”Kosova në rrezik!”/ Pas deklaratave kërcënuese të Daçiqit, vjen thirrja urgjente për Kurtin

Politika

”Kosova në rrezik!”/ Pas deklaratave kërcënuese të Daçiqit, vjen thirrja urgjente për Kurtin

A.Morina Nga A.Morina Më 11 nëntor 2022 Në ora: 23:17
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se nëse kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të dërgojë policë në veri të Kosovës, atëherë mund të ketë konflikt të armatosur.

“Asnjëherë nuk ka pasur policë shqiptarë në veri të Kosovës dhe nëse kjo ndodh, serbët do të rezistojnë dhe askush nuk mund t’i ndalë. Nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dërgon policinë në veri, mund të ketë konflikte të armatosura dhe këtë e dinë të gjithë”, tha ai përmes një reagimi.

Deklarata e Daçiq vjen në një kohë që sot Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç kanë zhvilluar takime me kreun e politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell dhe të dërguarin e BE për dialogun mes Prishtinës e Beogradit, Miroslav Lajçak.

E këto deklarata kërcënuese të ministrit serb në një prononcim për “Bota sot” i komentoi profesori universitar, Enver Bytyçi.

Sipas tij, kjo deklaratë është alarm, por nuk trajtohet si e tillë nga komuniteti ndërkombëtar, megjithatë Kosova duhet ta marrë seriozisht atë.

Image
Profesori universitar, Enver Bytyçi.

“Sot ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka kërcënuar hapur Kosovën, duke thënë se „Nëse në veri të Kosovës shkojnë policët shqiptarë, atëherë përgjigja e serbëve do të jetë me luftë“! Kjo deklaratë është alarm, por nuk trajtohet si e tillë nga komuniteti ndërkombëtar. Nuk u jepet rëndësi deklarimeve të tilla, apo ka diçka tjetër? Këtë duhet ta shohim në zhvillimet e ardhshme.

Por Kosova duhet ta marrë shumë seriozisht këtë dhe deklaratat e tjera të udhëheqësve serbë në Beograd. Pse lëshohen të tilla kërcënime? Duket qartë se Vuçiq, Daçiq e të gjithë serbët e konsiderojnë veriun e Kosovës si pjesë të pandarë të territorit të Serbisë. Kur përmendin veriun dhe në këtë kanë parasysh katër komunat në veri të Mitrovicës, ata lëshojnë kumte për bashkësinë ndërkombëtare se „me asnjë çmim nuk lejojmë që këto katër komuna të jenë pjesë e Kosovës“”, deklaroi ai.

Bytyçi konsideron se Daçiq mund t’i sakrifikojë të 30 mijë serbët që jetojnë në veri, vetëm për t’i marrë pasuritë e Kosovës.

Ai deklaratën e tij e vlerësoi si kërcënim të drejtpërdrejtë për qeverinë, presidenten, parlamentin e institucionet e vendit.

“Serbia do të përpiqet që ta zhvendosë atë masë sovraniteti që kishte në veri dhe të vendosë strukturat e veta paralele në këtë zonë të banuar në sumicë nga serbët. Do të përpiqet ta zhbëjë çdo përpjekje për sovranitet të qeverisë dhe institucioneve të Kosovës në këtë territor. Në këtë kuadër është edhe reagimi për targat. Nuk besoj se tërheqja e serbëve lokalë nga institucionet e Kosovës është bërë për t’u rikthyer në përfitim të shtyrjes së vendimit për targat. Përkundrazi, është një mesazh që duhet lexuar qartë dhe me shumë kujdes.

Bashkësisë ndërkombëtare po i thonë se nëse doni paqe, atëherë veriu i Kosovës duhet t’i takojë Serbisë. Pasuritë e Kosovës janë në syrin e ciklopit dhe jo jetesa e serbëve. Në emër të këtyre pasurive Daçiq mund t’i sakrifikojë të 30 mijë serbët që jetojnë në veri. Por është edhe kërcënim i drejtpërdrejtë për qeverinë, presidenten, parlamentin e institucionet e vendit. Metoda është shumë perfide: Të lodhen politikanët në Prishtinë duke luftuar me njëri-tjetrin dhe më pas Vuçiq e Daçiq të veprojnë me marionetat e veta si Dardan Molliqaj e të tjerë për të marrë atë që kishte projektuar Milosheviçi”, theksoi profesori.

Në vazhdim, ai potencoi se nëse Rusia dështon me turp në Ukrainë, Serbia nuk ka rrugë tjetër, përveçse t’i bashkohet Perendimit, përfshirë dhe NATO-n.

“Tashmë kam filluar të besoj se Serbia nuk po i bën më veprime të tilla nga ndikimi i Rusisë. Rusia është në zgrip dhe nuk ka kohë të merret me këtë pikë të dobët të stabilitetit në Ballkan, sido që do ta mirëpriste me duartrokitje. Por mesa kuptoj, në Beograd po ndërrojnë trenin. Duket se treni rus u duket larg në Siberi dhe i janë kthyer trenit euro-amerikan. Kthesa nuk merret brenda ditës. Por gradualisht shoh kthimin e palltos nga fryn era. Ky fenomen është i natyrshëm në jetën njerëzore, po ashtu në historinë e kombeve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar shumë që Serbia të shkëputet nga kthetrat e Rusisë. A do jetë e lehtë kjo? Besoj se jo. Megjithatë, nëse Rusia dështon me turp në Ukrainë, Serbia nuk ka rrugë tjetër, përveçse t’i bashkohet Perendimit, përfshirë dhe NATO-n”, nënvizoi Bytyçi.

Më tej, profesori përmendi disa nga zhvillimet që janë rrëzik shumë i madh për Kosovën!

“Mirëpo këto zhvillime kanë si tashmë si proces. Fatkeqësisht në një kohë kur Kosova merret me veten e saj, madje me ndihmën e Edi Ramës. Se Rama për hir të pushtetit të tij i shërben interesave të kujtdo, pa marrë parasysh në asnjë rast interesat e Kosovës e të Shqipërisë. Atëherë çfarë ndodh? Serbia rrit kredencialet e saj në aleatët e derisotëm të Kosovës. Rritja e këtyre kredencialeve e favorizon kërkesën e saj për të përfituar territore në këmbim të paqes me Kosovën. Këtë qëllim ka deklarata e Daçiq. Dhe mendoj se tashmë është krijuar një aleancë e qëndrueshme midis Beogradit dhe Uashingtonit. Daçiq kërcënon që shteti i Kosovës të mos jetë prezent në veri. Escobar kërkon shtyrjen e vendimit për targat pa dhënë asnjë garanci për atë që do të ndodhë pas dhjetë muajsh. Ndërkohë kërkesën e Vuçiq për të ngritue asosacionin, nuk e kërkon tashmë Beogradi, por e kërkojnë Borrelli në Bruksel dhe Escobar në Uashington. Këto zhvillime janë rreziku i vërtetë për Kosovën”, shpjegoi ai.

Në fund, Bytyçi tha se nëse Albin Kurti mbetet pa alternativë duhet të shpallë zgjedhjet e reja në 45 ditë.

Kjo me qëllim që të mos lejojë hajdutët e partive opozitare të bëhen bashkë e të ndërtojnë mazhorancë të re

“Por nëse Qeveria e Kosovës reziston, atëherë ajo kërcënohet në forma të ndryshme. P.sh ministrat e kryetarët e komunave duhet ta shtyjnë udhëtimin për në SHBA, por nuk u dashka ta bëjnë këtë kryetarët e partive opozitare e madje as kryeministri e presidentja, të cilat udhëtuan drejt Parisit. Escobar tha dje në Zëri i Amerikës se shumë zëra në Prishtinë e mbështesin ngritjen e asosacionit. Po. Kjo është e vërtetë. Janë shumë politikanë opositarë që e mbështesin këtë. Por jo edhe qeveria dhe presidentja e vendit.

Megjithatë në asnjë vend demokratik nuk merren vendime për shkak të zërave në mbështetje. Ka dy mënyra për të testuar mbështetjen. Referendumi ose shkuarja në zgjedhje të reja. Për mua, nëse Albin Kurti mbetet pa alternativë duhet të shpallë zgjedhjet e reja në 45 ditë. Të mos lejojë hajdutët e partive opozitare të bëhen bashkë e të ndërtojnë mazhorancë të re. Sepse po ka zëra të tillë. Duhet ta mendojë këtë Kurti dhe të vendosin qytetarët, nëse janë dakord që Serbia t’i marrë pasuritë më të mëdha të Kosovës apo jo?! Pavarësisht se pasuritë nuk janë vetëm të këtyre gjeneratave. Ato i takojnë dëshmorëve të panumërt dhe brezave që vijnë gjithashtu”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat