Presidentja t’i shpallë zgjedhjet për katër komunat në veri / Të spastrohet politika serbe nga krimi i organizuar

Politika

Presidentja t’i shpallë zgjedhjet për katër komunat në veri / Të spastrohet politika serbe nga krimi i organizuar

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 7 nëntor 2022 Në ora: 11:46
Presidentja, Vjosa Osmani

Veprimet antiinstitucionale e antishtetërore të zyrtarëve dhe nëpunësve serbë, përfshirë të përfaqësuesve politik, në Kuvend dhe në katër komuna në veri të Kosovës, kanë krijuar një situatë të re politike, pasi institucionet duhet të funksionojnë sa më parë.

Braktisja e përnjëhershme kërkon edhe zgjidhje politike, por krahas kësaj duhet të veprohet për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjet. Postet publike, si të kryetarëve të komunave dhe të këshilltarëve të kuvendeve apo edhe të deputetëve në Kuvendin e Kosovës duhet të plotësohen. Derisa deputetët mund të zëvendësohen me kandidatët në listat në pritje, sipas votave të fituara në zgjedhjet nacionale, për kuvendet komunale dhe për kryetar komunash e vetmja mundësi është shpallja e zgjedhjeve atje.

Përfaqësuesit e serbëve që dominohen plotësisht nga Lista serbe, e kontrolluar haptazi nga Serbia, po ashtu kanë vendosur të largohen edhe nga të gjitha institucionet tjera të Kosovës, Qeveria, gjyqësori, policia, administrata etj.

Arsyeja sipas tyre është një vendim i Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe KM (Mitrovicë e Kosovës) etj., në targat RKS – Republika e Kosovës.

Megjithatë, pas dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave veriore dhe asamblistëve, ligji e parasheh – mes tjerash – edhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Sipas ligjit bëhet e ditur se pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës ose shkarkimit të Kryetarit të Kuvendit, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh te Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga Presidenti/-ja e Kosovës.

Kësisoj, pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës zgjedhjet e parakohshme shpallen jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërbërjes. Zgjedhjet e parakohshme nuk ,mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë (45) ditë pas shpërbërjes

Mirëpo a do të ketë zgjedhje lokale?

Burjani: Zgjedhjet mund të mbahen nëse dorëheqjet janë bërë me shkrim

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani.

Image
Blerim Burjani

Ai u shpreh se legalisht mund të mbahen zgjedhjet, mirëpo nëse dorëheqjet janë të bëra me shkrim, por deri më tani kemi vetëm dorëheqje para mediave.

“Legalisht po, nëse dorëheqjet janë me shkrim, brenda 45 ditëve duhet të mbahen zgjedhjet lokale, pra duhet të mbahen zgjedhjet. Presidentja duhet t’i shpallë zgjedhjet.

Si duket dorëheqja është e kushtëzuar me revokim të vendimit për targa dhe revokimin e vendimit për shkarkimin e komandantit të policisë, pra duhet dorëheqjet të jenë me shkrim, deri më tash ka vetëm dorëheqje para mediave”, u shpreh ai.

Më tej, juristi thotë që obligohen të njoftojnë zyrtarisht presidenten e Kosovës për të ndërmarr procedura të tjera.

Obligohen të njoftojnë zyrtarisht presidenten e Kosovës për të ndërmarrë procedura të tjera për caktimin e datës së zgjedhjeve si dhe autorizimin për KQZ-në për fillimin e procedurave”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

Mehazi: Problemi më i madh i Qeverisë së Kurtit do të jenë komunat serbe

Ndërsa, profesori, Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që institucionet e Kosovës duhet të mbajnë zgjedhje dhe të zëvendësohen me kuadro të reja.

Image
Sulejman Mehazi

Largimi dhe dorëheqja e serbëve nga të gjitha institucionet e Kosovës: Qeveria, Kuvendi, policia, kryetarët e komunave, këshillat komunale të qyteteve me shumicë serbe në veri, e kanë kuptimin e mosnjohjes së Republikës dhe Qeverisë së Kosovës, dhe me këtë rast institucionet e Kosovës janë të detyruara që këto vende të zbrazura institucionale të zëvendësonte me kuadro të reja të pakicave apo me serbë që e njohin Kosovën si shtet të tyre”, thotë profesori.

Më tej, ai thekson që problemi më i madh i qeverisë së Kurtit do të jenë komunat me shumicë serbe, të cilat kanë mbetur pa koka udhëheqëse, kështu që duhet me procedurë të shpejtë të shpallin zgjedhjet lokale.

Problemi më i madh i zëvendësimeve të kuadrove për qeverinë e Kosovës nuk është dorëheqja e Rakiqit dhe e policëve serbë, që, lehtësisht e shpejt mund të zëvendësohen me serbë që e njohin Kosovën apo me pakicat tjera, por problemi më i madh i qeverisë së Kurtit do të jenë komunat serbe, të cilat kanë mbetur pa koka udhëheqëse për shkak se duhet kohë për t'u zëvendësuar, kështu që kryeministri Kurti me kryetarin e parlamentit, Konjufcën, duhet me procedurë të shpejtë të shpallin zgjedhjet lokale për kryetarë dhe këshilltarë të Kuvendeve Komunale serbë në veri”, potencoi ai.

Në fund profesori u shpreh se pa njohjen e Kosovës askush prej pakicave serbe nuk mund të bëhet kryetar i këtyre komunave me shumicë serbe.

Presicenca jo që duhet të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme lokale për ato katër komuna me shumicë serbe, por parlamenti i Kosovës, urgjentisht, duhet të nxjerr ligjin, se, kandidatët për prefekt në këto komuna duhet ta njohin Republikën e Kosovës, pa njohjen e Kosovës askush prej pakicave serbe nuk mund të bëhet prefekt i këtyre komunave me shumicë serbe”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat