Eksperti i sigurisë këshillon qeverinë Kurti: Na duhet policia rezervë për të vepruar në veri

Politika

Eksperti i sigurisë këshillon qeverinë Kurti: Na duhet policia rezervë për të vepruar në veri

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 11 nëntor 2022 Në ora: 10:26
Qeveria e Kosovës

Po bëhet gati një javë që kur Lista Serbe dhe serbët e tjerë të integruar në institucionet e Republikës së Kosovës, janë dorëhequr, me urdhër të Serbisë, kinse nga pakënaqësia e vendimit të Qeverisë Kurti lidhur me targat ilegale serbe.

Qeveria ka komentuar disa herë këtë vendim të serbëve, megjithatë nuk ka marrë ndonjë masë. Opozita ka kritikuar vendimin e Qeverisë, ndërsa miqtë ndërkombëtarë e kanë këshilluar kryeministrin Albin Kurti që t’i kthejë pas serbët e dorëhequr, duke hequr dorë nga vendimi për targat dhe t’i nisë bisedat për themelimin e asociacionit.

Gjatë ditës së mërkurë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se qeveritë e kaluara e kanë mësuar Serbinë duke i thënë ‘po’ për gjithçka dhe se tani qeveria Kurti e ka kthyer Kosovën në dialog me Serbinë në pozicion më të dinjitetshëm.

Qasja që kanë pasur qeveritë e kaluara tani është problem edhe për ne, sepse i kanë mësuar keq, çfarëdo që kanë thënë Serbia dhe Beogradi ata kanë thënë “po”, prandaj është sfidë derisa ne ta kemi shtrirjen e sundimit të ligjit në secilin cep të Kosovës”, ka thënë ajo.

Mirëpo, cilat janë vendimet që duhet ndërmarrë qeveria tani e tutje, a duhet të rrisë numrin e policisë? Lidhur me këtë, gazeta ka kërkuar mendimin e ekspertëve të sigurisë.

Tërnava: Ky veprim i nacionalitetit serb ishte qëndrim politik i Beogradit të Vuçiqit

Kështu, Hajrullah Tërnava, eksperti i sigurisë, në një prononcim për ‘Bota sot’, thotë se situata e krijuar tani si shkak i targave të Kosovës nga ato të mëhershme në sistemin e mëparshëm të ish-Jugosllavisë, si PR, PE, KM etj., që të shndërrohen në targa legale të tanishme të Kosovës në RKS, dhe masave qeveritare që në muajin e parë ata që si ndërrojnë do të qortohen zyrtarisht nga policia.

Image
Hajrullah Tërnava

Kurse në muajin e radhës atyre që si kanë ndërru targat do të dënohen nga policia e Kosovës me gjoba të hollash, dhe më vonë me tjera masa në vijim, prandaj serbët në ato pjesë të veriut në katër komunat e atyre pjesëve ku kufizohen me Serbinë, të ndikuar nga politikat e qeverisë serbe, e ndërmorën masën e largimit nga të gjitha postet komunale dhe të tjera të institucioneve të shtetit të Kosovës, dhe tani ato pjesë të veriut e të banuara me serbë, tani janë pa zyrtarë policor dhe të shumë profesioneve tjera që i kryejnë në shërbim të popullit në ato pjesë, dhe ky veprim i nacionalitetit serb ishte qëndrim politik i Beogradit të Vuçiqit, që e kishte qëllimin e ngadalësimit të procesit të njohjes reciproke me Kosovën”, vlerëson ai.

Eksperti Tërnava thotë se, tani EULEX-i e ka rritë numrin e pjesëtarëve të shërbimeve policore dhe të tjerave shërbimeve të tyre në ato pjesë si dhe KFOR-i, megjithatë Qeveria e Kosovës duhet sa më parë që në ato pjesë të veriut t’i dërgoj policinë e Kosovës nga komuna të ndryshme të saj, që megjithatë edhe në këto situata të jetësohen ligjet dhe mos të vie deri te anarkia dhe krimet e përgjithshme në ato pjesë edhe që janë të banuara me shumicë serbe, por ato pjesë territoriale i takojnë Kosovës si pjesë përbërëse të shtetit.

Edhe Ministria e PB duhet të nxjerr mësime nga kjo përvojë dhe në të ardhmen të llogaritë edhe në kuadro rezerva të policisë, si dikur që kanë ekzistuar më parë, sepse policia është ajo që në ҫdo situatë i jetëson ligjet e shtetit prandaj edhe nëse ndodhin situata të palakmueshme ku mungon numri i policisë së rregullt, rezerva policore që janë të ushtruar dhe të përgatitur në kohërat e qeta, dhe duhen të përgatiten t’i kryejnë punët e policisë nëse koha i kërkon, dhe angazhohen në ato momente dhe i plotësojnë ato vende të punës aty ku paraqitet nevoja, sipas planeve që i bëjnë eprorët-komandantët e policisë, prandaj kjo kohë e tanishme tani po e dëshmon se është e nevojshme njësi të tilla rezervë policore për kohëra të jashtëzakonshme e që nëse i imponohen Kosovës sikur tani, dhe ato njësi policore rezerva i gëzojnë të njëjtin tretman policor si ata të përditshmit, polici e Kosovës, dhe sa janë të angazhuar paguhen njëjtë si policë të Kosovës, dhe i kryejnë punët së bashku me policët profesionist dhe nën komandën e tyre, edhe që ky lloj i policisë në të kaluarën i ka pas përvojat e saj dhe angazhoheshin sa herë e kërkonte koha dhe momenti”, vlerëson ai.

Tutje eksperti Tërnava thotë se ky lloj i policisë rezervë angazhohet sipas nevojës dhe situatës që imponohet, që të kemi numër më të madh të policëve në vendin tonë, dhe ata paguhen sa kohë që janë të angazhuar në polici, dhe kur kalon koha ata i kthehen profesioneve të tyre të përditshme për ҫfarë janë kualifikuar sipas profesioneve që i kanë.

Vlerësimet e numrit të policisë sa i nevojiten Kosovës duhet t’i japin eprorët apo ekspertët e MPB-së, por nëse për një angazhim të tillë është i vështirë financimi i tyre, atëherë duhet të shkohet me variantin e policisë rezervë. Vlerësimet për numrin dhe angazhimin e policisë së rregullt duhet të jetë mirë i studiuar, dhe numrat e policëve në të ardhmen duhet t’i përgjigjen përditshmërisë, por edhe jo të planifikohet numër tepër i madh sepse fondi financues i Kosovës është në mundësi të kontrolluara, prandaj megjithatë është mirë që policia ta ketë si alternativë planin e policisë rezervë”, tha eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Islami: Situata nuk mund të dalë jashtë kontrollit

Po ashtu për këtë ҫështje ka folur edhe njohësi i ҫështjeve politike, Gazmend Islami. Ai thotë se serbët lokal asnjëherë nuk kanë qenë të integruar në jetën institucionale të Kosovës, sepse të gjithë ata zyrtarë kanë shërbyer sipas pushtetit serb, pra kanë marrë instruksione nga Serbia.

Image
Gazmend Islami

Unë mendoj që situata nuk mund të dalë jashtë kontrollit për shkak që kemi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Qeveria nuk duhet të bëjë hapa të ngutshëm, por ҫdo herë në koordinim me shtetet aleate tona, të cilat sigurisht se janë duke na dhënë mbështetje, e gjithë kjo po bëhet për shkak se ka ardhur fundi që Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e në këtë rast pra Serbia, është e shqetësuar nga kjo dhe është duke ndërmarrë të gjithë hapat për të destabilizuar vendin, por është me rëndësi që ne duhet të jemi të gjithë shqiptarët pavarësisht pozitë-opozitë, karshi Serbisë duhet të jemi të bashkuar në mënyrë që të mbrojmë interesat e popullit tonë, përndryshe Serbia lyp vetëm një shpërthim, një digë të vogël, e cila mund ta destabiziloj Kosovën por edhe rajonin”, thekson Islami për ‘Bota sot’.

Ai thotë gjithashtu se, duhet vigjilencë e lartë, por asnjëherë frikë sepse jemi në të drejtën tonë dhe ҫdo gjë që është në mbrojtjen e sovranitetit të vendit, duhet të na bashkoj të gjithëve si shoqëri.

“Unë e shoh që disa opozitarë, mundohen ta shfrytëzojnë këtë situatë për të përfituar diҫka politikisht, por kjo nuk do të sjellë rezultate, sa më shumë që do ta injorojnë z. Kurti, aq më shumë ai fiton popullaritet. Prandaj është koha për të folur me një zë në mbrojtje të interesave të shtetit tonë”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat