Dorëheqjet e krerëve të komunave me shumicë serbe, KQZ tregon hapat që do t’i ndërmarrin

Politika

Dorëheqjet e krerëve të komunave me shumicë serbe, KQZ tregon hapat që do t’i ndërmarrin

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 7 nëntor 2022 Në ora: 19:36
Kryetarët e dorëhequr të komunave me shumicë serbe

Krerët e komunave në veri të Kosovës janë dorëhequr dje, pas njoftimit të Listës Serbe për tërheqje nga institucionet e Kosovës.

Pas dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave veriore dhe asambleistëve, ligji e parasheh – mes tjerash – edhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Bazuar në Ligjin për Zgjedhjet Lokale, në nenin 4, pika 1, thuhet se kryetari i Kosovës cakton dhe shpall datën e zgjedhjeve lokale.

Sipas po të njëjtit ligj, bëhet e ditur se pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës ose shkarkimit të Kryetarit të Kuvendit, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh te Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga Presidenti i Kosovës.

Kësisoj, pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës zgjedhjet e parakohshme shpallen jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërbërjes. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30), ditë dhe jo më vonë se dyzet e pesë (45), ditë pas shpërbërjes.

“Zgjedhjet e parakohshme qeverisen përmes ligjeve të njëjta dhe rregullat e KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveç se KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore në rast se kjo nevojitet për shkak të rrethanave”, thuhet ndër të tjera në nenin e katërt.

Zëdhëndësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë për “Bota sot”, se ata do t’i përmbushin detyrimet kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve, pasi të shpallen nga Presidentja.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrimet kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve pasi ato të shpallen nga Presidentja e Republikës së Kosovës. - KQZ-ja do të presë shpalljen e zgjedhjeve për të filluar me përgatitjet intensive të tyre. Si në çdo proces tjetër zgjedhor”, është shprehur Elezi.

Image
Zëdhëndësi i KQZ-së, Valmir Elezi

Ai ka treguar hapat të cilët do t’i ndërmarrë KQZ-ja për organizimin e zgjedhjeve. Gjersa ka shtuar se KQZ nuk ka buxhet të planifikuar për këto zgjedhje, prandaj sipas Elezit, ata duhet të kërkojnë nga Qeveria për shumën.

“KQZ-ja fillimisht miraton planin operacional, në të cilin listohen të gjitha aktivitetet të cilat duhet të realizohen për organizimin e këtyre zgjedhjeve. - Këto janë zgjedhje të paplanifikuara, prandaj KQZ-ja nuk ka buxhet. Në raste të tilla, sikurse në të kaluarën, KQZ-ja përgatit kërkesën për Qeverinë e Kosovës me shumën e planifikuar”, ka shtuar Elezi.

Kosova në një situatë të njëjtë ishte gjendur edhe më parë. Kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit patën dhënë dorëheqje, duke kundërshtuar vendimin e asaj kohe të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, më 2019.

Rrjedhimisht, presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, kishte shpallur datën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, ishin mbajtur më 19 maj të 2019-s.

Ligji për vetëqeverisje lokale e bën të qartë se kur përfundon mandati i kryetarit të komunës.

I njëjti mandat kryhet kur kryetari jep dorëheqje apo nëse nuk paraqitet në punë për më shumë se një muaj pa arsye.

Në anën tjetër, ende nuk është bërë e qartë se si do të veprojë presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani.

Lidhur me këto zhvillime në veri të vendit, Osmani, i ka konsideruar dorëheqjet si veprime të Serbisë me qëllim të destabilizimit të veriut të Kosovës.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje serbëve që të mos braktisin institucionet e Kosovës dhe që të mos jenë pre “e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”.

Dorëheqje përveç kryetarëve të komunave veriore dhanë edhe asambleistët në këtë rajon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat