Propozimi franko-gjerman për marrëveshjen Kosovë-Serbi/ Parashikohen zhvillime dramatike

Politika

Propozimi franko-gjerman për marrëveshjen Kosovë-Serbi/ Parashikohen zhvillime dramatike

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 12 nëntor 2022 Në ora: 10:08
Vjosa Osmani, Emmanuel Macron dhe Albin Kurti

Një medium i huaj, Euractiv ka publikuar pak ditë më parë përmbajtjen e 9 pikave të planit franko-gjerman, i cili fokusohet në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nga perspektiva e një të ardhmeje të përbashkët në BE, ku elementi më kritik është shkëmbimi i misioneve të përhershme, të ngjashme me ambasadat, por në një nivel më të ulët.

Kurse Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me presidentin francez, Emanuel Macron, ka folur edhe njëherë për propozimin franko-gjerman për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në takimin e përbashkët me Presidenten Osmani, biseduam për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, dialogun për marrëveshje Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit. Potencuam se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, ka thënë kryeministri Kurti.

Në dhjetor, Kosova dhe Serbia firmosin një draft-kornizë sa i përket propozimit franko-gjerman

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se mund të jetë fundi i dhjetorit, koha kur Kosova dhe Serbia do të firmosin një draft-kornizë sa i përket propozimit franko-gjerman.

Image
Drizan Shala

“Kryeministri ka potencuar që ekzistojnë dy propozime dhe duhet të përgënjeshtrohet kryeministri, s’ka dy propozime, ka një propozim me dy opsione siç është pranimi i propozimit franko-gjerman apo sanksione për palën që s’pranon propozim. Sipas gjasave do të jetë fundi i muajit dhjetor kur do pritet që Kosova dhe Serbia të firmosin një draft-kornizë sa i përket propozimit franko-gjerman. Çështja e propozimit franko-gjerman është jetike për komunitetin ndërkombëtar. Bashkësia ndërkombëtare është e interesuar të përmbyllë konfliktin e ngrirë”, shprehet Shala.

Ai thotë se marrëveshja finale do t’i ngjasojë marrëveshjes së Rambujesë.

“Marrëveshja finale do t’i ngjasojë marrëveshjes së Rambujesë. Serbia mund të tërhiqet nga marrëveshja franko-gjermane. Çështja e vetme që mund të diskutohet mund të jetë Asociacioni i komunave serbe, që pritet të jetë pikë e nxehtë në ditët në vijim. Konferenca është përdorur nga zyra e Macronit për të ulur të dyja palët dhe të arrihet marrëveshja”, thekson eksperti Shala, sipas të cilit, Serbia është në presion të madh.

“Serbia është në dilemë dhe presion jashtëzakonisht të madh pas takimit me kancelarin Scholz dhe deklaratave të sekretarit amerikan Blinken. Serbia është përballë presionit që të vendosë sanksione ndaj Rusisë nëse don që ta vazhdojë rrugën drejt BE-së. Serbia dhe Vuçiqi do të kalkulojnë aktivitetin politik, në rast se vërehet se marrëveshja franko-gjerman do të jetë në dëm të interesave të brendshme të saj dhe do të tërhiqet. Ka presion edhe nga Kisha Ortodokse serbe që të mos lëshohet pe. Unë mendoj që do të tërhiqet si në të kaluarën dhe Kosova mund të vazhdojë rrugën për njohje nga 5 vendet e BE-së”, deklaron Shala.

Në fund, ai nënvizon se Kosova para së gjithash nuk duhet të hyjë në ndonjë aventurë politike me karakter sigurie.

“Çështja e njohjes është bazament ku në këtë propozim do të kemi një njohe substanciale të Kosovës në formën praktike duke njohur: legjislacionin, integritetin territorial, pra thënë shkurt unitetin shtetërorë të Kosovës. Kosova para së gjithash nuk duhet të hyjë në ndonjë aventurë politike me karakter sigurie që mund të lëndojë proceset jetike të saj në rrugën drejt anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtar”, përfundon Drizan Shala për “Bota sot”.

Kuçi: Serbia tashmë e ka refuzuar planin franko-gjerman

Image
Gurakuç Kuçi

Për doktorin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, plani franko-gjerman është më shumë një udhërrëfyes për dialogun, se sa një marrëveshje përfundimtare.

“Një sqarim që duhet dhënë për opinionin e gjerë, ky plan i paraqitur nuk nënkupton marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është vetëm një udhërrëfyes se si duhet të rikrijohet një fazë e re dialogu, pa i hedhur poshtë të arriturat më herët. Pra, kjo kornizë paraqet një lloj simotre të marrëveshjes së vitit 2013, jo për nga përmbajtja, por për nga strukturimi i dialogut. Mirëpo, korniza e tanishme nuk jep premisa për një zgjidhje të drejtë apo përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi nuk prek asnjë temë përfundimtare përveç që synon një politikë “paqëtimi” ndërmjet dy palëve, pikërisht në stilin evropian të para Luftës së Dytë Botërore, politikë që i dha kohë Hitlerit të forcohej jashtëzakonisht shumë”, thotë Kuçi.

Sipas tij, Serbia tashmë e ka refuzuar planin franko-gjerman.

“Brukseli dhe Uashingtoni në deklaratat e tyre kryesore e kanë frazën se çdo marrëveshje që arrihet mes palëve ata e përkrahin. Pra, topi vazhdimisht bie mbi palët që nëse ju pranoni diçka të keqe faji mbetet tek pala. Me 8 nëntor Serbia e ka refuzuar planin franko-gjerman në mbledhjen e mbajtur të Këshillit të Sigurisë dhe këtë e ka thënë po ashtu për media edhe Ivica Daçiq. Këtë refuzim të Serbisë ndaj planit e citoi edhe kryeministri i Kosovës në një konferencë për media, mirëpo nga Brukseli u demantua Kurti, por jo edhe Daçiqi. Pra, mesazhet nga BE-ja janë shumë të paqarta ashtu sikur kërkesa e BE-së që të sundojë ligji në veri të Kosovës e në anën tjetër të shtyhet zbatimi i ligjit”, shprehet Kuçi.

Më tej, ai thotë se Kosova duhet të ketë kujdes me veprimet e saj, pasi nuk mund të kërkohet pastaj që SHBA-ja t’i korrigjojë ato.

“Kosova duhet të ketë kujdes në veprimet e saj, shumica e njerëzve që merren me opiniondhënie dhe analiza po nisen nga shablloni i Rambujesë e deri në shpalljen e Pavarësisë, mirëpo rrethanat nuk janë të njëjta dhe nëse ne pranojmë gjëra që nuk duhet, atëherë nuk mund të kërkojmë nga SHBA-ja t’i rregullojë gabimet tona”, deklaron Kuçi.

Sipas tij njohja është proces i ndërsjellët që i mbyllë të gjitha çështjet administrative dhe në masë të madhe politike.

“Çështja e njohjes nuk është një akt i thjeshtë deklarativ siç po mundohen disa ta paraqesin, njohja është procesi që i mbyll të gjitha çështjet administrative dhe në masë të madhe politike, ndërsa mosnjohja lë të hapur mijëra mundësi për marrëveshje të pafundme”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat