Nga Shqipëria po ikën truri i kombit, atdheu po zbrazet/ Hidhen dyshime për një plan të qëllimshëm

Politika

Nga Shqipëria po ikën truri i kombit, atdheu po zbrazet/ Hidhen dyshime për një plan të qëllimshëm

Arife Morina Nga Arife Morina Më 9 nëntor 2022 Në ora: 08:06
Foto ilustrim

Shqipëria po përballet me një valë të madhe emigrimesh.

Shqiptarët të dëshpëruar me kushtet sociale, ekonomike dhe situatën politike, kanë filluar të marrin rrugët për shtetet e ndryshme të Evropës.

Anglia po shihet si shteti ‘shpëtimtarë’ për shqiptarët ku shumica e atyre që po largohen ia kanë mësyer këtij vendi.

Vala e madhe e emigracionit në Britani të Madhe ka nxitur reagime të shumta edhe në mediat angleze.

Madje, gazetari britanik, Kelvin MacKenzie, ka hedhur dyshime se Shqipëria po shpopullohet qëllimisht, me anë të një programi.

Sipas tij, qëllimi i vetëm është që në Shqipëri të jetojnë vetëm njerëzit e pasur.

“Është fakt interesant për Shqipërinë se në 30 vitet e fundit, njerëzit që nuk e duan Shqipërinë, janë shqiptarët. Ata janë duke e braktisur vendin për vite, tani janë ndoshta 2.7 milionë ose 2.8 milionë të ngelur. Dhe ata tani janë duke ardhur te ne. Dyshoj se Shqipëria do të shpopullohet me qëllim që vetëm njerëzit e pasur të jetojnë atje”, deklaroi MacKenzie.

Kapiti: Politikës shqiptare nuk i ka interesuar aspak interesi qytetar dhe as ai i përgjithshëm

Opinionisti nga Shqipëria, Skënder Kapiti në një prononcim për “Bota sot” foli lidhur me shpopullimin që po ndodh në Shqipëri.

Fillimisht, ai kujtoi kohën kur shqiptarët filluan emigrimin gjatë regjimit komunist, ku tregoi edhe shkaqet që i shtynë ata drejt dyndjes në shtigjet e Evropës.

Image
Skënder Kapiti

“Eksodi apo largimi e braktisja e Shqipërisë nga shqiptarët kulmoi në ditët kur ra regjimi komunist e antihuman i Enver Hoxhës, regjim i cili e kishte izoluar dhe kthyer Shqipërinë në një burg me gjemba. Populli shqiptar kishte arritur në atë derexhe në ato kohë sa që as me bukë misri nuk e ngopte barkun.

Nëse në vitet 1990 Shqipëria nuk do të ishte ndihmuar me ndihma ushqimore, dhe nëse shqiptarët nuk do të dyndeshin drejt Europës, në Shqipëri do të kishte pllakosur uria. Shteti shqiptar kishte falimentuar e dështuar dhe prandaj shqiptarët u dyndën nëpër Europë si refugjatë. Mirëpo, fatkeqësisht ky eksod dhe ky largim i shqiptarëve nga Shqipëria vazhdoi dhe vazhdon akoma edhe sot e kësaj dite”, deklaroi opinionisti.

Ndërsa, Kapiti tha se fatkeqësisht një gjë e tillë po ndodhë edhe sot, shkaku i dështimit të demokracisë dhe zhvillimit të shtetit.

Ai fajtorë për këtë gjendje e la klasën politike në Shqipëri, që sipas tij nuk kanë bërë mjaftueshëm për qytetarët e vendit.

“Kjo do të thotë se edhe gjatë këtij tranzicioni nuk dështoi vetëm demokracia, por dështoi rëndë edhe shteti shqiptar, dhe ky dështim ka autorë politikën dhe politikanët e shtetarët shqiptarë të këtyre 30 viteve. Politikës shqiptare nuk i ka interesuar aspak interesi qytetar dhe as ai i përgjithshëm; politikës shqiptare i ka interesuar vetëm interesi personal, pasurimi, vjedhja e grabitja e pasurive; politikës shqiptare i ka interesuar vetëm pushteti e paraja. Dhe një politike të tillë i shërben korrupsioni dhe kësaj politike nuk i intereson aspak zhvillimi”, theksoi Kapiti.

Po ashtu, opinionisti kritikoi ashpër kryeministrin Rama, ku shprehet se ai e shikon largimin e shqiptarëve si një mjet, i cili ia zgjat atij sundimin dhe pushtetin.

“Kjo politikë që ka arritur majat me pushtetin antishtet të Edi Ramës e shikon largimin e shqiptarëve si një mjet, i cili ia zgjat atij sundimin dhe pushtetin, pasi largimin e shqiptarëve e shikon si valvul shkarkimi të paudhësive e të korrupsionit të tij, sepse largimi i shqiptarëve nga varfëria e nga papunësia, nga pasiguria për jetën ua bën të lehtë dhe pa kokëçarje sundimin, vjedhjen, tradhtinë dhe grabitjen e Shqipërisë prej elitës politike hajdute, narkoelitës dhe prej hajdutokratëve, të cilët kanë 30 vite që e kanë kapur e pronësuar shtetin, ligjin, drejtësinë dhe ekonominë”, përfundoi Skënder Kapiti për “Bota sot”.

Mulliqi: Tema e largimit po heshtet në Shqipëri

Image
Skënder Mulliqi

Edhe analisti politik, Skënder Mulliqi bëri një ndërlidhje të ikjes së shqiptarëve sot me vitet e ‘90-ta.

Ai po ashtu e bën një krahasim mes ikjeve të shqiptarëve nga Kosova dhe Shqipëria.

“Largimet e shqiptarëve nga trojet etnike kanë një histori të gjatë dhe të dhimbshme. Regjimet komuniste pushtuese ishin të egra, sa bënë që shqiptarët të largohen masovikisht nga Kosova, e cila deri në vitin 1999 ishte pjesë e ish-Jugosllavisë. Largimet nga Kosova tash janë më ndryshe se sa kur ishim nën okupim. Dihet se sa e sa elaborate shfarosëse u hartuan për largimin dhe shfarosjen e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike. Kur bëhet fjalë për largimet nga Shqipëria që është edhe temë e këtij shkrimi, ato kanë një natyrë më ndryshe në krahasim me Kosovën. Nga Shqipëria u larguan se kishin një regjim të egër të Enver Hoxhës. U larguan nga vendi i shqiponjave edhe ajka e kombit, për shkak të persekutimeve të ndryshme”, u shpreh analisti.

Mulliqi përmendi edhe disa nga vështirësitë dhe rreziqet që ndërmorën shqiptarët ndër vite vetëm për t’u larguar nga Shqipëria, e që më pas pasuan pasoja të mëdha.

“Në demokraci prej 30 e ca vitesh nga Shqipëria janë larguar rreth 1 milion e gjysmë e qytetarëve të saj. Më shumë së gjysma e numrit të atyre që jetojnë në Shqipëri. Kjo është shifër alarmuese për një vend të vogël me territor dhe banorë. Por, edhe më shqetësues është fakti se nga Shqipëria sipas statistikave kanë shprehur dëshirën të largohen afër 50 për qind e qytetarëve, që është shqetësuese edhe për ekzistimin e qenies tonë kombëtare. Vala e emigracionit masiv ka filluar që nga viti 1991, kur ishim dëshmitarë që mijëra qytetarë ia mësyn brigjeve italiane me anije dhe skafe për tu larguar nga vendlindjet e tyre. Shumë nga ta edhe gjetën vdekjen në synim për të ikur nga Shqipëria, e sapo dalë nga kthetrat e diktaturës. Ngjarjet e trazirave të vitit 1997 provokuan valë tjetër largimesh, për të rënë paksa ky fluks në vitet në vijim”, shpjegoi ai.

Më tej, analisti kritikoi qeverinë e Ramës, e cila sipas tij ka krijuar një regjim, i cili është seleksionues dhe madje edhe shtypës për të gjithë ata që nuk dëshirojnë të jetojnë nën një diktat të tillë.

Kjo gjë, sipas tij ka ndikuar shumë në zhgënjimin e qytetarëve dhe largimin e tyre nga Shqipëria.

“Një valë largimesh kishim nga viti 2011 kur edhe ndodhi liberalizimi i vizave. Një fazë tjetër e largimit më duket mua po ndodhë, tash përveç shkaqeve ekonomike dhe sociale, edhe nga politikat e gabuara dhe hileqare. Më së shumti migrime kemi pasur dhe kemi nga viset rurale, të cilat kanë mbetur shumë mbrapa dhe jashtë kujdesit të shtetit. Ka fshatra, të cilët pothuajse në tërësi janë boshatisur. Një tjetër element më duket mua shumë qenësor pse kemi kaq largime masive nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, është mungesa e hartimit të politikave parandaluese. Kjo nuk po ndodhë, përkundrazi në Shqipëri, regjimi i Edi Ramës po është seleksionues dhe madje edhe shtypës për të gjithë ata që nuk dëshirojnë të jetojnë nën një diktat të tillë. Tjetër, në Shqipëri po mungon sundimi i rendit dhe ligjit konform demokracisë të vendeve të zhvilluara. Gjykatat po funksionojnë më shumë në mënyrë arbitrare e seleksionuese, duke i goditur më të ligët të shprehem kështu, dhe ata të cilët, nuk janë me pushtetin, kurse ndaj të fortëve dhe përkrahësve të politikës dhe të biznesit, këto gjykata po tregohen lojale. Edhe këto janë disa prej elementeve qenësore, të cilat po bëjnë që njerëzit të humbin shpresën për ditë më të mira në Shqipëri”, nënvizoi Mulliqi.

Gjithashtu, ai tha se politikat qeveritare jo që nuk i kanë stimuluar, por i kanë penguar të rinjtë.

Kësisoj, ai kërkoi një trajtim më serioz nga pushteti për çështjen e largimit të të rinjve.

“Sigurisht se nuk është shumë dëshira e të rinjve që nga disa zona më të begata t’i braktisin prindërit e tyre. Por, politikat qeveritare jo që nuk i kanë stimuluar, por i kanë penguar. Unë e kam edhe një përshtypje se një kategori e të rinjve dëshirojnë të pasurohen brenda nate, pa ia bërë ‘hyzmetin’ me të punuar. Por, që edhe kjo logjikë, e ka burimin nga politikat grabitëse dhe zhvatëse, dhe kjo natyrisht se është instaluar keq te një pjesë, jo bash e vogël e të rinjve. Problemi i largimit të shqiptarëve duhet të ketë një trajtim serioz nga pushteti, si dhe me organizimin e tryezave dhe simpoziumeve të ndryshme shkencore, lidhur me këtë temë të ndjeshme për kombin. Shtrohet pyetja logjike, kujt i duhet atdheu pa njerëz”, theksoi analisti.

Në fund, shtoi se tani është koha që njerëzve tu kthehen shpresat për një jetë më të mirë në vendlindjet e tyre, e jo këto shpresa tu mbyten nga regjimet jo demokratike.

“Tema e largimit po heshtet në Shqipëri, dhe madje ky regjim i tashëm është bërë kumbara, më i mirë i këtyre largimeve brengosëse për të ardhmen e shqiptarëve. Është e dhimbshme edhe e dhëna se nga Shqipëria, nuk po largohen vetëm të varfëritë, por po largohen edhe njerëzit e saj më të kualifikuar. Me pak fjalë, nga Shqipëria po ikën truri i kombit. Sigurisht se kjo dukuri po ndodh në mbarë Ballkanin ende të trazuar. Është koha që njerëzve tu kthehen shpresat për një jetë më të mirë në vendlindjet e tyre, e jo këto shpresa tu mbyten nga regjimet jo demokratike”, përmbylli Skënder Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat