Vendimi i Kurtit që ‘trazoi’ edhe ndërkombëtarët – Kosova po gjen mbështetje të fuqishme nga ky shtet!

Politika

Vendimi i Kurtit që ‘trazoi’ edhe ndërkombëtarët – Kosova po gjen mbështetje të fuqishme nga ky shtet!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 6 nëntor 2022 Në ora: 14:47
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për targat ilegale serbe ka nxitur reagime të shumta, madje edhe reagime ndërkombëtare.

Serbët fillimisht kanë provokuar duke ua djegur veturat atyre serbëve që luajal ndaj Kosovës, që i kanë regjistruar me RKS.

Ndërkohë, situata ka marrë rrjedhë dramatike, pasi serbët e orkestruar nga Beogradi në zbatim të programeve serbomëdha në përpjekje për ta fajësuar Kosovën në dialog, i kanë braktisur thuaja të gjitha institucionet e Republikës tonë, nga ato politike deri tek ato të drejtësisë.

Por, para këtyre zhvillimeve Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Albin Kurti, u duk se morën mbështetje të papritur nga Britania e Madhe. Kryeministri Kurti u ftua nga Qevberia britanike, ku pati takime të shumta, kryesorin me ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly.

Vizita u bë në kulmin e tensioneve dhe kërkesave fillimisht nga Kuinti, që të shtyhej për 10 muaj vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e targave ilegale, edhe pas një vendimi me shkallëzim.

Në ndërkohë, pas kthimit nga Britania e Madhe, erdhi mbështetja e parë publike e plotë për vendimin e shkallëzuar për ndalimin e targave ilegale serbe, nga ambasadori i Britanisë të Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

Ambasadori Abbott, tha se, vendim i Qeverisë së Kosovës është legjitim.

Sipas tij, është vepër penale zjarrvënia e veturave që janë të regjistruara në RKS.

“Zjarrvënia ndaj pronës së individëve që kanë regjistruar automjetet e tyre në targa RKS është vepër penale dhe mënyrë e gabuar për të shfaqur pakënaqësi ndaj politikës legjitime të Qeverisë”, ka thënë Abbott, përcjell gazeta “Bota sot”.

Zjarrvënia ka vazhduar ndaj pronave të serbëve luajal ndaj shtetit të Kosovës, madje kryesisht atyre policëve që janë pjesë e Policisë së Kosovës. E fundit ka ndodhur, sipas policisë, me datën 6 nëntor rreth orës 04:00, të mëngjesit të hershëm sot, se është djegur qëllimisht një objekt (shtallë), pronë e një pjesëtari të policisë së Kosovës, me banim në Donje Kërnjen në Leposaviq.

Përkrahja e ardhur një aleat i madh siç është Britania, mund të parashikohet se ky vendim i Qeverisë së Kosovës mund të mbesë në fuqi dhe mbase nuk do të ndryshohet, pavarësisht presionit për ta shfuqizuar atë.

E këtë çështje e komentuan analistët Sulejman Mehazi dhe Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Mehazi: Shkuarja e befasishme e kryeministrit Kurti në Britani pastroi dilemat, se, Qeveria e Kosovës është kundër BE-së e SHBA-së

Image
Sulejman Mehazi

 

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se pas vizitës së Kurtit dhe deklaratës së ambasadorit Abbott, mund të thuhet se Britania e Madhe është në anën e Kosovës.

“Shkuarja e paparalajmëruar e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit në Britani nuk ishte e paqëllimshme, përkundrazi vizita e Kurtit gjeti përkrahje të madhe nga funksionarët më të lartë të Britanisë, po ashtu takimi me deputetët dhe partitë politike me ndikime qeverisëse në Parlamentin e Britanisë së Madhe dhe deklarata e ambasadorit britanik, Abot, japin shenja të qarta përkrahëse të veprimeve politike e diplomatike të Albin Kurtit, se Qeveria e Britanisë është në anën e Kosovës jo vetëm ndaj lëvizjeve të fundit politike e juridike për targat ilegale serbe, por edhe ndaj veprime të përgjithshme politike të Qeverisë së Kosovës”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Mehazi potencoi se me veprimet e fundit Qeveria e Kosovës nuk është kundër BE-së e SHBA-së, por është kundër serbëve të veriut, të cilët me targat e Millosheviqit bëjnë krime të paparashikueshme biznesesh.

“Shkuarja e befasishme e kryeministrit Kurti në Britani pastroi dilemat, se, Qeveria e Kosovës është kundër BE-së e SHBA-së, se nuk është e vetmuar dhe se përkrahet nga një fuqi e madhe sikurse që është Britania e Madhe, se me veprimet e fundit Qeveria e Kosovës nuk është kundër BE-së e SHBA-së, por është kundër serbëve të veriut, të cilët me targat e Millosheviqit bëjnë krime të paparashikueshme biznesesh ekonomike e sigurie për të rrezikuar mëvetësinë e Kosovës. Kjo u vërejt nga vetë elita politike e Britanisë së Madhe, të cilët jo që i përkrahin hapur veprimet e Kurtit ndaj targave të Millosheviqit, por edhe janë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në NATO”, nënvizoi profesori.

Ndër të tjera, ai hodhi dyshime se në Londër mund të jetë arritur ndonjë marrëveshje e fshehtë se si të veprohet pas fazës së parë që është lehtësuese e këshilluese që skadon më 21 nëntor,

“Shkuarja e kryeministrit Kurti në ditët e para të vendimit të targave serbe në Londër mund të ketë ndonjë marrëveshje të fshehtë se si të veprohet pas fazës së parë që është lehtësuese e këshilluese që skadon më 21 nëntor, faza e dytë e dënimeve 150 euroshe do jetë e rrezikshme për Qeverinë e Kosovës, pasi për serbët do jetë fazë rebeluese, e padurueshme, e konflikteve dhe refuzimeve ndaj dënimeve, dhe, është e mundur që për shkak të situatës së përkeqësimeve në veri Qeveria e Kurtit të rishikojë e anulojë vendimin për një kohë të mëtutjeshme

Faza e dytë, pas 21 nëntorit, do jetë më e rrezikshme dhe është e mundur të ndodhin gjëra të paparashikueshme nga serbet e rebeluar të Kosovës dhe Serbisë”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Mehmeti: Britania njihet si vend që respekton sovranitetin e çdo populli, sidomos të Kosovës

Image
Faton Mehmeti

 

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti në prononcimin e tij për “Bota sot” thotë se deklaratat e ambasadorit britanik janë sinjale që shteti britanik respekton vendimet e Qeverisë së Kosovës.

“Natyrisht se janë mbrojte, më tepër do të thosha janë respektim i vendimeve të pavarura të Qeverisë së Kosovës. Britania njihet si vend që respekton sovranitetin e çdo populli, sidomos të Kosovës për të cilën ka kontribuar vetë shumë”, u shpreh analisti.

Po ashtu, Mehmeti beson se vendimi për targat ilegale serbe do të mbetet në fuqi, pasi me seriozitetin e saj, Kosova vetëm sa po fiton poena politik.

“Kështu që, Britania përmes ambasadorit Abbott rikonfirmojnë pozicionin e Britanisë në respektim të vendimeve sovrane. Natyrisht se kjo mbështetje për Kosovën do të thotë shumë. Vendimi do të mbetet në fuqi, janë vendime të pavarura dhe si të tilla do të vazhdojnë të mbesin. Me dinjitetin dhe seriozitetin e saj, Kosova vetëm sa po fiton poena politik edhe më shumë”, përfundoi Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat