Flet zëdhënësi i Policisë, tregon a janë larguar të gjithë serbët nga Policia

Politika

Flet zëdhënësi i Policisë, tregon a janë larguar të gjithë serbët nga Policia

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 11 nëntor 2022 Në ora: 22:11
Doreheqja e policeve serb ne Veri

Kanë kaluar pesë ditë që nga dorëheqja e 578 policëve serbë në veri të Mitrovicës. Sipas Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nga gjithsej 578 policë të dorëhequr, 461 nga Policia e Rendit Publik, 107 nga Policia Kufitare dhe 10 nga hetimet.

Dorëheqjet e tyre patën ardhur pas vendimit të Listës Serbe për t’u larguar nga Kuvendi, Qeveria, pushteti lokal, Polici, Gjykatë dhe institucione të tjera në veri të Kosovës, derisa Qeveria nuk tërhiqet nga plani për targat.

Paralajmërimet e kësaj partie për largim nga institucionet u bënë pasi autoritetet në Kosovë suspenduan nga puna drejtorin e Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili deklaroi se nuk do të zbatonte vendimin e Qeverisë për targat.

Por, serbët nuk janë larguar nga trajnimi në Policinë e Kosovës.

Në pyetjet e dërguar Policisë në lidhje me trajnimin e kadetëve serbë, nëse janë duke vazhduar apo janë dorëhequr pas vendimit të Listës serbe, zëdhëndësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për “Bota sot”, se ata vazhdojnë trajnimet pa probleme.

“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se, të gjitha trajnimet me të gjithë kadetët policorë janë duke vazhduar pa probleme”, ka deklaruar Kelani për “Bota sot”.

Image
Zëdhëndësi i Policisë, Baki Kelani

Kujtojmë, Policia e Kosovës më 12 korrik të këtij viti, kanë filluar trajnimin profesional në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, trajnim i cili është bërë për zyrtarët policorë të gjeneratës së 57-të të kadetëve policorë.

448 pjesëtarë janë përzgjedhur që t’i bashkëngjiten Policisë së Kosovës, duke u bërë kështu punonjës të rinj të saj.

Po ashtu, kjo gjeneratë përbëhet nga, gjithsej, 448 pjesëmarrës në të cilën janë përfshirë kadetë policorë të të dy gjinive, e të cilët njëkohësisht përfaqësojnë komunitetet e të gjitha grupeve etnike të Republikës së Kosovës.

Kadetët policorë janë të ndarë në katërmbëdhjetë klasa, teksa ky trajnim është planifikuar që të zgjasë 31 javë sipas planprogramit të akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve.

Gjinia femërore nuk ka munguar në mesin e kadetëve policorë, aty janë, gjithsej, 54 kadetë femra, si dhe 32 kadetë të pakicave të tjera etnike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat