Zhvillimet dramatike në veri/ “Nuk ka rrugë të mesme në këtë situatë”, Bytyçi tregon çka ka vendosur Vuçiq

Politika

Zhvillimet dramatike në veri/ “Nuk ka rrugë të mesme në këtë situatë”, Bytyçi tregon çka ka vendosur Vuçiq

Nga: Petrit Rudi Më: 7 nëntor 2022 Në ora: 14:18
Protesta ne veri

Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar, pasi serbët lokalë vendosen që të largohen nga të gjitha institucionet, përshirë edhe Policinë e Kosovës.

Madje gjatë ditës së djeshme, në Mitrovicë të Veriut është mbajtur edhe protestë nga qytetarë të komunitetit serb në Kosovë, për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

E mes tensionesh, Ministri i Brendshëm i Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla ka deklaruar se në pjesën veriore të Kosovës ka persona të shërbimet sekret serb i njohur si BIA, dhe atij rus GRU.

“Kemi informata se elemente të BIA-s organizojnë grupet e ekstremistëve edhe GRU-u është aty. Ka edhe ekstremist aty. Qeveria e Serbisë punon për të minuar sovranitetin dhe integritetin e Kosovës qoftë në aspektin diplomatin apo shkelje të ligjit në Kosovë, duke mobilizuar dhe organizuar grupe kriminale”, tha Sveçla.

Kurse sipas profesor, doktor Enver Bytyçit, agjentët e BIA-s serbe dhe GRU-së ruse kanë qenë në vazhdimësi në veri të Kosovës.

“Ngjarjet që po ndodhin në Kosovë me largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës janë ngjarje që dëshmojnë për ndikimin e Rusisë dhe shërbimeve sekrete të saj në veri të vendit e në të gjithë Kosovën. Shërbimi serb BIA dhe shërbimi GRU kanë qenë aty gjithmonë. Thjesht këto kohë kanë dalë sheshit dhe provokojnë me destabilizimin e rajonit. Pra është demonstrimi i forcës në një situatë absurde”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Por pse doli në shesh prania e tyre pikërisht tani?

“Sepse Aleksandër Vuçiq kërkon t’u thotë evropianëve e amerikanëve se nuk dëshiron marrëveshje me Kosovën. Sepse Beogradi dëshiron që Kosovën të mos e sundojë ligji, por Vuçiqi! Sepse presidenti i Serbisë është i angazhuar në shërbim të GRU-së dhe politikave ruse! Sepse ai nuk dëshiron të vendosë sanksione! Kësisoj Aleksandër Vuçiq me veprimet e tij, me manipulimin e serbëve të veriut të Kosovës dhe Listës Srpska kërkon të shantazhojë jo Kosovën, aq sa Perëndimin. Shkurt Vuçiq ka marrë një vendim: - Në mes Evropës e Amerikës të zgjedhë Rusinë!”, thekson Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se qeveritë e kaluara kanë bërë lëshime pas kërcënimeve të vazhdueshme të Vuçiqit.

“Për Kosovën ky alarm ka ekzistuar gjithmonë, madje që nga data 13 qershor 1999! Ka ekzistuar kur Kosova ishte protektorat i OKB-së dhe pas shpalljes së pavarësisë. Por liderët politikë para zotit Kurti kishin frikë të ballafaqoheshin me sfidën e veriut. Sa herë Beogradi provokonte, liderët e shkuar lëshonin sovranitet të Kosovës në favor të Beogradit. Kështu Vuçiq ishte mësuar që të nënshkruante marrëveshje në Bruksel, e pastaj të impononte marrëveshje për të mos zbatuar marrëveshjet e mëparshme. Ky është edhe rasti i marrëveshjes për targat e dokumentet”, shprehet Bytyçi.

“Dhe të gjitha këto lëshime i trashëgoi qeveria aktuale. Por paradoksi është se edhe pse fajtorë, edhe pse kanë nënshkruar e vepruar në favor të sovranitetit serb në Kosovë shumë opozitarë fajësojnë kryeministrin Kurti për diversionet dhe arrogancën e Aleksandër Vuçiq! Në vend që të fajësohen bashkëpunëtorët e presidentit të Serbisë, fajësohet Albin Kurti dhe presidentja Osmani pse këta janë të vendosur për të respektuar dhe forcuar sovranitetin shtetëror të institucioneve të Kosovës në të gjithë territorin e vendit”, shpjegon më tej profesor Bytyçi.

Bytyçi thotë se në Kosovë opozita duhet të mbështet qëndrimet e kryeministrit Kurti, e jo të dalë kundër tij.

“Shihni deklaratat e tri partive opozitare dhe të bashkëpunëtorit të Edi Ramës pa deputetë, Fatmir Limaj! Të gjithë flasin me gjuhën e Vuçiq. Madje një farë Dardan Molliqaj arrin deri atje sa kritikon Kurtin për “Ndarje etnike” në Kosovë. As Vuçiq nuk e ka thënë deri sot një akuzë të tillë! Në vend që politikanët pozitë-opozitë të bashkohen për të përballuar kërcënimet e BIA-s, GRU-së dhe presidentit të Serbisë, ata janë pozicionuar kundër zbatimit të ligjit e pro Vuçiqit! Nuk ka rrugë të mesme në situatë si këto që po zhvillohen në Kosovë: - Ose me qeverinë për të rezistuar në favor të sovranitetit dhe integritetit shtetëror edhe në veri të vendit, ose me Vuçiqin për ta shkatërruar këtë sovranitet e integritetet territorial të vendit!”.

Sipas tij Bytyçit, shumë intelektualë janë duke përhapur panik në Kosovë.

“I thonë kreut të qeverisë “Ose lësho pe ndaj Serbisë, ose ne jemi të pafuqishëm ta përballojmë një situatë tensioni e konflikti”! Po lexoj lemerisje të tilla në shumë statuse. Kosova duhet t’i mbajë shënim të tilla statuse, për të dalluar frikacakët, të cilët mburren me gjakun e dëshmorëve dhe refuzojnë ta realizojnë ëndrrën e tyre për lirinë e vendit. Është makabre kjo që po ndodh! Kryeopozitarë dhe opozitarë që janë gati ta shohin në Kosovë çizmen e ushtarëve e policëve serbë, me kushtin që Albin Kurti të ikë nga pushteti! Në vend që t’i japin mbështetje qeverisë dhe institucioneve në forcimin e sovranitetit në veri të Kosovës, këta njerëz spekulojnë me Amerikën dhe me gjithkënd tjetër, me qëllim që të fajësojnë qeverinë, në vend që të bashkohen për ta sprapsur provokimet e presidentit të Serbisë”, shprehet Bytyçi, i cili shton se të mos kuptosh lëvizjet e Aleksandër Vuçiq është më shumë se naivitet.

“Vuçiq shkoi në Kishën Ortodokse. Mori me vete edhe pro-rusin e pandrequr, Ivica Daçiq. Takoi ambasadorin rus dhe kinez. Ndërsa me Chris Hill foli në telefon për t’i thënë se është pro-Vladimir Putin! Dhe dalin politikanë e analistë në Kosovë e në Shqipëri dhe i kërkojnë Albin Kurtit të tërhiqet nga vendimet për zbatimin e ligjit. Sepse në vend të ligjit duan Vucciiqin! Kjo është tragjedia më e madhe që luhet në teatrin e Kosovës së sotme dhe nuk janë agjentët e BIA-s apo të GRU-së, të cilët kanë qenë e do të jenë aty për shumë kohë. Në vend që këta agjentë të përballen me frymën përbashkuese të politikës e të qytetarëve të Kosovës, i gëzohen faktit se jo pak intelektualë e politikanë të këtij vendi ende thonë “Ne nuk mundemi të përballemi me Serbinë”! Nëse nuk përballesh, së paku mos bashkëpunoni me Serbinë, të dashur politikanë dhe mjeranë së bashku!”, përfundon për “Bota sot” profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat