“Opozita po i ikën përgjegjësisë shtetërore” / “Kush don që veriu të jetë nën kontrollin e rakiçëve”?

Politika

“Opozita po i ikën përgjegjësisë shtetërore” / “Kush don që veriu të jetë nën kontrollin e rakiçëve”?

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 8 nëntor 2022 Në ora: 14:15
Foto nga takimi i Kurtit me opozitën

Një skenar i përpunuar mirë nga Serbia, ka krijuar një situatë dramatike në Kosovë, dhe veçanërisht në veri.

Të dielën serbët në veri të Mitrovicës, mbajtën një protestë kinse për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Protestës i priu kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq, e cila parti është tërhequr nga të gjitha institucionet e Kosovës. Tërheqja u pasua edhe me largimin nga vendet e punës të gjykatësve, prokurorëve, policëve, nëpunësve në administratë etj.

Kryeministri Albin Kurti, e shpjegoi si një rezultat të qëllimshëm të përpjekjeve të Serbisë për ta refuzuar planin franko-gjerman për një marrëveshje të përgjithshme Kosovë-Serbi. “Beogradi e ka refuzuar planin franko-gjerman dhe tash po bën drama për ta maskuar refuzimin”, tha kryeministri Kurti.

“... për shkak të refuzimit që ia kanë bërë Parisit dhe Berlinit, dhe për këtë po i përdorin ata (serbët në veri) që ende vazhdojnë t’i dëgjojnë, pra pjesëtarë të strukturave ilegale. Serbia është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çfarëdo marrëveshje”, tha Kurti.

Dorëheqje kanë dhënë edhe 578 policë serbë në veri, sipas ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, e po ashtu edhe 10 prokurorë të komunitetit serb të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.

Nga ana tjetër, BE-ja dhe SHBA-ja bëjnë thirrje për shmangie të tensioneve mes dy vendeve.

“Ende po i studiojmë përgjigjet nga palët, por tani prioriteti kryesor është që të ulen tensionet në terren. Ditëve të fundit kemi parë rrezikun e madh të një eskalimi, si dhe zhvillime që sjellin në rrezik të gjitha të arriturat deri më tash. Kjo mund të ketë pasoja të mëdha jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për tërë rajonin. U bëjmë thirrje të dyja palëve që të jenë në nivel të përgjegjësisë dhe të gjejnë një zgjidhje evropiane”, ka thënë Stano.

Kurse nga ambasada e SHBA-së në Kosovë, kanë deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të tregojnë gatishmëri për të gjetur zgjidhje.

Opozita me kritika të ashpra

Derisa akterë nga opozita e kanë kundërshtuar kryeministrin e Kosovës sa i përket kësaj pjese.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se edhe pse Kosova është në të drejtën e saj, duke e konfirmuar edhe miqtë tanë, por është e qartë se Kosova nuk e ka mbështetjen e miqve për kohën e ndërmarrjes së këtyre veprimeve

“Në veprimet e ndërmarra lidhur me targat e automjeteve në komunat në veri, Kosova ka plotësisht të drejtë. Këtë e kanë konfirmuar edhe miqtë. Por, është e qartë se Kosova nuk e ka mbështetjen e miqve për kohën e ndërmarrjes së këtyre veprimeve.

Nëse këto veprime të Qeverisë, që janë të drejta, por që nuk e kanë mbështetjen e miqve vetëm sa i përket kohës së ndërmarrjes së tyre, çojnë në situatë kur në vend të institucione të Kosovës aktivizohet KFOR-i e EULEX-i për të ruajtur rendin dhe sigurinë në ato komuna, atëherë është e qartë se kjo politikë e Qeverisë nuk i ka shërbyer interesave të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Kurse lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se në këtë situatë janë momentet e fundit që Kurti të reflektojë.

“Sa i përket Kurtit, janë momentet e fundit që të reflektojë dhe të ndërprejë shkatërrimin e vendit, përndryshe do të jemi të detyruar ta ndërprejmë ne, me të gjitha mjetet demokratike në dispozicion”.

Ndërkohë, që kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i ka dërguar një letër të hapur kryeministrit Kurti ku i ka kërkuar harmonizim me të gjithë akterët politikë.

“Në këtë situatë, ku epilogu është i paqartë e rreziku i përshkallëzimit është evident, komunikimi dhe harmonizimi i veprimeve të institucioneve dhe të gjithë akterëve politikë është i domosdoshëm”, ka thënë Krasniqi.

Mehazi: Është e pafalshme për PDK-në, LDK-në e AAK-në të mos e përkrahin Kurtin

Image
Sulejman Mehazi

 

Profesori Sulejman Mehazi në një përgjigje thotë se kryeministri Kurti me këtë vendim po e mbron vetëm kushtetutën e Kosovës, e mbrojtjen e saj e kanë për detyrë edhe partitë opozitare.

Sipas tij, ajo çfarë po bëjnë PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja duke mos e përkrahur Kurtin e të pozicionohen në anën e kundërt të serbëve, të cilët cenojnë rëndë kufijtë e Kosovës që me braktisjen e institucioneve të Kosovës duan dhunshëm të krijojnë asociacione ekzekutive të një mini-republike serbe në Kosovë.

“Është e patolerueshme, e turpshme në llojin e tradhtisë për partitë opozitare të kritikohet e të mos përkrahet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili me mohimin e targave serbe milosheviqiane brenda Kosovës mbron fuqishëm republikën e pavarur të Kosovës. Me targat jo serbe, e pro Kosovës, zotëri Albin Kurti nuk mbron partinë e tij të LV-së, por mbron Kushtetutën dhe shtetin e Kosovës, e kushtetutën e Kosovës e kanë për detyrë të mbrojnë edhe të gjitha partitë opozitare e jo vetëm Qeveria e Kosovës. Partitë që janë kundër ligjeve e Kushtetutës së Kosovës nuk ju lejohet të bëjnë aktivitete politike. Është e pafalshme për PDK-në, LDK-në e AAK-në të mos e përkrahin Kurtin e të pozicionohet në anën e kundërt të serbëve, të cilët i cenojnë rëndë kufijtë e Kosovës, që me braktisjen e institucioneve të Kosovës duan dhunshëm të krijojnë asociacion ekzekutiv të një mini-republike serbe në Kosovë”, thotë ai.

Ai shtron dilemën e gjithë kundërshtimeve të opozitës, se mos është që Kosova në veri të jetë nën kontrollin e rakiçave për shkak të miliona eurove të fituara të partive opozitare?

“Këtu nuk bëhet luftë partiake, por shtetërore në mes të Kosovës e Serbisë, nëse serbët e Vuçiqit janë tog, pse dhe opozita të mos bëhet bashkë me Kurtin për të mbrojtur Kosovën përndryshe partitë opozitare do të shpallen përkrahës të rrënimit të Republikës së Kosovës. Është për t'u habitur se si është e mundur që partitë opozitare të dalura nga lufta, UÇK-ja të jenë me Vuçiqin e aq kundër Kosovës, pikërisht në këto rrethana të vështira politike kur Serbia rëndë sulmon e cenon kufijtë e Kosovës?! Dilema e gjithë kundërshtimeve të opozitës mos është që Kosova në veri të jetë nën kontrollin e Rakiçave për shkak të miliona eurove të fituara të partive opozitare? Mos ndoshta kryeministri i Kosovës me anë të targave Serbe partive opozitare ua shkëput riskun e pazareve korruptive të shumave milionëshe euro të PDK-së, LDK-së e AAK-së. Si duket brenga e partive opozitare të Kosovës së bashku me kriminelët serbë të veriut janë humbjet e bizneseve të paligjshme e korruptive e jo pavarësia e plotë e Kosovës.

Qartë vërehet se partitë opozitare sulmojnë Kurtin për shkak të ndërprerjes korruptive bashkëpunuese me kriminelët serbë të veriut dhe me qeverinë e Serbisë, për opozitarët në plan të parë janë miliona euro, kurse në plan të dytë apo të tretë cenimi i kufijve të Kosovës.

PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja turpërisht janë për lekë e euro, kurse kryeministri Albin Kurti për sundimin e ligjeve të Kosovës në çdo cep të territorit, Kurti është për mbrojtjen e Kosovës nga Serbia, opozita për ruajtjen e statusit të papërcaktuar të Kosovës për shkak të bizneseve të tyre korruptive e zhvatëse me Serbinë.

Për qeverinë e Kurtit është e vlershme pavarësia e plotë e Kosovës, për opozitën është e vlershme, korrupsioni dhe bashkëpunimi me klanet serbe të veriut dhe qeverinë e Serbisë për të dobësuar, plaçkitur Kosovën me anë të targave dhe asociacioneve serbe”, deklaron profesori Mehazi.

Burjani: Opozita, shpesh më së shumti janë spektator në shumë tema shtetërore

Image
Blerim Burjani

 

Kurse, juristi Blerim Burjani për “Bota sot”, thotë se opozita sikur janë liruar nga çdo përgjegjësi e shtetit.

Sipas tij, ata po i ikin përgjegjësisë.

“Kritikon për shkak se nuk e vlerësojnë veten e tyre se janë primar në vendimmarrje, sipas tyre janë të liruar në masë të konsiderueshme nga përgjegjësia politike dhe deri diku dhe shtetërore. Ata shpesh më së shumti janë spektator në shumë tema shtetërore, i ikin përgjegjësisë. Sa i përket asociacionit, normal se e përkrahin, përderisa Albini nuk do një asociacion etnik dhe këtë e ka bërë të qartë moti, pra me emërtimin asociacion serb nuk e pranon, pra duhet të ndërrohet emërtimi.

Pra, s’ka gjasa të pranohet një asociacion monoetnik, sipas Kurtit është fakt që emërtimi etnik bie ndesh me Kartën Evropian për vetadministrim lokal, çfarë do të ndodhë pritet të shihet”, përfundon Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat