Kurti përballë liderëve opozitarë/ Krasniqi e Abdixhiku më të qetë–Haradinaj nuk po arrin të ‘përmbahet’

Politika

Kurti përballë liderëve opozitarë/ Krasniqi e Abdixhiku më të qetë–Haradinaj nuk po arrin të ‘përmbahet’

Arife Morina Nga Arife Morina Më 11 nëntor 2022 Në ora: 07:58
Foto nga takimi i Kurtit me opozitën

Këtë të marte, krerët e partive opozitare zhvilluan një takim me kryeministrin Albin Kurti, pas ngjarjeve të fundit në veri të vendit.

Takimi u thirr pasi Lista Serbe dhe përfaqësuesit serbë dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet.

Në takim morën pjesë Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Kreu i PDK-së, Krasniqi, pas takimit, tha se Kosovës në këto momente i duhen veprime të përgjegjshme që e ruajnë sovranitetin e vendit.

Kurse, kryetari i LDK-së, Abdixhiku, potencoi se në takim me Kurtin nuk kanë parë ndonjë plan konkret e “as gatishmëri për koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtarë”.

Ndërsa, Haradinaj lëshoi takimin dhe shkroi se u detyrua ta bënte këtë për shkak që, siç u shpreh, “Kurti mbante ligjërata e nuk ia sqaronte se përse i ka prishur raportet me Amerikën”.

Takim shumë të mirë e ka cilësuar Kurti, takimin me liderët opozitar.

“Tash përshtypja ime është që krerët opozitar janë më shumë të pakënaqur sesa mospajtues”, tha Kurti para gazetarëve pas konferencës “Java e Regjistrimit të Popullsisë 2023”.

Preqi: Takimi i kryeministrit me liderët opozitar mjaftë i qëlluar

Image
Dedë Preqi

 

Këtë takim e komentoi opinionisti Dedë Preqi për “Bota sot”.

Fillimisht, ai takimin opozitë-kryeministër e vlerësoi si shumë të duhur, ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të spektrit politik për çështje të brendshme.

“Takimi i kryeministrit Kurti, me liderët e opozitës paraqet imazhin e një bashkëpunimi dhe koordinimi të përgjithshëm të lidershipit të vendit, që ka të bëjë për politikat e brendshme dhe të jashtme të shtetit, që në këtë rast, ku Serbia, po synon që veriun e Kosovës, ta vë nën kontrollin e saj, përmes Listës serbe dhe bandave të organizuara nga Vuçiqi.

Takimi i z.Kurti, me liderët e opozitës, kishte për qëllim që të njoftohet dhe të sqarohet gjithçka që ka të bëjë me situatën dhe gjendjen aktuale në veriun e vendit, aty ku shtysat e një situate të tillë janë të njohura dhe rrjedhat e saj që vijnë nga Beogradi, por qëllimi i jonë i domosdoshëm është se vetëm të bashkuar do të lëvizim drejt një pikësynimi më të mirë dhe për një zgjidhje pozitive, e kishin domethënien fjalët e kryeministrit të vendit Albin Kurti.

Po ashtu, u bë e ditur nga ana e kryeministrit edhe me QUINT-in, nuk mungojnë takimet dhe bisedimet në mes tyre, në veçanti me SHBA-të, ku kontaktet janë të vazhdueshme dhe raportet janë në nivel të duhur, të cilat janë shumë domethënëse këshillat e tyre në mundësinë e një zgjidhje paqësore me Serbinë”, deklaroi opinionisti.

Preqi, potencoi se qeveria e Vuçiqit, nuk i përfill marrëveshjet e Brukselit, ku edhe qëllimisht organizoi serbët për të dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Duket se një kundërshti me problemin që shpaloset në këtë proces, pikërisht në atë masë që Serbia, dhe Vuçiqi, nuk i përfill marrëveshjet e Brukselit, në këtë rast edhe për targat, duke e anashkaluar përgjegjësinë e saj, dhe duke organizuar largimin e gjitha niveleve Institucionale nga komuniteti serb në Institucionet e Kosovës, vëmë re se autori i këtyre vendimeve është vetë Vuçiqi dhe qeveria serbe, që nënkupton se, në një mënyrë këtu nuk kemi të bëjmë me një marrëveshje të paqes, por një nxitje të një konflikti ndërnacional”, theksoi ai.

Në vazhdim, opinionisti përmendi edhe qasjen e dy liderëve opozitarë, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku ndaj kryeministrit Kurti dhe vendimit të tij për targat.

Sjellja e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, është si diçka e pa kuptueshme!”

“LDK, dhe lideri i saj L. Abdixhiku, i dhanë kritikat e veta, duke e kritikuar qeverinë e Kurtit, sepse nuk posedon plane konkrete për ta nxjerrë vendin nga kriza e kapluar, por po të vëzhgojmë me kujdes edhe vetë lideri i kësaj opozite nuk është i qartë me qëndrimet e veta, nëse në vend të këshillimeve dhe qëndrimeve serioze për të dalë nga kriza aktuale, më shumë nxiton në shfryrjen dhe mllefin që ka kundër qeverisë Kurti. Të njëjtën gjë e kemi edhe te lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili përmes një hallke të vjetër dhe e një marrëdhënie të interesave të ndërliderëve dhe me interesa partiake që kanë me LDK-në, në kundërshtim dhe mospajtim të çdo iniciative të qeverisë Kurti, duke i dhënë edhe një epitet të veçantë qeverisë Kurti, si një qeveri e pa pjekur dhe amatore, dhe si e tillë nuk po mundet të gjejë rrugë zgjidhje edhe në këto situata, ishte domethënia e fjalëve të këtij lideri opozitar.

Mirëpo, LDK dhe PDK, e kanë një traditë dhe përvojë të mirë apo të keqe në ushtrimin e pushtetit, dhe i njohin përgjegjësitë dhe rolin e natyrës së tij, nga ana tjetër sjellja e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, është si diçka e pa kuptueshme dhe nënkupton se lideri i saj më shumë e ka për interesa pushtetare se për interesa në shërbim të këtij populli”, nënvizoi Preqi.

Krahas, Krasniqit e Abdixhikut, ai nuk e la pa përmendur edhe sjelljen e Haradinajt ndaj Kurtit dhe largimin e tij nga takimi.

Ndër të tjera, shtoi se një avaz i tillë i Ramushit, përsëritet që në fillim të kësaj qeverie, i cili sikur po e merr bajrakun në dorë, me qëllim për të fituar pushtet.

“Sjellja e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, nga takimi që e organizoj kryeministri Albin Kurti, duke e lëshuar organizimin e takimit në shenjë mospajtimi dhe kundërshtime me qeverinë dhe kryeministrin në fjalë, nuk do të thotë se kjo sjellje lidhet me ndjenjën e pakënaqësisë ndaj veprimeve dhe qeverisë Kurti, por një avaz i tillë i Ramushit, përsëritet që në fillim të kësaj qeverie, i cili sikur po e merr bajrakun në dorë, jo për të treguar një lidership të angazhuar dhe të interesuar për shtet, por vetëm për të avancuar dhe fituar një pushtet, të cilin e ka humbur vet.

Gjithnjë e më kërcënues bëhet zvetënimi i shtetit, bashkë me të edhe zvetënimi i vetë udhëheqjes së tij, nëse nuk ka veprime serioze që shterojnë në thelbin dhe bërthamën e shtetit, ku secili nga udhëheqësit përkatës nuk i shterojnë të gjitha energjitë e tyre për interesa të përbashkëta dhe me një përpjekje dhe përgjegjësi të pamohueshme.

Në asnjë rrethanë Kosova dhe lidershipi i saj nuk ka qenë në një mos koordinim dhe bashkëveprim pa marrëveshje me vendet e QUIN-tit, dhe në veçanti me SHBA-të, po ashtu edhe Qeveria Kurti dhe vetë personaliteti i tij, këtë veprim e ka vazhduar në këtë brazdë, duke rritur bashkëpunimin dhe duke koordinuar bashkëveprimet me këto vende, sidomos me SHBA-të, ku kontaktet dhe bashkëbisedimet janë të vazhdueshme në çdo moment në një mënyrë të koordinuar”, shpjegoi opinionisti.

Më tej, sjelljet e Haradinajt ndaj kryeministrit, Preqi i vlerësoi si tendencioze dhe me qëllime të këqija.

Sipas tij, ai po mundohet që të marrë vëmendje duke ‘sulmuar’ Kurtin.

“Prandaj, sjelljet e liderit të AAK-së, kinse Albin Kurti, ka tendenca që të na i prish marrëdhëniet dhe miqësinë me SHBA-të, janë më shumë tendenca të një akteri qëllim-keq, i cili për interesa personale dëshiron të bëjë opinione të pavërteta dhe të pa vlera, për të tërhequr vëmendjen e popullit në mënyrë të gabuar, sepse vetë fakti tregon se, jo vetëm Albin Kurti, por i tërë populli kosovar dhe ai shqiptarë nuk ka të ardhme të sigurtë pa ndihmën dhe fuqinë e SHBA-ve.

Natyrisht, çdo qeveri ka edhe format e saj negative dhe vërejtjet e saj të ndryshme, por kjo qeveri dhe kryeministri i saj Albin Kurti, është ndër të gjitha, që Serbisë, dhe Aleksandër Vuçiqit, ua ndërpreu planet radikale dhe programet e tyre për ndarjen dhe copëtimin e territorit të Kosovës, dhe tani këto ditë, kryeministri në fjalë do të vepronte mirë apo jo mirë, duke mbrojtur interesat e shtetit dhe popullit të vet, për sjelljen e tij ligjore dhe interesat shtetërore, akuzohet për konceptet e qeverisjes së tij, në mënyrë të padrejtë”, potencoi ai.

Në fund, opinionisti ritheksoi se sjelljet e kreut të AAK-së nuk janë aspak unifikuese dhe komunikuese, por janë sjellje të pahijshme.

“Ky mazhi të cilin duhet ta përvijojmë si të tillë, nuk do të ecën vetvetiu pa lëvizjen dhe veprimet tona që të udhëhiqet në mënyrë serioze dhe të drejtë, por jo edhe në këtë mënyrë sikur lideri i AAK-së, z.Ramush Haradinaj, sjelljet e të cilit nuk janë aspak unifikuese dhe komunikuese, por janë sjellje të pahijshme dhe të pandërgjegjshme që garantojnë të ardhmen dhe mirëqenien e këtij populli”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.

Mehmeti: Qeveria duhet mbështetur nga të gjithë kur është fjala për sovranitetin e vendit

Image
Faton Mehmeti

 

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti në një prononcim për “Bota sot” mbështeti veprimin e PDK-së dhe LDK-së për pjesëmarrje në takimin me Kurtin, derisa kritikoi Haradinajn për largimin e tij.

Sipas tij, nuk ishte i habitshëm me largimin e kreut të AAK-së.

“Nuk është e habitshme që Ramushi u largua, "ligjërata" ka qenë e nivelit të lartë për të. Kështu që, nuk më habit largimi i tij nga takimi. Derisa dy partitë tjera kanë vepruar drejt, kur është në pyetje shteti përballë Serbisë të gjithë duhet të jemi bashkë”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, analisti vlerëson se Qeveria duhet mbështetur nga të gjithë kur është fjala për sovranitetin e vendit.

E vlerësoj rolin e dy partive tjera, ndonëse është me kunja kërkesa për "bashkërendim me SHBA-të", sikur të jep përshtypje se Qeveria po vepron kundër vendimeve të SHBA-ve. Me pak fjalë Qeveria duhet mbështetur nga të gjithë kur është fjala për sovranitetin e vendit. Ramushi u tregua i dobët dhe e dëshmoi veten se nuk është lider dhe kurrë s’mund të bëhet i tillë”, përfundoi Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat