Eksperti i sigurisë paralajmëron marrëveshje Kosovë-Serbi: Nënshkruhet në fund të dhjetorit

Politika

Eksperti i sigurisë paralajmëron marrëveshje Kosovë-Serbi: Nënshkruhet në fund të dhjetorit

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 11 nëntor 2022 Në ora: 20:10
Albin Kurti, ka deklaruar se propozimi franko-gjerman për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë shërben si bazë e mirë për të vazhduar tutje

Sipas kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, propozimi franko-gjerman për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë shërben si bazë e mirë për të vazhduar tutje.

“Në takimin e përbashkët me Presidenten Osmani, biseduam për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, dialogun për marrëveshje Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit. Potencuam se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, ka thënë kryeministri Kurti pas takimit me presidentin francez, Emanuel Macron.

Për propozimin franko-gjerman dhe dialogun Kosovë-Serbi, për gazetën “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Sipas tij, fundi i dhjetorit do të jetë koha kur Kosova dhe Serbia të firmosin një draft-kornizë sa i përket propozimit franko-gjerman.

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

 

“Kryeministri ka potencuar që ekzistojnë dy propozime dhe duhet të përgënjeshtrohet kryeministri, s’ka dy propozime, ka një propozim me dy opsione siç është pranim të propozimit franko-gjerman apo sanksione për palën që s’pranon propozim. Sipas gjasave do të jetë fundi i muajit dhjetor ku do pritet që Kosova dhe Serbia të firmosin një draft-kornizë sa i përket propozimit franko-gjerman. Çështja e propozimit franko-gjerman është jetike për komunitetin ndërkombëtar. Bashkësia ndërkombëtare është e interesuar të përmbyllë konfliktin e ngrirë”, shprehet Shala.

Ai thotë se marrëveshja finale do t’i ngjasojë marrëveshjes së Rambujesë.

“Marrëveshja finale do t’i ngjasojë marrëveshjes së Rambujesë. Serbia mund të tërhiqet nga marrëveshja franko-gjermane. Çështja e vetme që mund të diskutohet mund të jetë Asociacioni i komunave serbe, që pritet të jetë pikë e nxehtë në ditët në vijim. Konferenca është përdorur nga zyra e Macron për të ulur dy palët dhe të arrihet marrëveshja”, thekson eksperti Shala, sipas të cilit, Serbia është në presion të madh.

“Serbia është në dilemë dhe presion jashtëzakonisht të madh pas takimit me kancelarin Scholz dhe deklaratave të Blinken. Serbia është përballë presionit që të vendosë sanksione ndaj Rusisë nëse do të vazhdojë rrugën drejt BE. Serbia dhe Vuçiç do kalkulojë aktivitetin politik, në rast se vërehet se marrëveshja franko-gjerman do jetë në dëm të interesave të brendshëm të saj do të tërhiqet .Ka presion edhe nga Kisha Ortodokse serbe që mos lëshohet pe. Unë mendoj që do të tërhiqet si në të kaluarën dhe Kosova mund të vazhdojë rrugën për njohje nga 5 vende të BE””, deklaron Shala.

Për fund, ai nënvizon se Kosova para se gjithash nuk duhet të hy në ndonjë aventurë politike me karakter sigurie.

“Çështja e njohjes është bazament ku në këtë propozim do të kemi një njohe substanciale të Kosovës në formën praktike duke njohur: legjislacionin, integritetin territorial pra thënë shkurt unitetin shtetërorë të Kosovës. Kosova para se gjithash nuk duhet të hy në ndonjë avanturë politike me karakter sigurie që mund të lëndojë proceset jetike të saj në rrugën drejt anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtar”, përfundon Drizan Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat