaj ato targa duhet të largohen nëpër ato vetura, dhe të regjistrohen me targa legale me regjistrim RKS, në përputhshmëri me ligjet e Kosovës”, thotë ai.

Sipas tij, kërcënimi i Listës Serbe se mund të braktisë institucionet e Kosovës mund të shkaktojë trazira të qëllimshme.

“Kërcënimi i Listës serbe për braktisje të institucioneve të Kosovës, mund të shkaktoj trazira dhe bojkotime të ndryshme. Drejtori i shkarkuar i policisë në stacionin në veri, i cili refuzoi zbatimin e urdhrit të Qeverisë për shpërndarjen nga policia të qortimeve për targat ilegale, shkeli ligjin, sepse policia e Kosovës është një, unike dhe vepron sipas Ligjit për policinë në tërë territorin e Kosovës, dhe me policin komandon Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Policisë, dhe vetëm urdhrat hierarkike të këtij institucioni në lidhshmëri me ligjin duhen të jenë funksional dhe të jetësohen në praktikë dhe të respektohet nga i gjithë populli i Kosovës. Nuk duhet të zbatohen qëndrimet politike të institucioneve komunale, të cilat janë në kundërshtim me Ligjin e Policisë së Kosovës”, deklaron ai.

Në fund, Tërnava shton se Serbia po e mban gjithmonë situatën e tensionuar në pjesët veriore, por ndërkombëtarët duhet ta kushtëzojnë Serbinë me njohje të Kosovës si produkt i bisedave të deritashme që ishin të pasuksesshme deri më tani.

“Politikat serbe që nga çlirimi i Kosovës qysh nga viti 1999 e deri më tani, gjithnjë tentojnë ta mbajnë gjendjen e tensionuar në këto pjesë të territorit të Kosovës, prandaj me këto veprime të tanishme ata si gjithnjë po tentojnë që ta mbajnë gjendjen e tensionuar në këto pjesë të veriut, dhe sikur që po ballafaqohen tani qytetarët e asaj pjesë ku jetojnë, dhe kush e ka regjistruar veturën me targa RKS, po iu vihet flaka atyre veturave, dhe tani popullata në ato pjesë është e hutuar dhe nuk po di si të veprojë, edhe që numër i madh i tyre vepron në harmoni të Listës serbe, sepse nga ata janë të kërcënuar dhe i marrin edhe urdhrat se si të veprojnë, e kur dihet se Lista serbe është produkt i Qeverisë serbe dhe kryetarit të saj Vuçiq, prandaj ndërkombëtarët tani duhen ta kenë një rol funksional më të ashpër rreth kësaj çështje, dhe të ndikojnë në përfundimin e bisedimeve të mëtutjeshme, dhe Serbia të kushtëzohet me njohje reciproke me Kosovën si produkt i bisedave të deritashme që ishin të pasuksesshme deri më tani, dhe njëherë e përgjithmonë të vie deri te njohja reciproke e këtyre dy shteteve, dhe tani gjithçka do të marrin fund këto veprime antiligjore që po i ndërmerr Lista serbe”, përfundon eksperti i sigurisë për “Bota sot”.

Shala: Involvimi i UNMIK-ut në këtë pjesë duke tentuar të luaj rolin e ndërmjetësuesit

Njohësi i çështjeve të sigurisë Drizan Shala, paralajmëron skenar të rrezikshëm, pasi sipas tij mund të ketë reagime të papritura pas vendimit të Listës Serbe, që do ta shpall të shtunën.

Image
Drizan Shala

Ai parasheh se do të ketë bllokimi të rrugëve dhe cenim të sigurisë si pasojë e vendimit për targa.

“Skenarët që mund të provohen në veri të vendit:

1.Bojkotimi i veprimeve sigurisë (nuk i përgjigjen hierarkisë institucionale drejtorët e policisë dhe policët në veri të vendit).

2. Largimi nga niveli qendror (parlamenti, qeveria) i subjektit Lista Serbe, hapi i dytë.

3. Hapi i tretë, largim nga niveli lokal (kryetarët e komunave nuk i përgjigjen nivelit qeveritar në veri të vendit).

4. Bllokimi i rrugëve dhe cenimi i sigurisë si pasojë e vendimit për targa (siç ishte mbrëmjen e 2 nëntorit, kur është sulmuar nënstacioni policor në veri të vendit).

5. Shpallja e Asociacionit të Komunave Serbe në mënyrë të njëanshme në veri të vendit.

6. Involvimi i UNMIK-ut në këtë pjesë duke tentuar të luaj rolin e ndërmjetësuesit.

7. Kërkim takimi në mes Presidentit të Serbisë dhe presidentit të asociacionit të komunave më shumicë serbe.

Pra, nëse bazohemi në rrjedhjen që ka ndodhur dhe është duke ndodhur ky skenar ka probabilitet të lartë për të dalur dhe bazuar në këtë skenar të ngjashëm me premisa 99% të sakta që ka ambasada amerikane, e cila pastaj ka kërkuar një shtyrje për vendim të targave që mos të lejohet një situatë e tillë e mundshme”, shpjegon eksperti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat