Nxitëse dhe ushtruese e dhunës, analistët paralajmërojnë fundin e frikshëm të Listës Serbe

Politika

Nxitëse dhe ushtruese e dhunës, analistët paralajmërojnë fundin e frikshëm të Listës Serbe

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 4 nëntor 2022 Në ora: 14:53
Lista serbe

Një ditë pasi Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin në tri faza për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe RKS, kanë ndodhur incidente.

Në orët e hershme të datës 2 nëntor, Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë pranuar informacione për vënien e zjarrit dhe djegien e një veture me targa RKS – Republika e Kosovës – në Zubin Potok, pronar i së cilës ka qenë një qytetar i komunitetit serb.

Ky rast nuk është i vetmi, autoritetet në Kosovë kanë thënë se nga 1 shtatori deri më 27 tetor kanë regjistruar edhe tri incidente të tjera të sulmeve ndaj serbëve që i janë përgjigjur kërkesës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, të regjimit të Millosheviçit.

Përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë - nuk kanë reaguar për djegien e makinave dhe pronave të banorëve serbë.

Kjo në mënyrë indirekte i bën fajtorë ata, nëse jo si organizatorë, atëherë si mbështetës të dhunës në heshtje.

Lista Serbe po ushtron dhunë të organizuar

Analistët politikë e quajnë Listën Serbe jo vetëm nxitëse të dhunës, por edhe ushtruese të saj, gjersa shtojnë se asaj duhet t’i tregohet vendi përmes ndërkombëtarëve, dhe Amerikës në veçanti.

Analisti politik, Skender Zogaj, e quan Listën Serbe byro politike të organizatave kriminale serbe që veprojnë në Kosovë.

Image
Skender Zogaj

Sipas Zogajt, ajo e ka shfrytëzuar Kosovën për porositë anti-shqiptare të Beogradit.

Lista Serbe është Byroja politike e organizatave kriminale serbe që veprojnë në Kosovë. Kjo çështje dihet, por institucioneve kosovare u ka munguar kompetenca e duhur për t'i hulumtuar dhe marrë masa adekuate. Lista Serbe e ka shfrytëzua situatën dhe dy dekada shfrytëzon Kosovën si poligon dhe po realizon shkëlqyeshëm porositë antishqiptare të Beogradit. Dëmet janë të mirënjohura, të shumta dhe konkrete, shumë të mëdha, deri edhe te humbjet e jetëve!”, ka deklaruar Zogaj.

Lista Serbe është urdhëruese dhe bashkëpjesëmarrëse e akteve kriminale, sipas Zogajt.

Ai ka shtuar se organet e drejtësisë duhet të veprojnë ndaj saj.

“Lista Serbe nuk e ka fshehur aktivitetin e saj kriminal asnjëherë, ajo hapur vazhdon ta mohojë shtetin e Kosovës, pra vepron nga pozita banditeske, jo vetëm e nxitjes së dhunës, por e ushtrimit të dhunës, sepse, Lista Serbe është urdhëruese dhe bashkëpjesëmarrëse e akteve kriminale. Pse organet e rendit dhe të drejtësisë nuk veprojnë, nuk e di, por, jam i bindur se, është koha kur duhet të marrin masat e duhura ligjore, në ndjekjen dhe zbardhjen e rasteve konkrete, dhe pa asnjë hezitim, duhet të merren masat ndëshkuese ndaj të gjithë atyre që jo vetëm nxisin dhunë por edhe ndaj të gjithë atyre që prishin rendin dhe qetësinë publike”, ka pohuar Zogaj.

Emisarët nga Lista Serbe nuk duhet të tolerohen më, sipas Zogajt, sepse ata hipin mbi barrikadat e dhunshme të urdhëruara nga Beogradi.

“Shumë më shumë policia duhet të angazhohet në hulumtimin e elementeve destruktive dhe të bëjë kallëzimin e tyre, në mënyrë që kriminelët serbë ta kuptojnë se Kosova nuk është Serbi! Emisarët nga Lista Serbe nuk duhet më të tolerohet që të hipin mbi barrikadat e dhunshme të urdhëruara nga Beogradi, ndërsa të mbajnë ligjërata të shpifura duke akuzuar shqiptarët për padrejtësitë që u bëhen në Kosovë!”, ka përfunduar Zogaj.

A po i vjen fundi Listës Serbe?

Në ditën kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit që përmban tri faza, për riregjistrimin e makinave me targa që i lëshon Serbia dhe konvertimin e tyre në targa RKS, apo Republika e Kosovës, kishte reaguar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Ai thotë se do të donte të shihte përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që “të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në depërshkallëzimin”, e situatës në Kosovë.

“Për shembull, duke u shpjeguar qytetarëve serbë të Kosovës realitetin se në Kosovë duhet të përdorin targa të Kosovës”, ka shkruar Rohde në Tvitter, më 1 nëntor.

Ndërsa, analisti politik Halil Geci, pjesëtarët e Listës Serbe i ka quajtur kriminelë, gjersa ka shtuar se ata janë në listën e zezë të Amerikës.

Image
Halil Gaci

Sipas Gecit, politika e Kosovës duhet të ketë bashkëpunim që t’i godas ata që prishin rendin kushtetues.

“A po i vjen fundi Listës Serbe, Listë kjo e cila po i minon të gjitha proceset dhe bën thirrje gjithmonë për dhunë, bojkot dhe kryengritje. Unë mendoj se para ligjit të gjithë jemi të barabartë. Amerika po e heton Presidentin Tramp për thirrje dhune, e mos të flasim për kriminelët e Listës serbe që janë në listën e zezë të Amerikës. Prandaj politikës kosovare ju duhet konsensusi dhe bashkëpunimi në mes të pozitës dhe pozitës për t’i goditur të gjithë ata që e prishin rendin kushtetues”, thotë Geci.

Geci ka kërkuar arrestimin e të gjithë atyre që dëmtojnë, djegin dhe dhunojnë pronën e tjetrit, pavarësisht nga vijnë dhe kush janë.

Listës Serbe, e cila në vazhdimësi është nxitëse e dhunës duhet t’i tregohet vendi, kërkon Geci, duke shtuar se kjo arrihet përmes bashkëpunimit me ndërkombëtarët dhe veçmas me Amerikën.

“Bashkimi i pozitës dhe opozitës është domosdoshmëri për ta ndryshuar Kushtetutën dhe për t’ua larguar nga dora vendet e falura serbëve të Kosovës. Prandaj, të gjithë ata që prekin dhe dëmtojnë, djegin dhe dhunojnë pronën e tjetrit duhet të arrestohen dhe të dënohen. Pavarësisht nga vijnë dhe kush janë. Nëse shteti nuk zbaton ligjet dhe nuk mbron pronën dhe jetët e qytetarëve atëherë për çfarë shteti dhe për çfarë ligjesh bëhet fjalë. Listës Serbe, e cila në vazhdimësi është nxitëse e dhunës duhet t’i tregohet vendi, por në bashkëpunim me ndërkombëtarë e veçmas me Amerikën. Shtrembërimi i qëllimshëm i fakteve nga Serbia gjithmonë po nxitë dhunë përmes grupeve kriminale dhe listës të zgjedhur të saj, prandaj duhet larguar vendet e pa merituara për serbët, të cilët deri më sot kanë treguar se janë kanceri i Kosovës”, ka përfunduar Geci.

Kujtojmë, se me 1 nëntor ka filluar zbatimi i planit që përmban tri faza, për riregjistrimin e makinave me targa që i lëshon Serbia dhe konvertimin e tyre në targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Serbia, e cila ushtron kontroll mbi serbët në veri, i kundërshton ato dhe insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Ndërkaq, Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë - ka paralajmëruar rezistencë të ashpër qysh në momentin kur do të shqiptohet gjoba e parë lidhur me targat.

Po ashtu, ajo ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri dhe vendkalimet kufitare me Serbinë, në rast se autoritetet e Kosovës konfiskojnë automjetet me targa të lëshuara nga Serbia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat