“Ta lësh Kosovën pa aleatë është tradhti”, Adixhikut i vjen kundërpërgjigjja nga VV: Është i dëshpëruar, ia mori recetën kumbarës Mustafë

Politika

“Ta lësh Kosovën pa aleatë është tradhti”, Adixhikut i vjen kundërpërgjigjja nga VV: Është i dëshpëruar, ia mori recetën kumbarës Mustafë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 9 nëntor 2022 Në ora: 21:47
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i LDK-se, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komentuar përsëri zhvillimet e fundit në veri dhe mos shtyrjen e afatit për targa.

Abdixhiku është shprehur sot se investimi më i madh i Serbisë në Kosovë ka qenë krijimi i bindjes se vendi duhet të ecë pa aleatë, në veçanti pa koordinimin me SHBA.

Sipas tij, ky investim ka prekur figura me ndikim në pushtet.

Abdixhiku ka shtuar se as në ëndrrat më të mira të Serbisë nuk është pritur ky përfundim i Kosovës me shtetet që i kanë dhënë dhe lirinë, dhe demokracinë dhe pavarësinë.

“Investimi më i madh i Serbisë në Kosovë ka qenë krijimi i bindjes se vendi ynë duhet të ecë pa aleatë; në veçanti pa koordinim me ShBA-të. Ky investim ka prekur figura me ndikim në pushtet siç ka prekur dhe analistë të pushtetit që në vazhdimësi ushqejnë këtë bindje. Kush do ta kishte menduar një fitore të tillë të Serbisë?! As në ëndrrat më të mira të tyre, nuk është menduar që Kosova do të normalizojë distancimin nga aleatët tanë kaq lehtë e kaq shpejtë. As në ëndrrat më të mira të Serbisë nuk është pritur ky përfundim i Kosovës me shtetet që i kanë dhënë dhe lirinë, dhe demokracinë dhe pavarësinë”, ka thënë Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së, ka shtuar se ta lësh Kosovën pa aleatë është tradhti, ndërsa kërkesa për ecje me SHBA është akt patriotik.

“Koha për refuzim dhe përballje të kësaj influence në vendimmarrje shtetërore e në diskurs publik. Nuk guxojmë një grup mjeranësh të na sjellin në këtë pozitë. Ta lësh Kosovën pa aleatë, është tradhti. Kërkesa për ecje me ShBA është akt patriotik”, ka thënë tutje, Abdixhiku.

E ndaj deklaratës së Adixhikut ka reaguar, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.

Bajqinovci në një prononcim për “Bota sot”, duke komentuar deklaratat e Abdixhikut, ka thënë se ai është ndarë i dëshpëruar nga kryeministri Kurti, sepse nuk ia tregoi planin për veriun.

Sipas Bajqinovcit, Abdixhiku është konsultuar me kumbarën e tij, Isa Mustafën dhe ai ia ka dhënë recetën e vjetër që të akuzohet për anti-amerikanizëm.

“Pasi u nda i dëshpëruar që kryeministri Kurti nuk ia tregoi planin për veriun, me gjasë paska shku që të konsultohet me kumbarën e tij, Isa Mustafën se si t'i kundervihet Kurtit. Isa ia paska dhënë recetën e vjetër: akuzojeni për anti-amerikanizëm. E patën provu në Kurti 1 dhe në zgjedhjet e 14 shkurtit, por nuk iu pati dalë mirë. Atë recetë Lumiri mundet me e provu nëse synim e ka pensionimin e parakohshëm”, ka pohuar Bajqinovci për “Bota sot”.

Image
Mefail Bajqinovci

Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur takim dje me opozitën për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës, por kjo e fundit nuk është dakorduar për qëndrimet e Kryeministrit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat