Kërkohet unitet përballë Serbisë/ Pozitë e opozitë bashkë për Kosovën

Politika

Kërkohet unitet përballë Serbisë/ Pozitë e opozitë bashkë për Kosovën

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 9 nëntor 2022 Në ora: 10:02
Partitë opozitare në takim me kryeministrin Kurti

Pas situatës së krijuar në veri të vendit nga një skenar i përgatitur nga Serbia, kryeministri, Albin Kurti ka takuar të martën kryetarët e partive të opozitës në Kuvend, atë të LDK-së Lumir Abdixhikun, të PDK-së Memli Krasniqin dhe të AAK-së, Ramush Haradinajn. Ky i fundit ka thënë se e ka lëshuar takimin në mënyrë demonstrative.

Takimin me opozitarët, Kurti e ka cilësuar si takim shumë të mirë dhe njoftues rreth situatës politike dhe të sigurisë, duke bërë të ditur edhe njëherë se nuk ka kurrfarë prishjesh të raporteve me SHBA-në.

“Takimi që pata me krerët opozitar ishte takim shumë i mirë, ishte takim njoftues për situatën politike dhe të sigurisë me bashkëbisedim të hapur dhe serioz. Tash përshtypja ime është se krerët opozitar janë më shumë të pakënaqur se sa mospajtues. Koordinimi, komunikimi, kontaktet me QUINT-in, BE-në, ShBA-në, NATO-n, KFOR-in, EULEX-in, janë të vazhdueshme, ndodhin nga disa herë në ditë andaj nuk është e vërtetë se ka kurrfarë cenimi të raporteve, përkundrazi ka dendësi të komunikimit e të bashkërendimit. Ndërkaq, për atë se kush sillet nuk mendoj se duhet t’i lë pa punë analistët në debatet e mbrëmjes”, deklaroi kryeministri Kurti.

Kurse liderët opozitarë dolën të pakënaqur nga ky takim. Sipas tyre, Qeveria nuk ka plan për çështjen e veriut dhe Qeveria e di në çfarë drejtimi është duke shkuar.

Bashkim i spektrit politik

Por, thirrje për unitet dhe bashkim pas situatës së krijuar, po bën doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Image
Gurakuç Kuçi

Për të shtyrë procese të rëndësishme përpara e sidomos në momente të përshtatshme, duhet vendosmëri kombëtare dhe jo vetëm institucionale. Kosova para luftës ka pasur vendosmëri kombëtare për të bërë të pamundurën, edhe para luftës, por edhe pas luftës, populli dhe disa liderë të Kosovës kanë ditur që të jenë të vendosur që të mos pranojnë atë që nuk është në interes të Kosovës, por të krijojnë rrethanat dhe të vendoset optimalisht sipas interesave të Kosovës. Kosova ngeci shumë kur në interesat e Kosovës u përfshinë edhe interesat personale gjë që vazhdimisht ndodhi gjatë periudhës 2010-2020. Tani ka ardhur koha që Kosova të dalë nga kjo gjendje ku në gjithë skenën politike ka ndryshime jo të vogla”, thotë Kuçi për “Bota sot”.

Sipas tij, në situatën aktuale duhet të lihen anash kalkulimet për pushtet, pasi kështu zvarriten interesat e Kosovës.

Çdo kalkulim në situata të tilla që bëhet për nder të pushtetit dhe jo të Kosovës ofron derën e hapur që të zvarriten interesat e Kosovës. Kërkesat ndërkombëtare askush nuk duhet t’i shikojë si alternativa, të cilat nëse nuk pranohen, janë në dëm të Kosovës. Këto kërkesa zakonisht vijnë si alternativa bazuar në praktikat paraprake dhe si rol “paqëtimi”, mirëpo shtetet e kanë për obligim që në kuadër të këtyre ofertave të bëjnë diplomacinë më të mirë për shtetin e tyre”, thekson Kuçi.

Më tej, ai thotë se duhet të ketë nja bashkim të gjerë të spektrit politik dhe një strategji efektive kombëtare.

Është e qartë që tashmë angazhimi rus për zgjerimin e luftës edhe në Ballkanin Perëndimor është evident, duke shfrytëzuar këtë dhe të tjera mundësi Qeveria, Kuvendi dhe gjithë spektri politik duhet të krijojnë dhe zbatojnë një strategji efektive kombëtare. Qasja e tanishme e të gjitha palëve duke përdorur diferencimin nga njëri-tjetri është e gabuar”, shprehet doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Bashkë për Kosovën

Se spektri politikë Kosovë duhet të bëhet përfundimisht bashkë, thotë edhe analisti politik, Rexhep Shahu.

Image
Rexhep Shahu

“Unë besoj se forcat politike në Kosovë duhet të bëhen bashkë për Kosovën e të mos mendojnë për votat e tyre në ushtrimet politike me Serbinë. Por mendoj gjithashtu që Kosova nuk duhet të tregojë muskujt që nuk i ka në raport me Serbinë dhe të mos dëgjojë mbrojtësin e vetëm të sigurtë Amerikën. Forcat politike në Kosovë mendoj se duhet të bëhen esëll me gjithë taborët e tyre militare që bëjnë luftë de more de neper rrjetet sociale dhe shpartallojnë Serbi e Rusi bashkë dhe të dëgjojnë e të bëjnë siç thotë Amerika se pa Amerikën nuk do të ishin sot forcat politike shqiptare duke e qeverisë Kosovën”, deklaron Shahu.

Forcat politike duhet të bashkohen, dhe të gjitha bashkë të bëjnë siç thotë Amerika. Kush mendon ta sfidojë Amerikën, duhet të ngarkojë kerrin me fëmijët dhe duhet të ketë bileta për të jetuar në Perëndim familjarisht. Mendoj se politiken në Kosovë nuk duhet ta udhëheqin militantët e asnjë partie me fushatat perverse në rrjetet sociale, militantë që vetëm origjinën e kanë nga Kosova por jetojnë në shtetet e perëndimit”, shton analisti Shahu për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se përmes shpifjeve, Serbia ka zhvilluar diplomacinë e saj në dëm të Kosovës.

Lufta ka mbaruar, Serbinë e ka dëbuar Amerika e NATO-ja prej Kosovës, Kosova ka bërë përparime kolosale, por Serbia pasi ka mundë me diplomacinë e me shpifje ta përmirësojë imazhin e saj pas luftës, për Kosovën duke u shtirë si viktimë, ajo nuk mund ta marrë më Kosovën sepse e pati një shekull dhe nuk e serbizoi dot shqiptarin e Kosovës”, shprehet Shahu.

Për fund, ai deklaron se Kosova duhet ta zbatojë kushtetutën e saj në mbarë territorin e sa, ani pse kjo po kundërshtohet nga Serbia.

Nuk e dimë sa do të zgjasë odiseja e bisedimeve, sa do zgjasë durimi i diplomacisë botërore, sa do të këmbëngulë Serbia, por mendoj se do të shkohet në zbatim të Kushtetutës së Kosovës, çfarë është vendosë është vendos, pasi Kosova nuk do të jetë çdo vit e çdo ditë në tavolinën vendosëse të botës, një herë është vendos me luftë, Kosova nuk është Serbi. Sa i përket ballafaqimit të Kosovës me planet serbe e ruse, me Kosovën është Amerika dhe fuqitë e mëdha vendosëse në këtë rast dhe Kosova nuk po ballafaqohet e vetme me Serbi e Rusi”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Rexhep Shahu.

Të bëhet çdo gjë që të arrihet uniteti

E analisti politik, Faton Mehmeti thotë se duhet të krijohet Ekipi Kombëtar i Unitetit, pas situatës së krijuar së fundi në vend.

Image
Faton Mehmeti

Është dashur qysh moti të krijohet Ekipi Kombëtar i Unitetit me të gjitha partitë shqiptare në raport me Serbinë dhe çdo gjë që ka të bëjë me bisedimet dhe çështjet tjera. Bashkimi mes faktorit politik shqiptar është goditje e fortë për Serbinë, Rusinë dhe aleatët e saj, kështu që duhet bërë çdo gjë që të arrihet uniteti”, shprehet Mehmeti, i cili fajtor e bën opozitën për mos koordinim me pushtetin.

Kurti vazhdimisht e ka ftuar opozitën për bashkëpunim, është kjo e fundit që s’ka arritur ta dallojë Kurtin përball Serbisë dhe Kurtin në punët e brendshme. Megjithatë duhet që të hartohet strategjia dhe dokumenti i ekipit të unitetit kombëtar, nga ku do të rrjedhin të gjitha hapat për të qenë një zë i vetëm dhe i fuqishëm përballë Serbisë. Të kujtojmë Ekipin e Unitetit të Rugovës, i cili bëri të mundur që të përshpejtohet pavarësia, shqiptarët ishin zë i fortë në synimet e tyre”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat