Serbia refuzoi planin franko-gjerman/ Ja pse Kosova duhet të ketë kujdes

Politika

Serbia refuzoi planin franko-gjerman/ Ja pse Kosova duhet të ketë kujdes

Nga: Petrit Rudi Më: 10 nëntor 2022 Në ora: 20:43
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, para takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron. Paris, 10 nëntor 2022.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me presidentin francez, Emanuel Macron, ka folur edhe njëherë për propozimin franko-gjerman për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në takimin e përbashkët me Presidenten Osmani, biseduam për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, dialogun për marrëveshje Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit. Potencuam se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, ka thënë kryeministri Kurti.

E Euractiv ka publikuar 9 pikat e planit franko-gjerman, i cili fokusohet në normalizimin e marrëdhënieve nga perspektiva e një të ardhmeje të përbashkët të BE-së, ku elementi më kritik është shkëmbimi i misioneve të përhershme, të ngjashme me ambasadat, por në një nivel më të ulët.

Sipas asaj që ka publikuar Euractiv, në planin franko-gjerman nuk figuron askund njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia.

Image
Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi

Por, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, për gazetën “Bota sot” thotë se më shumë se plani franko-gjerman është më shumë një udhërrëfyes për dialogun, se sa një marrëveshje përfundimtare.

“Një sqarim që duhet dhënë për opinionin e gjerë, ky plan i paraqitur nuk nënkupton marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është vetëm një udhërrëfyes se si duhet të rikrijohet një fazë e re dialogu, pa i hedhur poshtë të arriturat më herët. Pra, kjo kornizë paraqet një lloj simotre të marrëveshjes së vitit 2013, jo për nga përmbajtja por për nga strukturimi i dialogut. Mirëpo, korniza e tanishme nuk jep premisa për një zgjidhje të drejtë apo përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi nuk prek asnjë temë përfundimtare përveç që synon një politikë “paqëtimi” ndërmjet dy palëve, pikërisht në stilin evropian të para Luftës së Dytë Botërore, politikë që i dha kohë Hitlerit të forcohej jashtëzakonisht shumë”, thotë Kuçi.

Sipas tij, Serbia tashmë e ka refuzuar planin franko-gjerman.

“Brukseli dhe Uashingtoni në deklaratat e tyre kryesore e kanë frazën se çdo marrëveshje që arrihet mes palëve ata e përkrahin. Pra, topi vazhdimisht bie mbi palët që nëse ju pranoni diçka të keqe faji mbetet tek pala. Me 8 nëntor Serbia e ka refuzuar planin franko-gjerman në mbledhjes e mbajtur të Këshillit të Sigurisë dhe këtë e ka thënë po ashtu për media edhe Ivica Daçiq. Këtë refuzim të Serbisë ndaj planit e citoi edhe kryeministri i Kosovës në një konferencë për media, mirëpo nga Brukseli u demantua Kurti por jo edhe Daçiqi. Pra, mesazhet nga BE-ja janë shumë të paqarta ashtu sikur kërkesa e BE-së që të sundojë ligji në veri të Kosovës e në anën tjetër të shtyhet zbatimi i ligjit”, shprehet Kuçi.

Më tej, ai thotë se Kosova duhet të këtë kujdes me veprimet e saj, pasi nuk mund të kërkohet pastaj që SHBA t’i korrigjojë ato.

“Kosova duhet të ketë kujdes në veprimet e saj, shumica e njerëzve që merren me opiniondhënie dhe analiza po nisen nga shablloni i Rambujesë e deri në shpalljen e Pavarësisë, mirëpo rrethanat nuk janë të njëjta dhe nëse ne pranojmë gjëra që nuk duhet, atëherë nuk mund të kërkojmë nga SHBA-ja të rregulloj gabimet tona”, deklaron Kuçi.

“Çështja e njohjes nuk është një akt i thjeshtë deklarativ siç po mundohen disa ta paraqesin, njohja është procesi që i mbyll gjitha çështjet administrative dhe në masë të madhe politike, ndërsa mosnjohja lë të hapur mijëra mundësi për marrëveshje të pafundme”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat