Ka grupe kriminale që mund të kryejnë sulme sporadike në veri/ Situatë e komplikuar, por çfarë mund të bëjë Policia e Kosovës?

Politika

Ka grupe kriminale që mund të kryejnë sulme sporadike në veri/ Situatë e komplikuar, por çfarë mund të bëjë Policia e Kosovës?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 8 nëntor 2022 Në ora: 19:32
Foto nga vendngjarja

“Policia e Kosovës ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara, të gjitha veprimet do t’i ndërmerr konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, konform vlerësimeve dhe planifikimeve operacionale, me qëllim të ruajtjes së rendit e qetësisë publike si dhe mbikëqyrjes dhe kontrollit kufitar”, ka thënë Policia e Kosovës pas zhvillimeve në veri të vendit, ku si pasojë kanë dhënë dorëheqje 578 punonjës policorë të komunitetit serb atje, në zonën e drejtorisë rajonale të Mitrovicës Veri.

Sipas Policisë së Kosovës, njoftimet e serbëve për dorëheqje janë bërë në rajonet dhe stacionet policore, ku disa prej tyre deri më tani i kanë dorëzuar pajisjet e tyre, për të vazhduar me kompletimin e procedurave tjera të parapara.

Tashmë kanë kaluar disa ditë që nga vendimi i Listës serbe që të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës, duke përfshirë Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.

Mbrojtje për stacionet

Njohësit e sigurisë e shohin mjaft të komplikuar situatën në veri, gjersa kërkojnë që Qeveria të bashkëpunojë me qytetarët serbë në mënyrë që ata të mbrohen nga Serbia.

Ish- drejtori i Policisë së Kosovës dhe tashmë deputet nga radhët e PDK-së, Rashit Qalaj, ka thënë se situata në komunat veriore është e komplikuar. Policia e Kosovës, sipas Qalajt, ka kapacitete për menaxhimin e situatës.

Image
Rashid Qalaj

Situata në komunat veriore është mjaft e komplikuar, sidomos pas dorëheqjes së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb. Policia e Kosovës ka kapacitete për menaxhimin e situatës, është e përgatitur edhe për këtë lloj skenari, edhe pse implementimi është mjaft sfidues”, ka deklaruar Qalaj për “Bota sot”.

Ai ka kërkuar sigurimin fizik të stacioneve policore sa më shpejt, për shkak të materialeve senzitive.

“Mirëpo, duhet që sa më shpejt Policia e Kosovës të sigurojë fizikisht stacionet policore (për shkak se aty ka materiale senzitive, dhomat e dëshmive .... ) e pastaj konformë përgatitjeve dhe vlerësimit operacional të dërgojë edhe pjesëtarë të Policisë për mbajtjen e rendit”, ka thënë tutje Qalaj.

Pas vendimit të Listës Serbe për t’u larguar nga institucionet e vendit, krerët shtetërorë të Kosovës u kanë bërë thirrje serbëve të mos jenë pre, e atyre veprimeve, që i kanë cilësuar manipulime nga ana e Serbisë.

Por, ndryshe nga krerët e Kosovës, krerët e Beogradit zyrtar kanë mbrojtur vendimin e tyre. Njohësi i sigurisë, Armend Halimi, ka thënë se veriu ka qenë i sfiduar vazhdimisht, kjo pasi sipas tij, janë toleruar nga faktori vendimmarrës vendor dhe ndërkombëtar.

Image
Armend Halimi

“Veriu i vendit është i sfiduar vazhdimisht, prej se e kanë toleruar këtë gjendje, faktori vendimmarrës vendor dhe ai ndërkombëtar. Andaj, nëse ia shtojmë edhe faktin se personat serbë të angazhuar në institucionet tona, realisht kanë qenë paralelisht edhe në shërbim të shtetit serb, nuk e bënë gjendjen në atë pjesë më të dramatizuar, ngase në cilëndo rrethanë i kanë shërbyer Serbisë”, ka pohuar Halimi.

Të lodhur nga shantazhi i Serbisë

Ka grupe kriminale që mund të kryejnë sulme sporadike për interes kriminal, ka thënë Halimi, por sipas tij, qytetarët serbë janë lodhur nga shantazhi i Serbisë.

“E mira është që flasim për persona, eventualisht grupe kriminale, që jo se ju dhembë aspekti politik, por interesi kriminal, se është në interes edhe qasja e Serbisë, ngase iu krijon lehtësira për operim kriminal të pa penguar, në anën tjetër këta persona apo grupe si kompensim ndaj shtetit serb, mund të kryejnë edhe sulme sporadike, por assesi nuk flasim për qytetarë serbë, të cilët janë të lodhur nga shantazhi i Serbisë dhe njerëzve të saj. Kështu që, në këtë gjendje të re të krijuar, Republika e Kosovës duhet të punojë ngushtë me qytetarët serbë të asaj pjese, në dalje në ndihmë ndaj tyre për mbrojtje nga Serbia”, ka shtuar Halimi për “Bota sot”.

Tensionet në veri kanë filluar që nga vendimi i Kryeministrit Albin Kurti, të mos shtyjë afatin për riregjistrim, i cili fillimisht ishte planifikuar të skadonte më 31 tetor, por më pas është prezantuar në tri faza.

Çështja e targave ilegale kishte shkaktuar tensione në veri edhe verën e kaluar, kur disa serbë lokalë kishin ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me procesin e riregjistrimit. Për të ulur tensionet, dhe me sugjerimin e komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës e ka shtyrë zbatimin e vendimit deri më 1 shtator.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat