Largimi i serbëve “hap lufte”, Spahiu tregon hapat që duhet të ndërmarr Qeveria tani

Politika

Largimi i serbëve “hap lufte”, Spahiu tregon hapat që duhet të ndërmarr Qeveria tani

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 5 nëntor 2022 Në ora: 21:34
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Përfaqësuesit serbë në Kosovë që nga dita e sotme nuk do të jenë më pjesë e institucioneve të shtetit.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë sot se dorëheqjet përfshijnë pozitat në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, dhe ato të gjyqësorit e Policisë së Kosovës në veri.

Katër komunat me shumicë serbe në veri janë: Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku.

E ndaj veprimeve të serbëve kanë reaguar qeveri, e presidencë, pozitë e opozitë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se përfaqësuesit e Listës Serbe nuk pritën 21 nëntorin, por nisën kërcënimet.

“Përfaqësues të Listës Serbe para një jave kanë thënë që do të organizojnë rezistencë të ashpër kundër gjobave. Mirëpo, nuk e pritën 21 nëntorin: Beogradi nisi kërcënimet dhe përgatitjet për destabilizimin e Kosovës. Prandaj, diçka tjetër është në pyetje. Është e qartë se për çfarë bëhet fjalë: presidenti i Serbisë ka gënjyer dhe ka zhgënjyer amerikanët dhe evropianët; ai shumë shpesh takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd. Serbia duke mos qenë vend demokratik po bëhet vegël e Kremlinit. Po ashtu, duket që ish zëdhënësi i partisë së Milosheviqit, tash ministër i jashtëm i Serbisë, është më i pushtetshëm sesa ish ministri i informatave të Milosheviqit, tash presidenti i Serbisë. Kjo është betejë personale e tyre për pushtet, as për qytetarët dhe as për shtet”, ka thënë Kurti.

Kurse, presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se tërheqja e ministrave, deputetëve dhe e pjesëtarëve të komunitetit serb nga Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe Policia e Kosovës është akt kundër demokracisë, sundimit të rendit e ligjit.

Ndërsa, analistët politikë thonë se ky është një hap lufte.

Nexhmedin Spahiu, analist politik ka thënë për “Bota sot”, se Kosova është në rrezik, pas veprimit të serbëve.

Sipas tij, kjo do të thotë acarim i situatës.

Ndërsa, duke folur rreth çka duhet të ndërmarrë Qeveria, pas vendimit të serbëve, ai thotë se duhet t’i zëvendësojë.

“Është në rrezik, sepse kjo do të thotë hap lufte. Kjo do të thotë acarim i situatës dhe tashmë varet kush është më i fortë. Thjeshtë Qeveria duhet të di si t’i zëvendësojë institucionet, t’i ketë njerëzit e gatshëm që t’i zëvendësojnë ato institucionet që i kanë lëshuar serbët”, ka theksuar Spahiu.

Image
Nexhmedin Spahiu

Kurse, nëse duhet të kërkuar ndihmë nga ndërkombëtarët për këtë situatë, Spahiu është shprehur se Kosova duhet ta dëshmojë se është shtet i pavarur dhe sovran.

“Nuk duhet të prit ndihmë nga ndërkombëtarët, kjo sepse, ne themi se jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe kemi ndërmarrë masa për regjistrimin e makinave, e kështu me radhë, i kemi bërë pa ndërkombëtarët, por si vend i pavarur dhe tani duhet edhe ta realizojmë edhe pavarësinë”, ka përfunduar Spahiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat