Veprimtari nga SHBA i ashpër me ndërkombëtarët: Bëni eksperimente me Serbinë po patët guxim, mjaft u falën tokat e Kosovës

Politika

Veprimtari nga SHBA i ashpër me ndërkombëtarët: Bëni eksperimente me Serbinë po patët guxim, mjaft u falën tokat e Kosovës

M.Lakna Nga M.Lakna Më 10 nëntor 2022 Në ora: 17:25
Ilustrim

Mohimi i liberalizimit të vizave për qytetarët dhe presioni që po i bëhet Kosovës për tërheqjen e vendimit për ri regjistrimin e targave, janë temat më të përfolura të këtyre ditëve.   

Në një bisedë me gazetën “Bota sot”, veprimtari i çështjes kombëtare dhe anëtari i Ligës Qytetare Shqiptaro- Amerikane, Hafiz Shala ka komentuar këto zhvillime duke thënë se populli i Kosovës po nënçmohet nga ana e Bashkësisë Evropiane. 

Kjo pasi sipas tij, sa herë hapet çështja e liberalizimit të vizave ndaj Kosovës, BE zbulon një element shtesë vetëm për ta refuzuar një kërkesë të tillë.  

Image
Hafiz Shala

“A ka turp më të madh kur, shtetasit e Kolumbisë nuk janë të detyruar qe të kërkojnë viza për një afat të shkurtër, me pak se 90 ditë, për turizëm, vizita familjare ose për shkollim/trajnim, kurse kjo u mohohet qytetarëve të Dardanisë dhe deri kur.  

A duhet te poshtërohemi aq shumë duke na radhitur më poshtë se një shtet si Kolumbia, kur jemi në Evropë gjeografikisht edhe njëri ndër  popujt më të vjetër”, është shprehur ai.  

Sipas Shalës, Evropa, fatkeqësisht, nuk po mund të shkëputet nga politikat “raciste” ndaj popullit shqiptar të Kosovës, duke luajtur me fatin e saj, duke e injoruar historinë e saj të dhimbshme, të përgjakshme të shkaktuar nga fqinji ynë verior.  

“Serbinë, Evropa e ledhaton, dhe njëherit duke ia mohuar gjenocidin ndaj popullit shqiptar, historikisht që nga vitet 1884 me theks të veçantë ai fundit të vitit 1999, që dashtë zoti të jetë i fundit”, thotë ai.  

Shala më tej hedh dilemën se Republika e Kosovës po shndërrohet në një shtet eksperimental pas 23 vitesh, çlirimi e 14 vite pavarësi.  

“Kjo që po i ndodhe një shteti sovran, është abnormale, e pa kuptueshme, e pa pranueshme e pa durueshme.  

E papranueshme kur, një shtet e një popull, për hir të paqes, bëri aq shumë koncesione, gjithnjë sipas kërkesave të “miqve tanë Evropiane” dhe atyre, vërtetë Amerikanë. 

Po vijmë në një situatë që, si shtet normal, nuk mund t’i zbatojmë ligjet e Kushtetutën në tërë territorin e vendit sepse, më këtë nuk pajtohet një pakicë minoritare prej 3.5%  në kuadër të një popullate me shumicë prej 95% duke i përfshirë edhe pakicat tjera të parapara sipas Kushtetutës si shtet multietnik”, nënvizon ai.  

Ai shprehet se kur kërkohet Asociacioni një etnik, menjëherë vijmë në kundërshtim me Kushtetutën e përpiluar dhe aprovuar nga vetë Bashkësia Ndërkombëtare si parakusht për shpalljen e pavarësisë.  

“Si të eliminohet ky kundërshtim me vetveten, e që bie, edhe Kushtetuta mund të mos zbatohet për t’i kënaqur e akomoduar pakicën serbe, qëllimi i së cilës, nuk është kjo por ajo që ua dikton Vuçiqi. 

Është abnormale, alogjike dhe apolitike, jo demokratike, jo-diplomatike e jo humane që, një shtet armik që ushtroi gjenocid, të tolerohet deri në pa durim me kërcënimet e hapura qoftë edhe përmes forcës ushtarake, grupeve ilegale kriminale të armatosura brenda një shteti tjetër. 

Pra po kërcënon haptas dhe para syve të atyre që, jo vetëm na çliruan, na njohën por, edhe janë garantues të sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë së shpallur me 17 shkurt 2008”, ka nënvizuar ai.   

Sipas Shalës, parakush i paqes dhe qetësisë është pastrimi i veriut të Mitrovicës nga grupet kriminale, mercenarët rusë dhe shërbimet e huaja inteligjente në bashkëpunim me BIA-n serbe. 

Ai u shpreh se kur Bashkësia Ndërkombëtare kërkon përmbajtje nga të dy palët, është tragjikomike sepse, shtrohet pyetja se, kujt i drejtohen ata nëse shteti i Kosovës po e lufton krimin e korrupsionin, kur po tenton të vë rend e siguri, Serbia, nuk e lejon një gjë të tillë. 

“Ajo ndërhyri brutalisht ndaj një shteti të pavarur duke e detyruar pakicën serbe të kontrolluar nga ajo, me  dhunë përmes shantazheve e kërcënimeve, duke ua djegur pasurinë pakicës serbe asaj pjese të popullatës që të dorëhiqen nga të gjitha detyrat në shenjë mohimi e mosnjohje të shtetit ku jetojnë në formën më brutale, mos degjim qytetar. 

Pse heshtet ndaj një shantazhimi publik pa kurrfarë turpi e frike ku ata qytetar edhe pa dëshirën e tyre, u nënshtrohen këtyre kërcënimeve. Si do të veprohej po ta bënte një gjë të tillë qeveria dhe si do të reagohej nga Serbia dhe Bashkësia Ndërkombëtare. 

Si do të reagonte Serbia po që se një veprim i këtillë ta bënte popullatën shqiptare në Dardaninë Lindore me të drejtë duke pasur parasysh diskriminimin në baza raciste, si do të reagonte shteti serb”, potencon ai. 

Kështu sipas veprimtarit, kërkesa për prolongimin e masave të parapara të qeverisë rreth targave, është shkas por jo edhe arsyeja e vërtetë bojkotimit të shtetit. 

“Ky na qenka “mëkati” i shtetit dardan karshi një shteti kriminal si Serbia, apo ndoshta se ndaj të dëgjueshmit, mund të bëhet presion, por jo edhe në pafundësi sepse, po dukemi si shtet jo serioz, jo vetëm ndaj popullit të saj, por edhe ndaj shteteve mike njohëse të Dardanisë. 

Kur po kërkohet prolongimi masave të parapara të qeverisë rreth targave, që vetëm është shkas por jo edhe arsyeja e vërtetë bojkotimit të shtetit, sepse, qëllimi i Serbisë është në disa drejtime si: 

Formimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive-autonome, shpallja e më vonshme e pavarësisë së veriut, shkëputja nga Kosova dhe bashkimi me Serbinë ose, nëse krejt kjo nuk realizohet, mbajtja e veriut nën ndonjë protektorat të pa afat, duke pritur ditët më të mira për Serbinë, përsëri tentim invazioni dhe, përsëri luftë”, ka thënë ai. 

Shala nënvizon se braktisja e institucioneve dhe mosnjohja e Kosovës si shtet, i vërteton konstatimet.  

“Një gjë duhet ta kenë të qartë, armiqtë por edhe miqtë ndërkombëtar se, populli shqiptar i Dardanisë, kurrën e kurrës, nuk do ta pranojë ndarjen e Mitrovicës se veriut pa marrë parasysh çmimin e kostos dhe sakrifikimit deri në flijim. Mjaft u falën toka dardane dhe ky është fundi i fundit. 

Mjaft me eksperimente sepse, për këtë liri e pavarësi, u sakrifikua populli shqiptar, ndërsa, ju mund të bëni eksperimente me Serbinë nëse e keni guximin dhe gatishmërinë”, potencon ai.   

Shala, po ashtu dyshon se Bashkësia ndërkombëtare po u nënshtrohet grupeve kriminale në veri, të dirigjuara nga Vuçiqi në vënien e ligjit në veri.  

“Ata kërkojnë përmbajtje nga qeveria e cila po pengohet në zbatimin e ligjit qoftë edhe e kërcënuar nga grupet kriminale ruso-serbe, shërbimeve inteligjente të huaja, grupe mercenare ruse dhe, e gjithë kjo para hundëve dhe syve të tyre, duke e rrezikuar paqen në rajon dhe më gjerë, duke i rrezikuar forcat paqeruajtëse të KFOR-it, duke i rrezikuar policët, doganieret dhe shërbyesit tjerë qoftë edhe qytetarët e lirë. 

Po që se jeni të gatshëm që të vëni rend dhe ligj, atëherë, të bëhet hulumtimi i grupeve të armatosura ilegale terroriste veri bashkë me forcat e KFOR-it, që mos të konsiderohet si qëllim për të trazuar qytetarë të lirë, duke i burgosur, hetuar e zbuluar qëllimet e tyre për krijimin e trazirave me rreziqe të konflikteve ndërnacionale e ndër qytetare. 

Populli shqiptar e mban mirë mend kohën e Aleksandër Rankoviqit rreth aksionit të gjoja, rreth hulumtimit të armeve, ku shumë shqiptarë janë maltretuar, burgosur dhe likuiduar në mënyra të pa shpjeguara”, ka shtuar ai.  

Shala pyet se përse nuk organizohet një aksion i tillë në veri për t’i çarmatosur grupet kriminale përmes të cilave Vuçiqi po e shantazhon jo vetëm shtetin e Kosovës por edhe Bashkësinë Ndërkombëtare. 

Kjo sepse siç thotë ai, Bashkësia ndërkombëtare në pamundësi qe ta disiplinoj Serbinë, i kthehet viktimës sepse, ajo “detyrimisht duhet” ta dëgjojë. 

“Hulumtimi, burgosja dhe zbulimi i planeve kriminale, do ta trazonte, do ta pa mundësonte dhe do ta dekurajonte Vuçiqin në veprimet e tij si mjet për destabilizimin e situatës, jo vetëm në veri e në jug por edhe në rajon. 

Nëse doni paqe dhe stabilitet afatgjatë, në Ballkan, Evropë dhe në botë, atëherë adresa e vërtetë, është Serbia me politikat e sajë pro ruse de stabilizuese afatgjate”, ka përfunduar Shala. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat